“Stacioni” dhe “Deti i natës”, libra që ftojnë për lexim

Në vazhdim ju prezantojmë dy libra të rinj, të cilët tashmë janë në duar të lexuesve.

Nga Fitim Nuhiu

Autor: Shkëlzen Halimi, 
Libri: STACIONI (dramë), 
botoi Sh.b. “Konica”, Shkup, 2021

Shkëlzen Halimi është një nga shkrimtarët më të veçantë të letërsisë shqiptare që krijohet në Maqedoninë e Veriut.

Tashmë i dëshmuar në poezi, prozë e publicistikë, dramë, veprat e të cilit me sukses janë në inskenuar në Shkup, Tetovë, Prizren, Kumanovë e gjetiu.

Vepra më e re e tij, “Stacioni”, është në kornizat e stilit të tij të njohur: ironizimi i qasjes së gabuar ndaj politikës, historisë, kulturës dhe shumë gabimeve tjera, të cilat i bën shoqëria shqiptare në përgjithësi.

Pra, “Stacioni” është dramë për shoqërinë shqiptare, në të cilën marrin pjesë optimistët, pesimistët, por edhe ata që vuajnë për të kaluarën. Është dramë mbi zhgënjimin, mashtrimin, dramë për idealistët, të cilët, edhe pse jetojnë në një realitet tjetër, akoma mendojnë se idealet e tyre janë shpëtimi i popullit.

Dramë, në të cilën duket se me mjeshtëri është kombinuar fryma kafkaine dhe beketiane, sepse bëhet fjalë për një pritje të trenit, i cili në momentin kur ata duhet të jenë të gatshëm të hipin në të, atyre u ik… Padyshim se drama si gjini letrare paksa më e vështirë gjithsesi duhet përkrahur më shumë, sepse letërsia jonë, përkatësisht dramaturgjia, ka shumë zbrazëtirë pikërisht për shkak të mungesës së dramës origjinale…

Kapërcimi i detit
Autore: Neviana Shehi, 
Libri: DETI I NATËS (poezi), 
botoi Sh.B. “Konica”, Shkup, 2021

“Deti i natës” është një vepër mjaft interesante, një vepër midis poezisë haiku dhe poezisë standarde, por e mbështjellë me shumë elemente filozofike, që herë- herë, thjesht të lënë pa frymë.

Deti si lajtmotiv i këtij libri është në funksionin e metaforës, është në funksion të dhimbjes, sepse edhe vetë autorja e ka kapërcyer, por gjithnjë kokën e ka mbajtur prapa, duke e shikuar bregun e vendlindjes, që në fakt do të shndërrohet në bregun e dhimbjes. 

“Deti i natës” ofron një lexim shpirtëror, një lexim që lë mbresa të thella, sepse pikërisht heshtja e detit të natës në fakt është zëri që kumbon dhe që dëgjohet thellë në subkoshiencën tonë.

Edhe më kumbues bëhen vargjet e Nevianes që i këndojnë edhe detit të saj që s’shter asnjëherë në kujtimet plot dhimbje e dashuri.

ObserverKult