Nënokja qe me nam të madh në atë trevë. U jepte dum punëve. Këshillonte, udhëzonte, parashihte. Ndihte ata që donin të hiqnin variçet, puçrrat, gurët e tëmthit; gjithashtu merrnin zgjidhje çështje si shkelja nga xhindët, mosmbetja me barrë, kurorëshkelja, mosmarrëveshje pronash- mendja e saj lypsej përherë.
Fuqitë e padiskutueshme të nënokes i ranë në vesh një të riu në mes të tridhjetave. Fuoristrada e tij e shpuri deri aty ku rruga qe e kalueshme. Pjesën e mbetur të rrugës e përshkoi në këmbë.
I kollarisur e tërë sqimë, sapo mbërriti te hyrja, nxorri një shami dore dhe fshiu djersët. Mori frymë dhe me këmbën e djathtë hyri brenda.
Ndriçimi i odës sa vinte e shuhej. Kishte një ngrohtësi të thjeshtë zanafillore. U ul ngadalë përballë plakës dhe ia hapi zemrën.
“Kërkoj Dashurinë nënoke. Atë vrull jetësor që e ka bërë njeriun këtë që është dhe që e ka sjellë njerëzimin këtu ku është. Dashurinë e përrallave, idealen. Dashurinë e vërtetë, Dashurinë e madhe, Dashurinë sublime kërkoj. Ku mund ta gjej?”
Nënokja e dëgjoi me vëmendje. Sapo përfundoi i riu, u mbush me jetë dhe dashuri në çdo pore të trupit. Sytë i shndritën fort. Si një nënë e dhembshur, duke vazhduar ta shihte të riun në dritë të syrit, ia përshkoi faqen me dorën e saj dhe i tha:
“Gjetkë bir, gjetkë!”
ObserverKult