Kim Mehmeti, u nderua me çmimin ndërkombëtar letrar “Azem Shkreli” për kontributin në letrat shqipe, në edicionin e 19-të të këtyre takimeve të mbajtura më 13 e 14 qershor në Pejë.
Në arsyetimin e Këshillit organizativ të Takimeve Letrare Ndërkombëtare Azem Shkreli, në përbërje të Aver Husaj-përgjegjës i departamentit kulturës, Ilire Zajmi-Rugova, Entela Kasi shkrimtare, Vjollca Dibra dhe drejtoreshës së bibliotekës së qytetit të Pejës, Shengyl Kelmendi, thuhet se “Ky çmim i jepet Kim Mehmetit, pasi ai është rrëfimtar i lindur, i cili nuk u nënshtrohet shablloneve, por i dorëzohet qëndismës së lëndës së vet rrëfyese. Proza e tij është vleresuar e veçantë dhe tërheqëse. Fati, si peshore e jetës, është ai që përcakton krijimtarinë e këtij autori”.
Në ceremoninë e ndarjes së cmimit, drejtoresha e kulturës në komunën e Pejës , Xhenet Syka, tha se Peja vazhdon të nderojë figurën e bardit të poezisë Azem Shkreli, përmes organizimit të takimeve letrare ndërkombëtare duke sjellur emra e vlera të cilët krijojnë ura përmes letërsisë e fjalës së bukur poetike.
Çmimi për poezinë më të mirë të lexuar gjatë takimeve, iu nda Abdullah Zenelit për poezinë “Azemin nuk e pashë më”.
Çmimi “Lirika e Azem Shkrelit “ iu nda poetit turk Mesut Shenoll.
Poetja Vlora Konushevci, mori çmimin “Kalorësi i poezisë” ndërsa çmimi “Pajtimi “ iu nda poetes boshnjake Mirsada Bibic Shabotic .
Me Çmimin për kontribut kombëtar u nderua ambasadori i parë i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, dhe Pen Qendra e Shqipërisë.
Gjatë dy ditëve Peja u shndërrua në epiqendër të ngjarjeve kulturore, me promovime librash, lexime poetike e promovime vlerash.
Fituesi i çmimit europian Enkel Demi, promovoi romanin “Flama”, i cili tashmë është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Në këtë vazhdë ishte edhe promovimi i romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” i Jusuf Buxhovit, i cili u prit me interesim nga të pranishmit.
Libri “Misioni i parë “ i ambasadorit të parë të Kosovës në Uashington, Avni Spahiu u prit me vëmendje nga libërdashësit. Ashtu si dhe promovimi i librit “Peja” të profesorit Gazmend Rizaj.
Gjatë dy ditëve të takimeve, u promovuan edhe dy përmbledhje me poezi, të autorëve Nikolin Gurakuqi e Bukurie Buçpapaj.
Poet pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia e veriut, Shqipëria morën pjesë në këto takime. Përveë poetit turk Mesut Shenol, poettët e huaj nuk arritën të vijnë për shkak të pandemisë, por dërguan poezitë e tyre përmes videove. Sheng Xue, Osman Ozturk, Chathrine Graham, Chen Hsiu –chen, Kurt Gostentschnig, Polly Munkova , Marina Pratici dhe Eva Petropoulou ishin ftuar të jenë pjesë e këtyre takimeve.
ObserverKult