Unë ju akuzoj!
Nga Mario Galice*
Letra e mësuesit italian Marco Galice shkruar për drejtuesit e programeve më të njohura televizive në Itali që janë formate të ngjashme me “Big Brother” “Love story”, “Përputhen”.
Mësuesi shkruan;
“”Barbara D’Urso, Maria De Filippi, Alfonso Signorini, Alessia Marcuzzi dhe gjithë ushtrinë e këtij ferri.
Unë ju akuzoj se jeni ndër fajtorët kryesorë të dekadencës kulturore të vendit tonë, barbarizmit të tij shoqëror, korrupsionit dhe grreyerjes morale, destabilizimit mendor të brezave të rinj, varfërimit etik, shtrembërimit arsimor të fëmijëve tanë.
Ju, me televizionet tuaja groteske e vulgare, me programet tuaja plehra, spektaklet tuaja artificiale, false, mashtruese dhe pseudo, keni kontribuar (në vetën e parë dhe pa skrupuj) në dekadentizmin e mijëvjeçarit të tretë.
Ju jeni bashkëpunëtorë dhe promovues të vetëdijshëm të këtij procesi pervers mediatik që ka rrënjosur bindjen e një vetërealizimi bazuar ekskluzivisht në pamjen e jashtme, në kërkim të famës, suksesit dhe bukurisë, në kërkimin e vazhdueshëm të klikimeve, për ndërtimin e asaj që të tjerët duan dhe jo atë që ne jemi.
Ju keni kultivuar vrazhdësinë, injorancën, varfërinë morale dhe kulturore si modele të marrëdhënieve shoqërore.
U keni dhënë famë personazheve injorantë dhe pa edukatë që nuk kanë vlera, nuk kanë kulturë e as moral.
Ju keni frikë nga të diplomuarit shkëlqyeshëm, nga ata që studiojnë dhe investojnë në kulturë. Ju jeni investuar në përshkallëzimin e arratisë nga vendi të të irrituarve prej programeve tuaja me aktorë rruge.
Unë flas si mësues, që shoh nxënësit të imitojnë në mënyrë të egër arrogancën, gënjeshtrën, pamjen e jashtme, provokimin, vrazhdësine që përhapin personazhet e televizioneve tuaja.
Realiteti i trishtuar që ju përhapni ngjall te nxënësit e mi, te ata që nuk përshtaten me atë që ju na prezantoni, mungesë besimi për të ardhmen, frikë, hutim, izolim. Dhe si shpërblim marrin margjinalizim dhe tallje.
Unë si mësues shoh qindra nxënës të sillen si replikantë të personazheve të turpshëm që mbushin programet tuaja, për t’u përpjekur të jenë si ata.
Unë ju akuzoj, sepse ju jeni personalisht përgjegjës për të gjitha këto.
Shpresoj në shkatërrimin tuaj profesional dhe zhdukjen tuaj mediatike, sepse vetëm këto mund të jenë ndëshkimet e duhura për dëmet e pariparueshme që i keni shkaktuar këtij vendi”.
*Marco Galice, mësues në Itali
Letra e shqipëruar nga Ilir Çuçi
ObserverKult
LEXO EDHE: LETRA E TRISHTË, SHKRUAR NGA NJË PLAKË QË BANON NË NJË AZIL PËR TË MOSHUAR PA DËSHIRËN E SAJ