Ana e errët e artit

(Donika Dabishevci, “Dashnisë së nji nate”, Bard Books, Prishtinë, 2020)

Nga Ag Apolloni

Poezia vazhdimisht është parë si një komunikim i figurshëm, kurse poezia shqipe shpesh është fiksuar pas figurativitetit aq sa e ka harruar komunikimin. Poezia e Donika Dabishevcit komunikon me lexuesin nëpërmjet shenjave primordiale të dashurisë, ndërsa figurën e hedh mbi trupin e ligjërimit jo për ta mbuluar, por për ta dekoruar. Pra, ajo është poezi e permanencës: komunikative si një zë i egër mes qytetërimit, ndërsa dekorative si një femër primitive, që ‘vishet’ me figura për hir të rruazave, jo për shkak të turpit.

Ky lloj i komunikimit është jo thjesht sfidues, por skandalizues, për dy arsye: së pari, për shkak të erotizmit ekstrem; së dyti, për shkak të artikulimit gjinocentrik. Pra, jo vetëm për çka e si e thotë, por edhe sepse e thotë një femër, një grua. Përderisa motivet dhe stili janë zgjedhje artistike e kulturore, pozicionimi i subjektit folës ngrihet mbi baza biologjike e natyrore. Këtu, struktura poetike vjen si rezultat i një strategjie estetike, që nuk e kthen poezinë në manifest, apo program, por ia rikthen asaj zërin e lashtë, apo jehun e egërsisë, si fakt i përhershëm mbi barazinë e ndjenjave dhe mbi nevojën e përmbushjes së mungesave të trupit dhe shpirtit. Dashuria nuk shfaqet sipas klisheve të butësisë shpirtërore, por si një sadomazokizëm dhe joshje trupore. Gruaja e kësaj poezie josh, puth, kafshon, bërtet dhe godet. Po ashtu, mallkon, kërcënon dhe sulmon. Burri para saj nuk është i mbrojtur, por i ndrojtur, si para një ushtrie me flamuj të shpalosur.

Verbi si shenjë që përbëhet nga shënjuesi dhe i shënjuari, në poezinë e Donikës është dyfish antiskematik: si shënjues e shpërfill standardin gjuhësor që është skemë zyrtare, kurse si i shënjuar shkakton përfytyrime skandaloze në mendjen e lexuesit. Nëse verbi në vetvete është arbitrar në relacion me objektin, ai kthehet në shenjë të motivuar në relacionin mes dy gjysmave të saj. Shënjuesi dhe i shënjuari udhëhiqen nga i njëjti qëllim: ta sfidojnë gjuhën dhe ta sfidojnë mentalitetin. Krejt ajo që ndodh në këtë libër është vetëm një akt tekstual, por meqenëse fjala ka edhe vlerë pamore, përveç asaj tingullore, atëherë duket sikur krejt çka ndodh këtu është akt seksual. Provokimi nuk qëndron te vokabulari, se të gjitha fjalët e këtij libri mund të gjenden edhe në tekste të shenjta, por te selektimi dhe situimi.

Gjuha poetike është një ëndërr e koduar. Leximi i poezive nënkupton dekodimin, përderisa lakmon komunikimin. E, leximi si dekodim e çliron kuptimin. Pra, leximi i këtyre poezive mund të shihet si shprehje e subkoshiencës së subjektit lirik, apo si libido që nënkupton lirizmin. Impulsi seksual shfaqet si dëshirë për pushtet, dhe këtu ai që turret është subjekti femër. Por ky është një pushtet ndryshe nga ai politik dhe s’është e thënë që i pushtetshmi të qëndrojë lart për të qenë i lumtur. Madje, vetë sulmi për të pushtuar artikulohet si sulm që kërkon të realizohet njëkohësisht si dominim dhe nënshtrim, çka është e mundshme vetëm në dashuri.

Pra, gjuha si ëndërr, ëndrra si dëshirë, dëshira si pushtet, pushteti si nënshtrim, dhe kështu vazhdon cikli i jetës deri në pambarim. Pikërisht në çastet kur duket se kjo poezi mund të kthehet në një program a manifest, poetja e heton grackën e instrumentalizimit të artit dhe i shmanget me një zhvendosje qëndrimi dhe ndërrim tonaliteti. Për të, gruaja s’ka arsye të jetë më poshtë se burri, përveç në rastet kur kjo i sjell kënaqësi. Dhe këtu qëndrojnë ironia dhe revolta e poetes, e cila, duke e shpërfillur pabarazinë eventuale, kërkon telosin ideal, ku dominimi dhe nënshtrimi bëhen të barasvlershëm.

Relacioni grua – burrë në këto poezi është relacion seksual, por seksi, edhe pse akt lakuriq, nuk është i zhveshur nga kuptimi. Ai shfrytëzon banalitetin për t’u ngritur në diçka më të lartë, në kuptimësim të jetës, vetë kontinuiteti i së cilës do të ndërpritej pa një ndërveprim të tillë trupash. Nëpërmjet një imazhi të pastër erotik, subjekti lirik reflekton mbi objektin e vet të dëshirës, duke ia njohur atij ekzistencën edhe në distancë, ndërsa esencën vetëm gjatë aktit të përbashkët. Jashtë meje nuk ekziston, i thotë subjekti (ajo) objektit (atij). Sipas asaj (që s’është domodosdoshmërisht poetja, por është krijesë e saj dhe mund ta përfaqësojë atë vetëm aq sa e lejon krijuesja), burri është ekzistencë që kthehet në esencë vetëm kur është brenda saj. E kjo që, kur lexohet në syprinë, duket sikur banalizim, në fakt, është sakralizim i jetës, sepse është e vetmja mundësi për vazhdimësi të saj. Sugjerimi poetik mbetet ky: ekzistenca e dikujt merr kuptim atëherë kur s’është vetëm për veten, por edhe për tjetrin. Humanizmi s’është ndryshe, veçse këtu shfaqet lakuriq.

Poezitë e këtij libri janë krijuar mbi relacionin unë – ti, ku veta e parë është grua, kurse veta e dytë burrë. Në raste të rralla, veta e dytë kthehet në vetë të tretë, kur subjekti lirik i tregon lexuesit, ose ‘rivales’ për objektin e vet, çka do të thotë se linja e drejtë e komunikimit transformohet në trekëndësh. Veta e parë është: Evë, Helenë, Penelopë, zanë, bishë e vampir. Ndërsa, veta e dytë është: Adam, Parid, Uliks, i dobët, i keq, i marrë. Është e vetëkuptueshme që para dashurisë zhbëhen kohët dhe kulturat, mbesin vetëm dy polet magnetike që tërheqin njëri-tjetrin. Epitetet me të cilat apostrofohet burri, janë fjalë të defamiljarizuara nga kuptimet fillestare. I dobët ka më shumë kuptimin e butësisë materiale, jo të karakterit, i keq ka kuptimin e bandillit, ndërsa i marrë domethënë i kapluar nga dashuria, nga ndjenja pasionante, e cila e turbullon arsyen, pra e bën njeriun të marrë.

Ky libër ka tri tema: luftën, lirinë dhe paqen. Të trija janë të shkrira në temën e dashurisë. Lufta është e natyrës erotike, liria është heqje e prangave etike, kurse paqja është herë shpërfillje ndaj fjalëve të të tjerëve, herë çast mobilizimi për luftë lakuriqe. Siç thuhet në një varg të këtij libri, fushëbetejë e kësaj lufte është shtrati. Kështu, kredoja e subjektit lirik të Donikës është e ngjashme me bindjen e një personazhi të Mario Vargas Llosa-s, i cili thotë: Dijeni njëherë e mirë dhe tmerrohuni njëherë e përgjithmonë: i vetmi atdhe që thellësisht e nderoj është shtrati në të cilin shtrihet gruaja ime.

Gruaja e këtyre lirikave të libidos është ajo që i përmbys stereotipat dhe që flet duke ftuar, urdhëruar, mallkuar, premtuar dhe kërcënuar. Ajo është një femme fatale, por përtej klishesë. Sipas saj, rasti ideal, për t’i thënë çastit ndal, është akti seksual, është lufta erotike, që vjen si nxitje lirike, por manifestohet si duel epik: Due me t’pas’ krejt/ t’zhveshun deri n’asht/ e me vlu’/ e me u shkri’/ me shpërthy’/ e me kenë e lumtun / veç që jam n’kët’ botë/ veç që jam me ty/ sall për kët’ çast/ kam me luftue deri n’frymë t’fundit. Ajo realizohet e sublimohet në çastin delirant të bashkimit: unë kam me shndrit veç me ty mrena.  

 Për të, ideale është lufta, jo paqja: dashninë kemi me e ba luftë/ e luftën dashni. Kjo përmbysje e konceptit të luftës, që nuk nxitet nga urrejtja, por nga dashuria, dëshmon autenticitetin interpretues të poetes, alter egoja e së cilës, sipas kritikës klinike frojdiste, do të mund të shihej si një paciente e posaçme, ndërsa, sipas konceptit onirik të Joseph Addison-it, do të mund të shihej edhe si psikoterapeute e vetvetes dhe regjisore e lojës së saj, përderisa kur shpirti ëndërron, ai është njëherësh teatri, aktorët dhe audienca.

E, se çfarë është, në të vërtetë, poetja dhe gruaja e krijuar prej saj, kjo mbetet mister, meqë mister është edhe vetë dashuria, e cila këtu shihet e pandashme nga egërsia: I panjohun mund t’jetë/ veç çasti që mblatoi/ kët’ joshje t’egër

Diskursi i Donikës është i mbushur me kërcënim, por ky kërcënim, që vjen pashmangshëm si vdekja, në vend të vdekjes e sjell lumturinë: kam me t’ba me dashtë jetën/ kam me t’ba me pa dekën. Kjo luftë, e motivuar si tërbim nga etja, shfaqet si dëshirë e libidos së gruas, e cila zgjedh shprehjen shokuese për ta artikuluar nevojën instinktive në vargjet e saj emblematike: due me ba tuj kanë/ n’nji shkretinë t’paanë

Duke u marrë me instinktin, kjo poezi nxjerr jo vetëm anima-n, apo arketipin e shpirtit femëror sipas Jungut, por edhe animale-n, ose pjesën kafshërore të njeriut, prandaj herë pas here kjo grua lirike (që është grua e lirë) e konsideron veten bishë. Vetë fakti që ajo është e vetëdijshme për bishën brenda vetes, tregon se ajo mund të ngrihet sipër botës animale, vetëm se nuk gjen arsye për ta bërë këtë, kur dihet se qenia racionale ka prirje ta gjejë kënaqësinë edhe në katastrofa. Së këndejmi, kjo poezi, duke marrë në mbrojtje strategjinë animaliste, apo duke u pozicionuar në anën e instinktit, shfaq edhe një lloj revolte ndaj racionalizmit, i cili ka arritur ta hedhë dritën jashtë e larg, por s’ka arritur t’i ndriçojë skutat brenda e thellë.

Në këtë libër, liria është mënyrë ligjërimi dhe mënyrë jetese. Fjala është ajo që vë botën në lëvizje, pra edhe botën e brendshme të një gruaje: asht fjala ajo/ që gjakun ma ban me vlue. Shpirti që vlon ka nevojë për liri e kjo liri s’falet, por fitohet: jam unë/ tu e puthë lirinë/ lirinë që e kam marrë/ lirinë që s’ma kanë falë.

Kështu, koncepti i lirisë këtu shfaqet si rezultat jo i një lufte kundër një gjinie, por i një lufte kundër një mentaliteti. Gruaja lirike i kundërvihet botëkuptimit klishe mbi moralin, mbi frerët etikë, apo mbi frenimin, duke ia vënë përballë shfrenimin: përplasma trupit lakuriqësinë. Ajo e tematizon eksplorimin seksual, duke e kthyer në lajtmotiv vetë trupin e saj. Si mënyrë ideale e shprehjes së kësaj écriture féminine është teknika e rrjedhës së ndërdijes, ku ajo vetërrëfehet dhe shpalos identitetin e vet në relacion me tjetrin, të cilin e sheh si krue t’lumnisë, si person që e bën të ndihet grua, si person që u nënshtrohet kërkesave të saj për ta eksploruar dhe çliruar trupin e pushtuar nga epshi. Tjetri nuk është zotëruesi i saj, por lodra në duart e lojtares së etur për lojë. E, është pikërisht etja ajo që lojtaren e nxit të bëhet vetvetja. Etja, apo epshi, zgjon bishën brenda saj, e kthen atë njëfarë nimfomaniake, prandaj afrimi i saj s’ka asgjë romantike: Nisem drejt teje si drejt preje. Ajo e pranon me dëshirë kultin fallik, por e refuzon vendosmërisht diskursin fallogocentrik. Kjo është një shenjë tjetër dalluese e kësaj poezie, që i harmonizon dëshirat shpirtërore me ato trupore.

Poezia dallon nga proza, si vallja nga ecja, thoshte Paul Valery. Përderisa ecja është normalitet, vallja nuk është e tillë. Prandaj edhe gjendja poetike nuk është normalitet. Pikërisht kjo gjendje jonormale kthehet në inspirim të këtyre poezive, të cilat e shfaqin vazhdimisht hipersekstualitetin si ikje nga normaliteti. Lexuesi ekskluzivisht i prozës do të pësojë marramendje gjatë leximit të këtyre poezive. Ndërsa, lexuesi i poezisë, i familjarizuar edhe me fjalorin e kritikës moderne, ku nuk janë të huaja as sperma skripturale dhe jouissance, në këto poezi do ta gjejë kënaqësinë e tekstit.

Realiteti poetik i këtij libri është një sintezë realitetesh, me domethënie të fshehur, me nuanca kuptimore, me metamorfoza gjendjesh e trupash. Një realitet kaq proteik s’ka si të mos jetë realitet onirik: Gjithçka asht andërr, shpirti jem,/ nji andërr e bukur, një andërr e keqe/ merre si t’dush, njilloj asht.

Cila është andërr: jeta apo poezia? Sipas kritikës psikanalitike, çdo tekst poetik duhet ta shohim si ëndërr të poetit. Sipas Calderon de la Barca-s dhe Poe-s, vetë jeta është ëndërr, ku ne shohim edhe ëndrra të tjera. Paul Groussac e shpërfill dallimin mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, pasi që pajtohet me mendimin e Shekspirit se ne jemi bërë nga i njëjti brum si ëndrrat.

Ndërsa, sipas Freud-it, ëndrra është dëshirë. E, në qendër të këtyre poezive është dëshira, pra ëndrra. Ëndrra shfaqet si dëshirë e shtypur, kurse këtu dëshira shfaqet si ëndërr e shfrenuar. Me këtë motivim është vendosur edhe titulli i librit: dashnisë së nji nate. Dashnia si dashje, si dëshirë, kurse nata si kohë e ëndrrës.

Çfarë nate, çfarë ëndrre?, mund të pyesë lexuesi. Nji andërr e bukur, nji andërr e keqe/ merre si t’dush, njilloj asht, do t’i përgjigjet poetja, duke i lënë hapur shtigjet e interpretimit, sepse statusi i teksteve të saj nuk është lisible, por scriptible. Nëpërmjet tyre, poetja ligjëron mbi përjetësinë e përnatshme personale, se, siç thotë Borges, çdo njeriu ëndrra i fal një përjetësi të vogël.

Donika Dabishevci është autore e familjarizuar me teoritë letrare dhe format poetike dhe do ta kishte më lehtë të vazhdonte të shkruante sipas rrymës. Mirëpo, ajo ka zgjedhur ta sprovojë veten duke ecur xhunglës së shpirtit dhe anës së errët (apo të ëndërrt) të artit, për ta sfiduar lexuesin që është mësuar të ecë shtigjeve të shkelura. Ëndrrat janë krijime të pastra estetike, pa fije etike brenda. Prandaj, përmes strukturës së shenjëzimit onirik, Donika trazon, eksperimenton dhe refuzon skemat e standardet, në gjuhë, në letërsi dhe në shoqëri./ ObserverKult