Kanë pothuaj një muaj që kanë marrë shtëpi me qera,
në pallatin ku unë banoj.
Gjithë – gjithë bëhen katër.
Ai, ajo dhe dy fëmijët e vegjël.
Me atë rastisa në ashensor, në mëngjes.
Fillova punë në ndërtim, më tha i entuziazmuar.
U gëzova, mbase siç ishte gëzuar vetë ai.
Të shoqen e tij e hasa sot në mbrëmje,
tek minimarketi i lagjes.
Kishte marrë ushqimet bazë të familjes.
Në momentin që do paguante,
bëra sikur vështroja në raftin përballë.
Zotëria i minimarketit shënoi shumën në një fletore gri.
I shoqi i saj kthehet pasdrekave i lodhur.
Dhe nesër ai nuk do të mundë
apo s’do t’i bjerë ndoshta fare ndërmend,
data 14 shkurt.
Ajo do ta mirëkuptojë,
do t’i përgatisë drekën gjithë përkushtim,
me dhembshuri do ta vështrojë,
teksa ai do të hajë me uri gjellën,
që ajo nuk do ta ketë goditur siç duhet.
Ajo gjithë drojë do ta pyesi, – Të pëlqeu?
Shumë, do t’i përgjigjet ai, ndërsa do të kthejë një kom raki.
Ajo do të bëjë atë çast për nga kuzhina
me pjata në duar,
që ai të mos t’a vërë re ngashërimin e saj.