“Hajredin Pasha o po i vjen o Radikës…”, këndon Albina Kelmendi (teksti dhe video)

Ju ftojmë të dëgjoni kënduar nga Albina Kelmendi, këngën e famshme “Hajredin Pasha”

Hajredin Pasha o po i vjen o Radikës
Vallë o ku janë o, kto malet e Dibrës

Vallë o ku janë o mor kto malet e Dibrës
Bajnë o kuvend more, n’fushë o t’Gjoricës

N’fushë t’Gjoricës o more te kalaja
Hajredin Pashën e ka gjetë belaja

Se belaja pashën që e ka gjetë e
Malet e Dibrës more kanë lidhë Besë

Kanë lidhë besë, mor kanë lidhë o te tanë
Turkut Dibrën o mos më ja lanë

Hajredin Pasha o mor kryhutaq
S’lidhet Dibra more me kërbaq

Hajredin Pasha ku e ke o ushtrinë
Malet e Dibrës o more mi kanë gri

Malet e Dibrës oh more mi kanë gri
Nuk janë pak o morë por dymbëdhjetë mijë…

ObserverKult

degjo edhe:

“HAJREDIN PASHA”, VARIANT NGA AURELA GAÇE

Lexo edhe:

Kënga e Hajredin Pashës është një kenge trimerie qe evokon Kryengritjen e Dervish Carës në malet e Dibrës në 1843-1844.
Historia tregon se Hajredin Pasha, komandant turk, pësoi disfatë në luftë me shqiptarët, në mesin e shekullit XIX. “Në betejën e vitit 1844 kundër ushtrisë turke, me komandant Hajredin Pashën, gjithë Dibra luftoi me heroizëm e me një vendosmëri të madhe, sa që edhe gratë efëmijët qenë të rreshtuar me luftëtarët e lirisë dhe pavarësisë”.

Përfaqësuesit e kryengritësve thirrën në nëntor 1844 kuvendin e tyre në Fushë e Gjoricës, që u drejtua nga Sheh Mustafa Zerqani. Në kuvend u vendos të mbroheshin të drejtat e autonomisë lokale, që popullsia gëzonte prej kohësh.

Kuvendi i bëri thirrje për t’u bashkuar me kryengritësit dibranë edhe popullsisë së krahinave të Kosovës, të Mirditës, të Elbasanit e të Gjakovës, ku Porta po mblidhte forca për t’i hedhur kundër tyre. Gjatë muajit nëntor 1844 kryengritësit dibranë e matjanë, të komanduar nga Cen Leka, u zunë rrugën ushtrive osmane të komanduara nga Hajredin Pasha.

Por përballë forcave numerikisht të shumta turke dhe të pajisura me artileri kryengritësit u tërhoqën në luginën e lumit Drin. Ndërkohë, Hajredin Pasha, për t’i përçarë shqiptarët, shpalli se të gjithë ata që do të dorëzonin armët, do të liheshin të lirë dhe se nuk do të rekrutonte nizamë.

Ky premtim zuri vend te një pjesë e krerëve, por shumica e tyre e vazhdoi qëndresën. Luftime të ashpra, që zgjatën 5 ditë të tëra, u zhvilluan në nëntor në fshatin Gjoricë, ku krahas burrave luftuan edhe gratë e fëmijët.

Ato përfunduan me humbje të mëdha për të dyja palët e sidomos për ushtrinë osmane. Megjithatë, falë epërsisë numerike e teknike, ushtria osmane, pas luftimesh të përgjakshme, i detyroi kryengritësit të tërhiqeshin nga pozitat e tyre.

Për t’u hakmarrë forcat osmane dogjën fshatra të tëra, të braktisura nga fshatarësia, e cila largohej për t’i shpëtuar terrorit të egër të ekspeditës osmane. Ndonëse kryengritja e sanxhakut të Dibrës u shtyp, Porta e Lartë u detyrua ta përjashtojë këtë krahinë nga reforma ushtarake deri në vitet 50 të shek. XIX, po ashtu si trevën e Shkodrës.

ObserverKult