Xhevdet Bajraj, shkrimtari shqiptar që jeton në Meksikë, në një intervistë rrëfeu për jetën dhe karrierën artistike. Ai foli edhe për krijimtarinë dhe librin e tij të fundit “Me zemër në qese najloni”.
“Me zemër në qese najloni” ka lindur shpejt sepse realiteti në Kosovë, Meksikë e tërë botën puna e pandemisë thjesht më nxorri me zor këtë, sidomos situata politike në Kosovë që tek mërgimtarët ka një peshë më të madhe pasi përgjigjet me nostalgji dhe malli”, tha ai i ftuar në Ora 7 në Klan Kosova.
Ky është libri i parë që ai shkruan vetëm në gjuhën shqipe teksa librat e tij i shohim dygjuhësh ‘për të gjetur një pikëtakim’.
Prej 21 vitesh poeti Xhevdet Bajraj jeton në Meksikë, një zgjedhje në fakt e imponuar siç është shprehur në një intervistë më herët për ‘Diaspora Shqiptare’, që për të është si ajo “pjata me shalqi, mollë a dardhë, mbi të cilën është hedhur spec djegës”.
Lidhja e tij me vendlindjen, Rahovecin por dhe viset kosovare e shqiptare ështe gjithmonë e gjallë. Rahoveci për të është kërthiza që e lidh me mëmëdheun dhe që vazhdon t’i ushqejë shpirtin. Viti i shkuar ishte i pari që nuk mundi të kalojë pushimet këndej botës, por kjo verë e gjen atë në vendlindje.
“E keqja është se edhe po të mund të kthehesha në atë ditë, do të vendosja njësoj”, thotë ai për Meksikën, vendlindjen e realizmit magjik, një magji që thjesht mund të shihet me sy, mund të preket me dorë.