Miqësia që nuk ishte mes Enverit dhe Lasgushit: “Propaganda sajoi lidhjen mes poetit dhe diktatorit”

vala poezi nga lasgush popradeci

Reporteri në pension, Budjon Xhelo, ishte i ftuar kohë më parë në ‘Dita Jonë’ ku solli disa nga kujtimet e tij në lidhje me poetin e madh lirik, Lasgush Poradeci.

Xhelo tregon jetën e shkrimtarit të madh në qytetin e Pogradecit dhe mënyrën se si ai u la në mjerim nga komunizmi. Ai mohon që Lasgushi të ketë pasur një miqësi me diktatorin, Enver Hoxha.

Sipas Xhelos, Lasgushi kishte pasur njohje me Enverin kur kishin qenë mësues në gjimnazin e Tiranës, por asnjëherë ndonjë miqësi.

Intriga e madhe e diktatorëve

Ai shprehet se e gjithë kjo afërsi e pretenduar mes të dyve u krijua nga propaganda e kohës.

“Kjo ka ndodhur më 1936, kur Enver Hoxha qe profesor në gjimnazin e Tiranës atje ku qe dhe Lasgushi. Ai kujtohet në 1981 t’i hedhë këto shënime.

Është ajo intriga e madhe që gjithnjë diktatorët kërkojnë t’u qasen poetëve të shquar që janë profetë, kjo sepse ai e harroi për 40 vjet në një mjerim, në një izolim.

Shkroi Kadareja një kryevepër “Kronikë në gur”, mbas pak kohe botoi dhe Enver Hoxha “Kujtimet e Vegjëlisë”. Ndërsa Lenini iu trembej shkrimtarëve të shquar “Janë rrezik për revolucionin”, thoshte.

Në periudhën e komunizmit, Lasgush Poradeci jo vetëm që u pengua. Ai ishte një i vdekur që gjallonte.
Ai u la në mjerim, me një pension të vogël deri sa vdiq. 8 muaj të vitit Lasgushi i kalonte në Pogradec.

Shtëpia e tij ishte shumë e vogël dhe shumë e varfër madje ajo nuk kishte as banjë brenda.

Në 1981, Lasgushin vjen dhe takon djalin e Mehmet Shehut, Bashkimin. Lasgushi iu drejtua atij duke i thënë “E di ti kush më ka katandisur mua kështu? Yt atë”. U trembën shoqëruesit, miqtë e Lasgushit.

Më pas, bëri një pauzë të vogël dhe iu drejtua “Ti, Shehu i vogël, i thuaj Shehut të madh që Lasgushi e ka vajzën pa punë”, si duket u bë pishman.

Por kjo duket se rezultoi pozitive. Disa ditë më vonë vajza e tij u fut në punë dhe më pas i futën ujin në banesë dhe i ndërtuan një banesë me fondet e komitetit, transmeton ‘a2news.com’.

Lasgushi nuk ka shkruar asnjë rresht për Enverin

Lasgushi u hoq nga Konsullata në Bruksel nga Zogu dhe u la 2 muaj në gjimnazin e Tiranës. Dhe lakejt e tij vazhdojnë të thonë që kanë qenë miq. Miq në atë varfëri nuk mund të them.

Lasgushi nuk ka shkruar asnjë rresht për Enverin. Dhe Zogu që e mbante mirë, nuk bëri asnjë vjershë për të. Ai kishte pavarësinë”, tregon Xhelo.

Në fund, Xhelo tregon dhe një kujtim personal me poetin e madh për të treguar se ai jetoi gjatë gjithë kohës si antikomunist.

“Komunizmi po të ishte i mirë e bënte gjermani dhe jo sllavi”, kujton Xhelo t’i ketë thënë Lasgushi.

LEXO EDHE:

LASGUSH PORADECI: KUR TË MË JESH E ZEMËRUAR

ObserverKult