Manjola Brahaj: T’kam lypë

t'shtifsha manjola brahaj t'kam lypë

T’kam lypë
prej ditës kur jam pa n’pasqyre
e për herë t’parë m’ka hy vetja n’qejf.
Mandej kur shkretina e mungesës
zuni rrajë n’mue, kam thirrë emnin tand
e shkambi m’i ka kthye mbrapsht
copat e zanit tim t’gjakosun.

T’kam lypë natën vonë e veshun me dritë.
Dritares kam kqyrë,
me t’prishë gjumin shekullor
prej andrrash t’mykun gjymtyrëve
mbushë me ankth mashkullor.
Kam ndejë deri n’agimin buzëhangrun
me rrethin e syve t’ramë
e prapë nuk ia behe.
jam ulë në nji rrugë t’pa emën,
ranë e kam ba gurin e mitit që pata besue
e prapë nuk ke ardhë
as me u vetmbrojtë,
as me u dorëzue.
Kam pi venën e territ shekujsh t’rujtun
bodrumeve t’shpirtit
e nuk m’u ke fanitë.

T’kam lypë deri sonte
që po shkruej përçart
lidhun për fyti me do tinguj,
që lypin kupën e Zotit n’të me u mbytë,
pa peng n’fyt
shpejt
sa nuk janë çmendë krejt…

ObserverKult