Rrëfimi me lot në sy i Tinka Kurtit: T’i vijë keq atij burri që më la me një djalë…

Aktorja e njohur Tinka Kurti u shfaq e emocionuar por plot gjallëri në promovimin e librit “Ditari i një bashkëshorti”, ku vjen ditari i bashkëshortit të saj Palokë Kurti, në një libër të Anila Memës, që sjell rrëfime, shënime dhe imazhe nga rolet e Tinkës ndër vite.

“Në librin ‘Ditari i një bashkëshorti’ do ta njohim Tinkën tonë në një tjetër dimension, në dimensionin njerëzor, atë të njeriut artist, me të pathënat e saj, me përjetime e ndjesi të thella, me dëshmi e rrëfime të sinqerta të pazbukuruara, për të treguar jetën, atë jetën e paskuintave që spektatori as nuk e sheh dhe as nuk e njeh”, tha Anila Mema.

“Ishte e zorshme të merreshe me art. Do kishe shumë llafe pas. Filja ishte jeta ime, ai rol ishte shumë”, tha e madhja Tinka Kurti.

Teksa kujtoi bashkëshortin e saj, i vetmi çast kur aktorja “Nder i Kombit” përlotet, është kur kujton të birin, të ikur herët. Me forcën e dhimbjen e nënës, me sytë e kristaltë ajo rikujton fjalën e fundme që i tha të birit, pa mundur ta marrë me vete .

“Janë emocione të jashtëzakonshme të jetës sime. Im shoq iku herët. E kam thënë gjithmonë, duhet t’i vijë keq atij burrit tem, që më ka lënë me një djalë, (përlotet) por unë pata fatin e keq me humb edhe djalin. Ai iku më i ri… Janë çaste të jashtëzakonshme të jetës sime, sa kam qenë shumë trimneshë edhe me dhimbjen e djalit. I jam afruar tim biri, në arkëmort dhe i kam thënë: biri im, shpirti i nanës, nuk të marr dot se nuk më vjen dot, por më kanë ndihmuar njerëzit, më ka ndihmuar Shqipëria”, tha ajo.

Të pranishëm në promovim, Ministrja e Kulturës e Shqipërisë dhe Kreu i Bashkisë së Tiranës, vlerësuan shembullin e aktores së njohur.

“Tinka ka guxuar shumë dhe më lër të them dhe një fjalë: Për mua të ndash kaq shumë nga vetvetja duke nxjerrë të gjitha mendimet e tua, të mbrëmjes, me bashkëshortin, çdo mendimin tim dhe çdo mendim të sinqertë, të pastër, do guxim”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti.

“Unë besoj që ky libër është një himn, është një monument, është një piedestal për Tinkën, por ndoshta dhe një lloj manuali, për të gjithë ata që janë aktorë”, tha kryebashkiakut i Tiranës Erion Veliaj.

Në promovimin e librit të Tinka Kurtit morën pjesë aktorë, regjisorë e emra të njohur të artit, që herë kanë punuar me të e herë janë frymëzuar prej saj. /balkanweb.com

____________________

Lexo edhe:

RRËFIM RRËQETHËS, TINKA KURTI FLET PËR HUMBJEN E DJALIT

ObserverKult