Robinson Jeffers: Syri

robinson

Atlantiku është një hendek i stuhishëm; ndërsa Mediterani është

Liqen i kaltër në kopshtin e moçëm,

Më shumë se pesë mijë vjet ka pirë sakrificën e

Anijeve dhe gjakut, dhe prapë shkëlqen në diell; por këtu është Pacifiku –

Anijet tona, planet, luftërat janë përsosshmërisht irelevante.

Bile as gjakmarrja e jonë e tanishme me xhuxhët trima

Dhe as një zënkë botërore e perëndimorizimit

Dhe lindorozimit të njeriut, migrimet e mallkuara, lakmia për pushtet, përleshjet e

besimeve –

S’janë gjë pos një grimcë pluhuri në pjatën e madhe të peshores.

Këtu nga ky vend bjeshke, kep përtej kepit të stuhishëm

            që zhytet posi delfinat nëpër mjegullën e kaltër të detit

Në detin e zbërdhulët  – shih djathtas pirgun e ujit: është gjysma e planetit: kjo

kupë e qiellit, ky gjysmë glob, kjo kokërdhokë

E dalë e syrit të ujit, e harkuar sipër Azisë,

Australisë dhe Antarktikut të bardhë: ato janë qepalla që kurrë nuk mbyllen;

            ky është sy zgurdullues i pafjetur i

Tokës; dhe atë që është duke parë nuk janë luftërat tona.

Përktheu: Fadil BAJRAJ

ObserverKult