“Ne jemi të bërë nga e njëjta substancë e ëndrrave; dhe jeta jonë e shkurtër përmbahet në hapësirën dhe kohën e një ëndrre”./W. Shakespeare.
Piktori Helidon Haliti vjen me ekspozitën vetjake “Still a life”, pranë Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ekspozita, kuruar nga Oltsen Gripshi, do të çelet më 1 prill për publikun, duke sjellë disa nga veprat që janë realizuar nga piktori i njohur, artist i çmimeve ndërkombëtare.
Vetë piktori i njohur dhe si mjeshtër i akuarelit, e lajmëron “Still a life” në muze, përmes një statusi dhe shprehet se është ekspozita e tij personale, pas 9 vitesh.
Si kurator i ekspozitës Ph.d. Oltsen Gripshi, shkruan se në tërësinë e veprave të artit bashkohor ndikimi i ëndrrës mbetet një fenomen, i cili, pa dyshim, është përkthyer në fenomenologjinë e vetë këtij arti, një luajalitet i ndërsjellë midis imagjinatës njerëzore dhe krijimit konkret. Marrëdhënie kjo, sipas Gripshit, që jep përparësi në krijimin e një vepre artistike bashkohore, të shprehë koncepte që stimulojnë intelektin.
“Në këtë rast, kur tentojmë të lexojmë apo deshifrojmë ëndrrën/ëndrrat, intelekti i stimuluar shndërrohet në një imazh të caktuar, ashtu sikurse ndodh edhe në pikturën e Helidon Halitit. Një artist, i cili, imazhet që krijon duken sikur vijnë nga një hapësirë tjetër mendore, pikërisht përtej asaj që ne të tjerët arrijmë të perceptojmë në realitet […] – ai përmes ëndrrës filtron ndjesitë e tij, duke thyer në këtë mënyrë pamjen tonë konvencionale të gjërave. Sjellje kjo, që e udhëheq artistin për të identifikuar mënyra të reja dhe për të ndikuar në realitetin që e rrethon dhe e nxit për të krijuar, duke vënë në pikëpyetje vetë kufijtë e asaj që është arti konkretisht”, – shprehet Gripshi.
Për kuratorin Oltsen Gripshi, me këtë frymë konkretizohet edhe ekspozita vetjake “Still a life” e Helidon Halitit, në Muzeun Historik Kombëtar.
“Një ekspozitë, që rrugëton nëpër shtigjet ndjesore brenda qenies së artistit, ku ai, falë pikturës ka arritur të shpërfaqë jo vetëm botë e tij shpirtërore, por dhe të reflektojë mbi të përditshmen që e rrethon”, – shprehet ai.
Në pritje të “Still a life”, kuratori Oltsen Gripshi shprehet se, ekspozita është e formësuar nga katër elementë thelbësorë, që kanë ndikuar drejtpërdrejt tek artisti. “Si vetëportretet ku ai ballafaqohet me veten, ngre një bashkëbisedim/monolog sofist për të njohur dhe kuptuar më mirë se cili është ai vërtetë, personazhet F që janë femrat me të cilat ai ka një marrëdhënie të veçantë sikundër është nëna e tij, duke pasuruar njëherazi me tonalitete të ngrohta veprat që ai krijon, personazhe M që janë miqtë dhe lojë luftërash hapësira ku shohim një përmasë tjetër të artistit, që është ajo e një “beteje” të brendshme ndjenjash, zhgënjimesh, ankthesh dhe vegimesh nga e kaluara”, vijon Gripshi në tekstin për ekspozitën e piktorit në muze. Sipas kuratorit, element tjetër që përcjell një mesazh të fortë është simbolika e veshit, transmeton ‘konica.al’.
“Veshi që dëgjon dhe ai që lidh dy botë, atë jashtë dhe brenda artistit”, shprehet Gripshi. Në këtë vështrim zanafilla e imazheve sa reale aq dhe surreale në pikturën e Helidon Halitit janë kujtimet, vegimet e së shkuarës, por që herë-herë ngjallen me të tashmen të cilat fiksohen dhe riorganizohen gjatë gjumit përmes ëndrrave, e më pas të pasqyruara mbi kanavacë. Për kuratorin, imazhet që ne shohim këtë ekspozitë vetjake të Helidon Halitit nuk janë gjë tjetër, por fragmente të jetuara në një ëndërr, e cila paraqitet tek ne nëpërmjet një gjuhe të kodifikuar, të maskuar me qëllimin e vetëm për të shprehur dhe përcjellë ato ndjesi të tija që e nxisin për të zgjidhur tensionet e akumuluara gjatë përjetimit të ëndrrës, këtej dhe andej ekzistencës.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 prill.
*Pamjet, nga ekspozita të mëparshme të autorit