Nga Pandelis Bukalas
Erosin ta thom me një fjalë, dërsij dhe sëkëlldisem,
kam bindjen se i shkon më mirë ta quajmë thjesht, sevda,
as dert e as siklet or mik. Po vuaj, po kërdisem,
se veç lanetja dashuri s’do llafe të mëdha.
Ajo virane s’është dilemë, është ulërimë e kujë,
kur e përmend e kur të dhemb e brinjë më brinjë të therr.
Sepse nuk është një pellg i qetë por lumë, që në rrëmujë
të merr yrysh e të heq bran e s’ dihet ku të nxjerr.
Ja pra e gjeç llafin, sevda, llahtarë që egërsohet,
me foljet që sofistikon ushton, sajon muzikë
e kur përleshet n’ hapësirë në hone kur lëshohet,
paçka se ajo fort mirë e di që mbetet plagë dhe pikë.
Dallkaja dhe sevdaja bashkë dhe derti dhe sikleti
eh, shqipja jonë sa dorë të jep, tërë nur e bujari.
Por veç aromë e dashurisë të gjitha gjuhet gjeti,
i bëri tok, u dha kuptim në heshtje e dhembshuri.
Titulli i origjinalit: “Dallkaja”
Shqipëruar nga Arqile Garo