Arti Lushi: Poezia është një lëvozhgë arre ku u përmbyt Atlantida

Arti Lushi

Ti flet për dashurinë me një theks të ngrohtë ungjillor,
Për dashurinë platonike, poetike, atë të romaneve.
Thua: ”Poezia është një lëvozhgë arre ku u përmbyt Atlantida”
Më përmend ca kopila të Zeusit të panjohur ende nga mitologjia
Mjaltin dhe frutat i blen në tregun e fshatarëve.
Përgjumësh qesh e flet; oh, s’e ke idene sa,
Por në veshët e mi vjen si tambure hadike që rreh nga thellësitë e oqeanit
Përzier me vrundullimën e dy luanëve që ruajnë portat e Gjumit tënd
Buzëqeshjen e ndan në racione të përpikta;
Në mëngjes vetëm pak, në darkë sa një hap kaprolli.
Babai të vdiq kur po dëgjoje metamorfozën e Gregor Samzës orën e letërsisë
Dhe, po atë natë, shkruajte në kapakun e pasëm -të përparmë- të Kur’anit
Plot njëzeteshtatë qëllime që duhet të përmbushësh në jetën tokësore.
Ke alergji nga fjalët “perfekte, alergji dhe nga krejt alfabeti i fishkëllimave…
Nuk beson tek idealet, tek politika, tek Njeriu.
Ndjek parimin “trup i pastër-shpirt i pastër”,
“Shpirt i pastër- Mendje e pasur”.
Nga fëmijëria e hershme mban mend vetëm se ke ngrënë xixëllonja
Përgjatë zallit në fshatin e gjyshes lëverebardhë dhe një thashethem se,
Me kulloshtër ushqehen arixheshkat që rrëmbejnë kalamajtë e pabindur.
Të vjen inat përse Puçini nuk lindi poet.
Të vjen keq edhe për Orfeun
( çunin e lagjes të cilit nuk i doli viza për në Greqi)
Zahiri im.
Heshtja jote ka kripë, dru pishe dhe aromën e atyre broshurave fetare.
Ti
Je Paqe.
Paqe e mbushur me zjarr.
Masha që e cyt at’ zjarr
Sythi i pare i të parës stinë-zanafillë
Ambrozia e fundit
E përkëdhelura e të Dielave
Ti
Syri i thellë i Kleopatrës ku rri ngujuar mohimi i katërt i Pjetrit.
Unë
Qëndroj përballë teje dhe pyes veten a të kam njohur mjaftueshëm

ObserverKult

Lexo edhe:

ARTI LUSHI: BURRAT MË TË MIRË SE UNË