“Spikati me këngë të rrezikshme tingujsh të lehtë në atmosferën e rëndë të marsheve komuniste”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kushtoi një homazh kompozitorit të ndjerë Agim Krajka, i cili ndërroi jetë ditë më parë.

Duke e cilësuar si një personalitet krijues që spikati me këngë të rrezikshme tingujsh të lehtë në atmosferën e rëndë të marsheve komuniste. Dhe me variacione marramendëse në skenat e këngës popullore.

“Agim Krajka që në sytë tanë i dha emrin e tij fizarmonikës, iku sot në banesën e fundit.
Dibran nga rrënjët por dritën e diellit e pa në Kavajë, 84 vjet më parë. Me fizarmonikën e të atit pranë djepit”, shprehet Rama.

“Ajo fizarmonikë e pandarë nga kraharori u bë e pandashme nga personaliteti i tij krijues. I cili spikati me këngë të rrezikshme tingujsh të lehtë në atmosferën e rëndë të marsheve komuniste dhe me variacione marramendëse në skenat e këngës popullore”, vijoi Rama.

“Nuk e di nëse ka pasur një kompozitor tjetër që të jetë fishkëllyer aq shumë sa Agim Krajka në buzët e të dashuruarve të botës së djeshme shqiptare pa youtube e as telefon inteligjent. Po nuk besoj të ketë ndonjë nga banorët e asaj bote që sot nuk ka ndjerë një therje në zemër për shuarjen e burimit të atyre fishkëllimave. U prehtë në paqe”, përfundoi Kryeministri Rama./ATSH

LEXO EDHE: VDIQ KOMPOZITORI I NJOHUR, AGIM KRAJKA