Në vitrinën e Café Sacher në Vjenë Philip Roth qesh kur sheh një tortë me krem me fytyrën e Richard Nixon. Të nesërmen kalon kufirin me Çekosllovakinl, për të shkuar të shikojë se çfarë kishte “atje tej”, përtej Perdes së Hekurt. Dhe qe sikur të hynte ne një “qytet minerar qymyri të West Virginia”. Pas check-in në Hotel Jalta në Sheshin Venceslav të Pragës, Roth del në kërkim të pikave të referimit të shoqëruara me të dashurin e tij Franz Kafka.
Për 3 ditët e mëpasme, Roth do të vërdalliset nëpër Qytetin e Vjetër, duke vizituar vendet për të cilat kishte lexuar në letrat e në ditaret e Kafka dhe në biografinë e Max Brod, duke vizituar sinagogat që Hitleri dëshironte t’i transformonte në një muzeum të shkatërrimit të hebrenjve europianë. Çdo ditë, Roth kthehej në varrezën e vjetër hebraike prapa sinagogës Pinkas, që ka një muzeum të vogël për viktimat e Theresienstadt. E goditi njl kukull me një yll të verdhë në gjoks. Më pas linte një guralec mbi varrin e Kafka.
“Kam kuptuar se ekzistonte një lloj lidhje mes meje dhe atij vendi”, do të shkruajë më pas. “Ja një prej atyre cepave të dendur të Europës hebraike që Hitleri e kishte boshatisur nga hebrenjtë”. Përkthimet çekosllovake e dy librave të parë të Roth qenë botuar, por kur provoi të botonte “Ankimin e Portnoy” ju tha se “autoritetet” e kishin konsideruar të papërshtatshëm për përkthim (duket se nuk dinin si t’i përkthenin gjithë ato gojore).
Roth u afrua nga një botuese që çalonte, Eva Kondrysova, e cila e ftoi për drekë. “Të gjithë ata burrat janë qelbësira, i tha në restorant me një anglishte të përkryer (Kondrysova kishte kaluar kohë në Universitetin e Florida falë një burse Fulbright), duke i shpjeguar se të gjithë njerëzit e ndershëm qenë pushuar nga puna pas pushtimit sovjetik që i dha fund “Pranverës së Pragës” më 1968. Libra si “Portnoy” nuk futeshin në kanunet e “socrealizmit” (socializmit real), por Kondrysova i tha se çifti Luba dhe Rudolf Pellar, përkthyes të Hemingway dhe Salinger, po punonin për një version çek të romanit të Roth.
Atë mbrëmje, Roth darkoi me disa shkrimtarë. Luba Pellar i tha: “Nuk mund të vë në skenë një komedi tjetër për dashurinë në një fabrikë trangujsh në Siberi”. Nën “normalizimin” sovjetik, shkrimtarët që nuk qenë nënshtruar futeshin në 3 kategori të mirëpërcaktuara: njerëz që kishin arritur të arratiseshin nga vendi apo të qëndronin jashtë vendit gjatë pushtimit; njerëz që tashmë patën qenë burgosur dhe ata që qenë mbajtur në survejim konstant, të cilëve u qe ndaluar botimi dhe degdisur në punë të thjeshta fizike. Takimi i Philip Roth me disidencën zë një pjesë të konsiderueshme në biografinë përfundimtare e sapobotuar nga Blake Bailey në Shtetet e Bashkuara (shpërndarje dhe promovime të anulluara për shkak të akuzave për ngacmin seksual ndaj autorit).
Kur Roth u kthye në New York, u kërkoi disa miqve që ta vinin me të gjithë intelektualët çeki që njihnin. Kështu lidhi miqësi me Antonín (Tony) Liehm, që do ta kujtonte për takimin e tyre të parë: “Roth i tha, “Sapo kam botuar një libërth kundër Nixon. . . . Shitet si tiganët dhe gjithçka që mund të më ndodhë është se do të bëhem pak më i pasur. Ndërsa këtu shkrimtarët që bëjnë pakashumë të njëjtën gjë mund të llogarisin të shkojnë në burg dhe kam këtë nevojë të kuptoj se pse e bëjnë””.
Në vitin 1960, Liehm ishte bërë kryeredaktor i “Literární noviny”, revistës kulturore më influente të Çekosllovakisë, me një tirazh prej 300000 kopjesh në një vend ku popullsia totale ishte 10 milion banorë. Duke punuar me shkrimtarë të kalibrit të Milan Kundera, Ludvík Vaculík dhe Ivan Klíma, revista ishte bërë platforma kryesore për liberalizimin që kishte çuar në Pranverën e Pragës, duke e pushuar botimin pasi tanket e Traktatit të Varshavës kishin hyrë në vend më 20 gusht të 1968. Liehm do të arratisej në Paris 2 ditë më vonë dhe më më pas në New York, ku do të shkojë të japë Kritikë Kinematografike.
Çdo të martë pasdite, Roth merrte tragetin e Staten Island për të asistuar në leksionet e Liehm. Ashtu si pjesa më e madhe e amerikanëve të atëhershëm, Roth nuk e kishte idenë se kush ishte Kundera, deri kur nuk lidhi miqësi me regjisorin e mërguar Jirí Weiss (një prej të mbrojturve më të njohur të Weiss, Miloš Forman, do të bëhej më pas një prej fqinjëve të Roth në Warren). Kur Roth u kthye në Pragë një vit më pas, Weiss i dha një palë xhinse amerikane për t’ia çuar së bijës. Kur nuk shkruante romane, shpjegon Blake, Roth i kushtohej ndihmimit të disidentëve çekosllovakë. I ishte bërë paksa makthi i tij.
Përpara se Roth të kthehej në Pragë në pranverëne 1973, Liehm i dha emrat dhe numrat e telefonave të shkrimtarëve çekë si Rita Klímová, një përkthyese që kishte kaluar 7 vite në Upper West Side të New York, ku i ati, Stanislav Budín, kishte drejtuar një gazetë në çekisht. Klímová ishte martuar me Zdenek Mlynar, një anëtar i kabinetit të Alexander Dubek. Klímová e prezantoi Roth me shkrimtarin Ivan Klíma, i cili jetonte në rrethinën prageze të Nad Lesem me të shoqen Helena dhe dy fëmijët. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Klíma dhe familja u patën shpëtuar për mrekulli 4 viteve internim në Theresienstadt, një kamp për hebrenjtë çekosllovakë që bazistët e paraqisnin si një geto me qeverinë e saj, kampi i vetëm nazist ku Kryqi i Kuq mund të hynte. Klíma, “që dukej një Ringo Starr intelektual”, thoshte Roth, kishte dhënë mësim në Universitetin e Michigan gjatë pushtimit të vitit 1968, por zgjodhi të kthehej në vendin e tij, ku refuzoi të redaktonte shkrimet në mbështetje të Pranverës së Pragës.
Ju ndalua kështu botimi, merrej rregullisht në pyetje dhe i jepeshin vetëm punë të thjeshta; gruaja e tij, shkrimtare dhe psikoterapeutiste, u katandis të punojë si daktilografiste, ndërsa fëmijëve nuk i lejohej të shkonin në shkollë, deri sa i ati të pranonte se ndërhyrja sovjetike kishte qenë e nevojshme dhe të pranonte ta ndihmonte qeverinë në “normalizimin” e vendit. Klíma do t’i zbulojë Roth se Kafka ishte ndaluar nga regjimi komunist jo prej kritikave ndaj pushtetit dhe burokracisë që përcillen nga romanet e tij, por “sidomos pse vepra e tij është ajo e një shpirti ql refuzon të kolonizohet”.
Në vitin 1963 Kafka u bë praktikisht mbledhësi i “aktivitetit intelektual subversiv”: Bashkimi i Shkrimtarëve Çekosllovakë organizoi një kongres në të cilin u diskutua për veprën e tij, e ndaluar si “antirealizëm dekadent”. Kurt Hager, anëtar i Byrosë Politike të Berlinit Lindor, qe ndër të parët që zbriti në origjinën e “Pranverës” në një kuvend të zhvilluar më 1963 në Liblice dhe i organizuar nga reformisti Eduard Goldstucker. Kafka u akuzua se ishte Kali i trojës për të “injektuar sionizëm në socializëm” dhe për të shkelmuar dogmat themelore e marksizëm – leninizmit. Qe vetëm në vitin 1988 që Kafka do të rishfaqet nëpër libraritë e Pragës.
Person non grata, Klíma u dërgua të punojë si punonjës e pastrues spitali dhe në kohën e lirë shëtiste Roth nëpër Pragë që të vizitonte disidentë të tjerë që punonin si roje, fatorino apo, si Karol Sidon (kryerabin i Republikës Çeke pas Revolucionit të Kadifenjtë), si cigareshitës. Kështu thotë Zuckerman tek “Orgjia e Pragës”: “Punë e thjeshtë është bërë nga shkrimtarët, nga mësuesit dhe nga inxhinierët e ndërtimit. Gjysmë milion njerëz janë pushuar nga puna. Gjithçka është menaxhuar nga të dehurit dhe nga mashtruesit. Imagjinoni Styron që lante gotat në një bar në Penn Station, Susan Sontag që mbështjell paninet në Broadway, Gore Vidal në mensat shkollore të Queens…”.
Roth takon romancierin dhe gazetarin Ludvík Vaculík, një tip i pakrehur me mustaqe dhe që Roth e përshkruan si një “Solzhenicin çekosllovak”. I privuar nga leja për të udhëtuar apo botuar, Vaculík kishte lançuar një shtyp samizdat, Edice Petlice, që shpërndante fshehurazi libra të daktilografuar. Kur autoritetet, të acaruara, i ofruan që t’ia rikthenin pashaportën dhe t’i jepnin biletën për t’u larguar përgjithmonë nga vendi, Vaculík refuzoi. Kishte qenë protagonist shumë aktiv i “Pranverës së Pragës”, duke hartuar veç të tjerash të famshmin “Manifest prej 2000 fjalësh”. “Kavjet”, romani i tij i jashtëzakonshëm, u ndalua në Pragë. Raporti më i ngrohtë i Roth qe me Kundera, të cilin e kishte takuar në drekë. “Kam mësuar vlerën e humorizmit gjatë periudhës së terrorit stalinian”, i tha Kundera, që mendonte se mund t’i njihte shpirtërat e afërt nga mënyra sesi qeshnin. Ajo e Roth i pëlqeu menjëherë. Roth lidhi miqësi edhe me Vera Saudková, vajzën e Ottla, motrës më të vogël dhe më të pëlqyer të Kafka.
Duke kujtuar se Wystan Auden ishte martuar me Erika Mann, vajzën e Thomas, për ta ndihmuar që të arratisej nga Gjermania naziste, Roth u ofrua të martohej me Saudková, por ajo e refuzoi (do të thotë Roth, duke bërë shaka, se “ishte duke pritur një ofertë nga John Updike”). Roth ndjenjte një afërsi edhe për të vrazhdin Jií Mucha, që komunistët e kishin arretsuar si “spiun” dhe dënuar me punë të detyruar në minierat e uraniumit. “Para”, u përgjigj Klíma, kur Roth e pyeti se për çfarë kishin më shumë nevojë shkrimtarët disidentë. Kështu që i dha mikut amerikan një listë prej 14 personash (Roth shtoi Klíma për t’i bërë 15), që kishin përfunduar në varfëri për shkak të persekutimit zyrtar. Roth propozoi një “Fond ad hoc”, në bazë të të cilit çdo disdenti i caktohej një homolog amerikan: një romancieri një romancier, një historiani një hstorian, të cilit t’i dërgoheshin 50 dollarë në muaj.
Roth përfitoi nga bashkëpunimi i miqve si Arthur Miller (që ndihmoi dramaturgun Milan Uhde), Saul Bellow, Joyce Carol Oates dhe Gore Vidal. Pjesa më e vështirë ishte të organizohej shpërndarja e fondeve, që kërkonte një çikë fshehtësi, prej frikës se mos qeveria çekosllovake zbulonte natyrën e transaksionit. Në këtë rast, paratë do të konfiskoheshin dhe destinatarët do të ndëshkoheshin. Roth gjeti një agjenci të panjohur udhëtimesh hungareze në Yorkville e specializuar në dërgimin e dhuratave për persona prapa Perdes së hekurt dhe kalonte shumë orë në muaj duke hartuar dokumenta për t’i bërë paratë, në formën e bonove dhuratë, të dukeshin se vinin nga anëtarë familjesh çekosllovake në New York.
Ndërkohë, Roth përndiqej kur shkonte në Pragë. Policia sekrete çekosllovake (StB) ndiqte “një të panjohur rreth të 40-ave, i gjatë 1 metër e 75 centimetra, i hajthëm, fytyrë të gjatë, flokë të zinj e të rrallë, syze… me një hartë të Pragës në dorë…”. Duke qenë se Roth ishte gjithmonë në Pragë me një vizë turistike, rastit ju vu emri “Turisti”. I shpifur nga jeta në socializmin real, Roth do të shkruajë: “Mbizotërojnë ritet e zakonshme të degradimit: shkëputja nga identiteti personal, shtypja e individit, frika… E papritura është norma, ankthi është rezultati. Zemërimi ka një monotoni djegëse… delirin maniakal e të qënit në pranga… e gjerb tiraninë bashkë me kafenë. Makina e pamëshirshme traumatike e totalitarizmit shfryn më të keqen e armatimit të saj. Ishte e ndaluar të publikoje, të mësoje, të udhëtoje, të vozisje një makinë, të zgjidhje si të fitoje për të jetuar”…
Një ditë teksa po kthehej nga një ekspozitë e tmerrshme arti sovjetik, dy plicë e ndlauan Roth në rrugë dhe i kërkuan dokumentat (pashaportë, vizë, kartë hoteli). I thanë që t’i ndiqte dhe Roth refuzoi. Kur njëri kërkoi ta kapë, Roth nisi t’u ulërijë në anglisht e në frëngjisht kalimtarëve në pritje të një trami: ishte qytetar amerikan dhe, në rast se policia do ta arrestonte, do t’i duhej t’i denonconte në ambasadën amerikane. Kështu Roth arriti të hipë në një tram. U ndal në një kabinë telefonike dhe i telefonoi Klíma. “Philip, po kërkonin të të frikësonin”. Vizita e tij e fund përfundoi me një arrestim të vërtetë dhe të nesërmen ju desh ta linte vendin. Një student disident, Jan Kavan, i shkroi Roth për llogari të çiftit Klíma, duke e këshilluar të mos kthehej në Pragë deri në një njoftim të ri, pasi do të vinte në rrezik personat që më shumë dëshironte t’i ndihmonte. “Çfarë bën Roth këtu në Çekosllovaki?”, kishte pyetur ndërkohë policia çiftin Klíma. “Nuk i lexoni librat e tij?”, u përgjigj Klíma, duke u tallur me regjimin. “Roth është këtu prej vajzave”.
Të paktën tre shkrimtarë të shquar çekë – Miroslav Holub, Bohumil Hrabal dhe Jií Šotola – kishin vendosur të rivendikonin qytetarinë e plotë duke i rrëfyer publikisht “gabimet” e tyre. “Normalizimi” po jepte frutet e tij. Me kthimin e tij në Shtetet e Bashkuara, Roth do të jepte njw përmbledhje të plotë të “metodave të epokës staliniane” të tilla për “Washington Post”. Policia sekrete qëndronte e ulut në tavolina përkrah tij nëpër restorante, “duke mësuar kështu, shpresoj, për letërsinë amerikane bashkëkohore dhe barcaletat e vjetra hebraike”, do të nënvizonte Roth.
Kërkesat për vizë nga ana e Roth në 12 vitet e ardhshme u refuzuan të tëra dhe arriti të kthehej në Pragë vetëm në shkurtin e 1990. Takoi menjëherë Klíma. E paralajmëroi mikun për rreziqet e kulturës së masave, banale dhe komerciale në Perëndim. Zinxhirët e një sistemti autoritar janë të qarta, ato të një shoqërie të “lirë” më të pabesa dhe të buta: autori jeton nën tiraninë e filisteizmit, të opinionit publik dhe të “shijes së mirë”. “Ke luftuar për diçka prej kaq shumë vitesh, diçka për të cilën ke nevojë si ajri: tani të them se ajri për të cilin ke luftuar është helmuar pak”./(nga Il Foglio)/ bota.al
ObserverKult