Informacion mbi parajsën dhe ferrin

Askush nuk duhet të çuditet që, ashtu si magazinat e mëdha të mallrave, Parajsa dhe Ferri, kanë në galeritë e tyre pirgje me sende të zakonshme për çdo shtëpi në botë. Veç nuk është e mjaftueshme të flasësh vetëm për sende, sepse në këto galeri ka gjithashtu qytete, fshatra, kopshte, male, lugina, diej, hëna, erëra, dete, yje, vezullime, temperatura, shije, parfume, zëra. Pra, përjetësia na jep çdo gjë për ta parë dhe për ta ndier.

Nga Silvina Ocampo


Në qoftë se, për ty, era ulërin si një tigër dhe pëllumbesha engjëllore ka sy prej hijene, kur e shikon; në qoftë se njeriu që shkon rrugës është stolisur dhe veshur aq hollë sa të të ngjallë epshe; në qoftë se trëndafili me tituj të nderuar, që të dhurojnë, është një leckë e çngjyrosur dhe më pak interesant se një harabel; në qoftë se fytyra e gruas tënde është si një trung i zhveshur që tërbon: sytë e tu i krijuan dhe jo Zoti.

Kur vdes, djajtë dhe engjëjt, që janë çifte lakmuese, duke e ditur se je i përgjumur, ca në këtë botë dhe ca në botën tjetër, do të vijnë të maskuar drejt shtratit tënd dhe, duke të përkëdhelur kokën, do të të japin për të zgjedhur gjërat që pate preferuar në jetë. Në fillim, me anë mostrash të ndryshme, do të të mësojnë gjërat elementare.

Kësisoj, diellin, hënën apo yjet do të t’i tregojnë në një sferë kristali të pikturuar dhe ti do ta shikosh e do të besosh se ajo sferë e kristaltë është bota; detin dhe malet do të t’i tregojnë në një gur dhe ti do ta shikosh e do të besosh se ai gur është det dhe male; për kalin do të të tregojnë një gjë në miniaturë dhe ti do ta besosh se është vërtet një kalë.

Engjëjt dhe djajtë do ta hutojnë shpirtin tënd me fotografi lulesh, frutash dhe bonbonesh të shkëlqyera; do të bëjnë të besosh se je ende fëmijë, do të të ulin në një fron, si fron mbretëreshe apo fron i artë, dhe, me duar të kryqëzuara, do të të çojnë nëpër ato korridore në qendër të jetës tënde, ku rrijnë parapëlqimet e tua.

Bën kujdes. Nëse zgjedh më shumë gjëra të Ferrit se të Parajsës, do të shkosh në Parajsë; përkundrazi, nëse zgjedh më shumë gjëra të Parajsës se të Ferrit, rrezikon të shkosh në Ferr, sepse dashuria jote për gjërat qiellore do të bëjë të shpërthejnë epshet e thjeshta.

Ligjet e Parajsës dhe të Ferrit janë të ndryshueshme. Për të shkuar në një vend apo në një tjetër varet nga një detaj shumë i vogël. Njoh njerëz që për një çelës të prishur apo për një kafaz prej xunkthi shkojnë në Ferr dhe ca të tjerë që për një flet ditari apo për një gotë me qumësht shkojnë në Parajsë.

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult

—————

Lexo edhe:

Buqetë poetike nga Silvina Ocampo: Paralajmërime të kota…