Nga: Enkel Demi
Zwack Unicum ishte një farmacist hungarez, i cili sajoi një shurup për kollën. Ua jepte të sëmurëve të shëronin kollën, se atje bën bajagi ftohtë, aq sa në malet e Pukës. Njerëzit e pëlqyen aq shumë shijen e këtij shurupi të ëmbël dhe të hidhur sa nisën ta pinin edhe kur nuk vuanin nga kolla. U bë pije shumë popullore me thënë të drejtën. Kur komunistët shtypën në vitin ’56 të ashtëquajturin “revolucion hungarez”, Unicum-i iku në Zvicër. E bëri dhe atje pijen e tij prej erzave të malit. Pas rënies së Berlinit bashkëatdhetarët e tij e mbajtën mend dhe e kthyen këtë pije në tokën e tyre. E shesin në një shishe bufalaqe me një kryq të kuq farmacie në mes. Natyrisht, herën e parë që shkela në Budapest u bëra rrumbull me të, ndërsa nuk i qëndroja dot ngasjes së shijes së ëmbël dhe të hidhur njëkohësisht.
U bënë 14 vjet që nuk vë një pikë alkooli në gojë, por Unicum-i më kujtohet sa herë lexoj poezitë e Xhabir Tabakut. Është e njëjta shije. Kur ai vargëzon për nanën e vet që qëndron në qoshen e shtëpisë me Kur’anin në dorë unë këndellem në atë paqe shpirtërore të ëmbël që mban erën e kafes që piqet në hirin e tymarit. Por, e gjithë kjo skenë idilike vishet me skamjen e shtëpisë së largët, e cila hidhërohet edhe më në acarin e dimrit.
Kur ai vargëzon për dashurinë e njomë rrugëve të Londrës gjej zemrën plot, të mbushur me ngazëllimin e asaj ndjenje që jo të tërë kanë privilegjin ta provojnë, por ndërkohë lagështia e shiut që rigon është duke më therrur në asht.
Xhabir Tabakun nuk e kam takuar kurrë, por i lexoj poezinë dhe besa mendoj që e ka fort të bukur, të arrirë, njerëzore dhe të ngulur thellë në rrënjët e tij, të cilat ushqehen në baltën e kësaj toke, nga e cila jemi bërë ne të dy.
Njeriu ishte baltë dhe baltë do të bëhet. Hyji e gatoi, Hyji ka me e marr. Poezia e Xhabirit sipas meje na rrëfen pikërisht këtë; njeriun e baltës.
Para pak ditësh ka ardhur me një vëllim të ri poetik. Mendoj se kjo është një ditë feste për të gjithë ne që dëshirojmë jetën, që ëndërrojmë jetën, që e hidhërojmë jetën.
LEXO EDHE: Xhabir Tabaku: Un nuk ika prej teje!