Vargjet poetike në dialektin gegë për Donika Dabishevcin, në librin “Kam me ardhë si deka”, janë sfidë apo metodë për të përshkruar një ndjenjë të akumuluar ku standardi gjuhësor nuk arrin të shkëlqejë apo zbehet para aktit të krijimit?
Nga Mërgim Bekteshi
Kjo pyetje më shumë është sfidë për linguistët e studiuesit e stilistikës, por, unë them se poezia në dialektin gegë perceptohet më ndryshe apo siç thotë populli “të ther më fort”, diçka që të bën ‘m’u ndie’ më origjinal, kur gjërat thuhen me pak fjalë, më troç. Ky shkrim nuk është ndonjë analizë gjuhësore a letrare, por mendime të një lexuesi të poezisë shqipe.
Në vitin 2015, Shtëpia Botuese OM u përkujdes të botonte librin me poezi “Kam me ardhë si deka”. Donika Dabishevci, poete kosovare tejet e veçantë, përmes titullit të librit manifeston një kanosje, jo ndaj rendit juridik, por diçka më alegorike, edhe pse vargu i fundit është një katapult plot shkatërrim, jo si vdekjet romantike, apo si atëherë kur akti heroik tendoset në mendjen e luftëtarit:
M’dhimesh,
se tokën nër kambë
kam me ta luajtë!
(fq.111)
Libri përbëhet nga katër kolona, që lexohen si mendime e meditime të ndryshme: Diellore, Krue i lumnisë, Varr ofshamash dhe Kam me ardhë si deka. Romancieri dhe studiuesi i letërsisë, Gëzim Aliu, të katër ciklet i portretizon si: “katër pjesët e një rrëfimi sa personal e intim, aq edhe lirik e artistik’’, duke i bashkuar me gjendjet emocionale: joshjen, bashkimin, ndarjen dhe dhimbjen.
Në përsiatjen e parë, Diellore, autorja ndalon të trupi i vetëm qiellor, pa të cilin mendimi për jetën është i pamundur. Krahas diellores, shfaqet volumi i mallkimit, por edhe i mallit, si në poezinë Dashnisë së nji nate dhe kundruall saj Mllefosun hana n’ty. Është modeli i një poezie më ndryshe, unike në stil dhe gjuhë, që reflekton edhe një gegnishte më të veçantë, pandehmë në vetë, porosi që të kërkon me qiri dhe pishë, si p.sh.:
Kam me t’dashtë
si bukën e nanës,
si n’ngrohtit e diellit,
si dritën e hanës.(fq. 23)
Pra, një simbolikë shumë e çmuar e dashurisë, një besë që garanton kontratën për jetën e mirë, që ngjan me një rreze diellore. Por, kjo simbolikë di të shthuret, kur jeta fillon të bëhet e vështirë. Dashuria mbetet vetëm kontratë dhe kur nuk preket nga themelësia e shpirtit, atëherë poetja shprehet:
Krejt pezmin e jetës
n’ty kam me e kthy
e tërbueme,
hienë,
kam me t’thy,
kam me t’çky.
(fq. 23)
Dhe, me një emërues të përbashkët bashkon ekuivalencën:
Kam me t’ba me dashtë jetën,
kam me t’ba me pa dekën.
(fq. 24)
Në përsiatjen e dytë, Krue i lumnisë, fabula shkon drejt aktit tjetër të lumturisë, por me disa rezerva, masë jo e mjaftueshme për dashurinë, e prekur nga sedra, mungesa e fuqisë, marrëveshje jo të kënaqshme që duhen pranuar, simbiozë për të kaluar një rrugë që reflekton në varg:
Lem me gërmue çmendurisht n’ty
e noto ashpër brenda meje,
t’nihemi as mi as nën dhe.
(fq.67)
Kolona e tretë dhe e katërta paraqesin çelikosjen e poezisë së Dabishevcit, vdekja është një armaturë që mbështjell trupin e mishtë, për të krijuar pasiguri apo, siç thotë Philippe Aries: “Vdekja e përdhunonte të gjallin”, një kohë kur jeta me vdekjen jetojnë në një barkë të vetme. Në këtë sfond ngjyrash, kush më shumë e kush më pak, mëshirës para vdekjes i kontribuon edhe vargu:
Ksaj vjeshte t’prarueme
mos i jep ngjyrë morti
shebojat mos t’marrin kujën
mjegulla le t’bjen për qef t’vetin
shiu le t’qafet për gzim me tokën
(fq.91)
Është pasiguria e njeriut, por drejt vetëvrasjes ngurron (vetëmbytëse) një gulçimë që përshkruan syrin e njeriut pranë, sëmundjen e hënës për të dalë në sfond, dashurinë e plakur që gërmon të kaluarën, kujtesën e zbehur për ditët e lumturisë, sepse armatura e vdekjes ka shtrënguar trupin e mishtë. Ky album ngjarjesh predikon luftën drejtuar qyqarëve duke ruajtur dinjitetin:
S’jam për kuvend e rrëfime burrnore
s’jam maru prej esencash hyjnore
s’muj keshi zori kur zemra m’kan.(fq.99)
Ndoshta në tërë këtë luftë në mes të jetës dhe vdekjes, kjo e dyta rrezikon me mprehtësinë e saj shkallën e lartë të vetëbesimit, asaj i përkulen edhe më të fuqishmit, por poetja luan vals me vdekjen.
Poezitë e këtij libri nuk do të mund të kumbonin në standardin e shqipes, ato tingëllojnë bukur pos në gegnishte, edhe atë, në gegnishte kosovare.
ObserverKult
Lexo edhe:
Eros e Thanatos në poezitë e Donika Dabishevcit
“Kam me ardhë si deka”- Guximi i “çmendun” i ni grueje, në Kosovën e narrativës së odës së burrave
Emrije Krosi: Metafora e “dashurisë moderne” në lirikën e Donika Dabishevcit
Erosi i gjëmshëm, në poezinë e Donika Dabishevcit
Ana e errët e artit, (Donika Dabishevci, “Dashnisë së nji nate”, Bard Books, Prishtinë, 2020)