Nga Ervin Qafmolla
“Kur pata nji lule t’bukur
Thashë se do ta kem përherë.
Iku fluturoi si flutur
Edhe s’mujta me i marr erë.”
Ndodh shpesh që muzika folklorike, ndoshta ngaqë na është e shumëdëgjuar apo edhe ngaqë rezonon në nënvetëdije një farë prapambetjeje të paragjykuar, kalon pa u vënë re nga shumë prej dëgjuesve bashkëkohorë. Muzika dëgjohet pa u ndjerë, ndërsa teksti është objekt shpërfilljeje, në mos përtalljeje. Por nëse ndalemi dhe e hetojmë objektivisht, ka aty shumëçka për t’u vlerësuar.
Le të merremi me veprën në fjalë, me autor Isuf Myzyrin nga Elbasani. Isufi ka qenë shkrues tekstesh, kompozitor, violinist, këngëtar dhe drejtues i grupit të vet muzikor. Ai ka lënë thesare të paçmuara në repertorin e muzikës shqiptare.
Me tre martesa të dështuara dhe i dëbuar edhe prej një tarikati dervishësh për “sjellje të pahijshme” – me gjasa gej – Isuf Myzyri ka ditur të zgjojë më delikatin e tingujve në një rrafsh sa ndjesor edhe intelektual.
Të hetojmë pra, tekstin e një prej këngëve më përfaqësuese të Shqipërisë së mesme: “Kur pata një lule t’bukur”. Në përsosmërinë e saj, lulja është e përkohshme.
Është një bukuri e rrallë, së cilës i shtohet vlera edhe nga natyra e saj efemere. Si e tillë është një ftesë për të soditur, admiruar dhe përsiatur magjinë e së përkohshmes së idealizuar në këtë botë kalimtare. Lulja, në vetvete, është një himn erotik që i kushtohet Tempullit më të Lartë të Bukurisë.
Por Isufi përtërin gja kimin njerëzor për përjetësi, kur thotë: “Thashë se do ta kem përherë”. Në këtë mënyrë, që në zanafillë të këngës, ai ndërton kontekstin tragjik të dashurisë së pamundur.
Përballë dëshirës së pangishme për përjetimin e pasionit – një alegori e vetë jetëve tona të fundme – autori sjell artifaktin sfilitës të pasionit të pakohë. Gjakimet tona shënojnë kah pafundësia, por vetë objekti i kësaj dëshire është, mjerisht, i fundëm.
“Iku fluturoi si flutur” shënon zhvillimin tejet elokuent të kësaj tragjedie. Një shpalosje e flatrave – metamorfozë – e së pamundurës, e cila nuk (thjesht) përfundon në mënyrë të atypëratyshme dhe ndoshta, banale, por sugjeron për nga transformimi elegant dhe i mistershëm.
Kështu, lulja nuk vyshket dhe vdes. E shndërruar në flutur, ajo merr drejt horizonteve të reja, të pakapshme nga imagjinata jonë. Ende objekt i kësaj dëshire, por tashmë me cilësi të reja edhe më të parrokshme, lulja-flutur simbolizon adhurimin ngashëryes të zemrave tona për prekjen e së pamundurës së dëshiruar.
Por, Isufi, është më delikat se kaq. Ai thotë: “Edhe s’mujta me i marr erë”: Prekja është e vrazhdë dhe vulgare. Aroma nuk është e tillë, por është edhe më shumë se kaq. Është intime. Ky intimitet bëhet i pamundur në formën e tij ideale, pikërisht prej përkohshmërisë së gjërave që duam.
I duam deri në vdekje, por prej vdekjes nuk i arrijmë. Mes lules së përkohshme dhe dëshirave tona të përjetshme, gjërat përmbysen. Lulja fluturon si flutur, në përjetësi. Ndërsa gjakimi ynë shuhet bashkë me ne.
Ashtu si japonezi Kiko shkruajti shekuj më parë në poezinë e tij të vdekjes:
“Ajo çka çel
vyshket – fati i mishit
në këtë botë lulesh.”
ObserverKult
—————————-
Lexo edhe:
SHKELZEN JETISHI & KASTRIOT TUSHA: KUR PATA NJË LULE T’BUKUR (TEKSTI DHE KËNGA)