Nga Roland Barthes
Shumëfishimi i shkrimeve është fenomen modern që e obligon shkrimtarin të zgjedhë, nga forma bën sjellje dhe vendos një etikë të shkrimit. Përmasave që përvijojnë krijimin letrar tash e tutje u shtohet një thellësi e re, meqë forma më vete paraqet një lloj mekanizmi parazitar të funksionit intelektual.
Shkrimi modern është mekanizëm vërtet i pavarur që zhvillohet rreth aktit letrar, e me vlerë të huaj për mëtesën e tij e angazhon vazhdimisht në një mënyrë të dyfishtë ekzistence, dhe mbi përmbajtjen e fjalëve vë shenja të errëta që në vete bartin një histori të re, një komprometim apo një shëlbim dytësor, kështu që me fatin e të menduarit përzihet një fat që vjen pastaj, shpesh i kundërt, gjithmonë hutues, i formës.
Por, ky fatalitet i shenjës letrare, që shkrimtarin e bën të mos mund të shkruajë as një fjalë për të marrë pozën e veçantë të ndonjë ligjërimi të dalë mode, anarqik apo të imituar, gjithsesi konvencional dhe jonjerëzor, vepron pikërisht në momentin kur Letërsinë, duke mënjanuar gjithnjë e më shumë fatin e saj prej miti borgjez, e kërkojnë veprat apo dëshmitë e humanizmit që më në fund Historinë e ka integruar në imazhin e vet për njeriun.
Kështu kategoritë e vjetra letrare, në rastet më të mira të pastruara nga përmbajtja e tyre tradicionale, që ishte shprehja e thelbësisë jokohore të njeriut, më në fund mbahen vetëm përmes një forme specifike, një rendi leksikor apo sintaksor, një ligjërimi, duke thënë shkurt: tash e tutje shkrimi është ai që e përcakton të gjithë identitetin letrar të një vepre.
Një roman i Sartrit është roman vetëm me besnikërinë e tij ndaj një toni recitativ, të ndërprerë pos tjerash, normat e të cilit janë vendosur gjatë tërë gjeologjisë së mëparme të romanit; në fakt, shkrimi i recitativit, dhe jo përmbajtja e tij, e riintegron në romanin sartirian kategorinë e Letrave të bukura.
Edhe më shumë, kur Sartri provon të thyejë vazhdimësinë romaneske dhe e dyfishon rrëfimin e tij për të shprehur gjithëpraninë e realitetit (në Le Sursis), përmbi simultanitetin e ngjarjeve shkrimi rrëfimtar rikomponon një Kohë të vetme dhe homogjene, kohën e Rrëfyesit, zëri i veçantë i të cilit, i përkufizuar përmes veçorive të diktueshme mirë, e ngarkon shpalimin e Historisë me një njësi parazite dhe i jep romanit ndërdymjen e një dëshmie që ndoshta është e rrejshme.
Nga kjo shihet se kryevepra moderne është e pamundshme, sepse shkrimtari me shkrimin e tij është vendosur në një kontradiktë të pazgjidhshme: ose objekti i veprës pajtohet naivisht me konvencat e formës, e Letërsia atëherë mbetet e shurdhët ndaj Historisë sonë të tashme dhe miti letrar nuk kapërcehet; ose shkrimtari e vëren freskinë e gjerë të botës bashkëkohëse, por për ta nxjerrë në shesh atë ai ka në dispozicion vetëm një gjuhë spendide dhe të vdekur; para fletës së tij të bardhë, në momentin e zgjedhjes së fjalëve që do të duhej të sinjalizojnë gjersisht vendin e tij në Histori dhe të dëshmojnë se i ka marrë mbi vete të dhënat e saj, ai vëren dallimin tragjik midis asaj që bën dhe asaj që sheh; në sytë e tij bota shoqëore formon tani një Natyrë të vërtetë, dhe kjo natyrë flet, ajo elaboron ligjërime të gjalla nga të cilat shkrimtari është i përjashtuar; në anën tjetër, Historia ia jep mjetin zbukurues dhe komprometues, shkrimin që e ka trashëguar nga një Histori e mëparme dhe e ndryshme, për të cilin ai nuk është përgjegjës , por i cili është megjithatë i vetmi që mund të përdorë.
Kështu lind tragjika e shkrimit sepse shkrimtari i ndërgjegjshëm tani e tutje duhet të luftojë kundër shenjave stërgjyshore dhe të gjithfuqishme, që, nga thellësia e një të kaluare të huaj, ia imponojnë Letërsinë si ritual dhe jo si pajtim.
Kështu, pos nëse heqin dorë nga Letërsia, zgjidhja e kësaj problematike të shkrimit nuk varet nga shkrimtarët. Çdo shkrimtar i ri ngre në vete procesin e Letërsisë; por edhe nëse e dënon, ai gjithnjë e shtyn ndëshkimin dhe Letërsia këtë e përdor për ta ripushtuar shkrimtarin; ai më kot përpiqet të krijojë ligjërim të lirë; ia dërgojnë të fabrikuar, sepse luksi kurrë nuk është i pafaj; ai duhet të vazhdojë ta përdorë pikërisht këtë ligjërim bajat dhe të mbyllur nga trysnia e pamatshme e njerëzve që nuk e flasin.
Ekziston, pra, një qorrsokak i shkrimit dhe ai është qorrsokaku i vetë shoqërisë: shkrimtarët e sotëm këtë e ndjejnë: për ta, hulumtimi i një jostili, apo i një stili gojor, i një shkalle zero apo i një shkalle të folur të shkrimit, në tërësi kjo është anticipimi një gjendjeje absloutisht homogjene të shoqërisë; shumica e kuptojnë se nuk mund të ketë ligjërim universal jashtë një universaliteti konkret dhe jo më mistik dhe nominal të jetës shoqërore.
Pra, në çdo shkrim të sotëm ekziston një mtesë e dyfishtë: ekziston synimi drejt thyerjes dhe synimi drejt realizimit, madje aty pasqyrohet çdo gjendje revolucionare, dysia themelore e së cilës qëndron në faktin se nga ajo që do të shkatërrojë Revolucioni duhet të nxjerrë vetë imazhin e asaj që do të ketë.
Si i tërë arti modern, shkrimi letrar bart njëherësh tëhuajësimin e Historisë dhe ëndrrën për Historinë: si domosdo, ai dëshmon përcopëtimin e ligjërimeve, të pandashëm nga përcopëtimi i klasave: si Liri, ai është ndërgjegjja e këtij përcopëtimi dhe vetë përpjekja për ta përsunduar atë.
Duke u ndjerë vazhdimisht fajtor për vetminë e vet, ai është jo më pak imagjinim i uritur për një fatlumni të fjalëve, ai ëndërron një ligjërim, freskia e të cilit, përmes një anticipimi ideal, do të fliste për përsosmërinë e një bote të re adamike, ku ligjërimi nuk do të ishte më i tëhuajësuar. Shumëfishimi i shkrimeve themelon një Letërsi të re për aq për sa kjo e shpik ligjërimin e vet sa për t’u bërë projekt. Letërsia bëhet utopi e ligjërimit.
*Shkëputur nga libri “Aventura semiologjike”, Roland Barthes, Dukagjini, Pejë 2008
Përktheu: Rexhep Ismajli
Përgatiti: ObserverKult
——————————
Lexo edhe: