Fustani i Ronelës: Kopje? Flet eksperti i të drejtave të autorit

Fustani i Ronela Hajatit në tapetin e Eurovision Song Contest, përpos të qenit pretendenti kryesor për t’u shpallur si veshja më e mirë në një sondazh të Wiwibloggs. Është gjithashtu ndoshta më i komentuari për momentin në rrjete sociale. E gjitha nisi nga pretendimi i një artisti që akuzoi ekipin e këngëtares. Në vijim të këtij të artikulli do të detajojmë më konkretisht çështjen.

Stilisti Niko Komani, në një video-bisedë në “Wake Up” 7, foli për konceptin e fustanit të veçantë të Ronelës.

“Secili do të sjellë një vizion ndryshe, siç edhe unë me Ronelën kur fitoi festivalin e fundvitit jemi ulur dhe kemi diskutuar dhe donim të sillnim diçka ndryshe, pa përfaqësuar askënd. Ishte një përfaqësim dinjitoz i Ronelës. I imi dhe i Festimit [Festim Isufi, dizajner], të tre bashkë, asgjë tjetër. Unë e kam parë si një vepër arti. Doja të dukej si një vepër arti, si një vepër që do të jetë në muzeum,” tha ai.

Fustani i Ronelës: Kopje? Flet eksperti i të drejtave të autorit

“Ngjan si mozaik i një kishe ortodokse, është vendi i dashurisë, vendi i gjithçkaje. Te printi ka flamuj të shteteve. Kjo është ideja, që ne jemi ulur dhe kemi involvuar gjithë Eurovizionin në një veshje. Një veshje që ‘jo e pamë diku dhe e sollëm në versionin tonë’, por një veshje që ka qenë mbase më e mirëmenduara se veshjet e tjera. Është gjithçka që është totalisht për Ronelën dhe për dashurinë që ka për të gjithë,” shtoi Komani.

Siç e lexuat, në asnjë moment nuk përmendet artisti i huaj. Kush është ai? Quhet Pedro Leopoldo, është ilustrator i @pedraols – arkitekt, 23 vjeç nga Rio Claro/Sao Paolo, Brazil. Përmes disa postimeve, ai njoftoi duke pretenduar se krijimi e tij është marrë pa dijeninë e tij. Dhe nuk i kanë dhënë meritën që i takon.

Fustani i Ronelës: Kopje? Flet eksperti i të drejtave të autorit

Nga hulumtimet e Anabel, rezulton se Pedro Leopoldo e ka krijuar ilustrimin në vitin 2020 për konkursin The Eco Ball. Organizuar nga SOD (School of Drag), një konkurs arti online. Tema e ilustrimit ka qenë “Ndotësit”. “Doja [të përcillja] një ndjesi të rëndë, prandaj vendosa shumë pëlhurë, krijova këtë veshje plot shenja, duke e mbuluar me shenja nga fundi i veshjes deri në majë,” ka shkruar ai për konkursin.Fustani i Ronelës: Kopje? Flet eksperti i të drejtave të autorit

Anabel kontaktoi me stilistin Niko Komani dhe dizajnerin Festim Isufi, por nuk iu përgjigjën kërkesës për koment. Për një informacion më të detajuar për këtë çështje, Anabel kontaktoi me Daniel Kordhonin, CEO i COPYRIGHT SAS, me seli në Paris, Francë, i cili është Përfaqësues Ligjor Ndërkombëtar për Pronësinë Intelektuale ku përfshihet e Drejta e Autorit, Markat, Dizenjot Industriale dhe Patentat.

A mbrohen me ligj punimet individuale, të tilla si piktura, skica, ose ilustrime në rastin në fjalë?

D.K: “Patjetër që po, mbrohen sipas ligjit të së Drejtës së Autorit në çdo shtet ku artistët jetojnë. Shtetet së bashku kanë nënshkruar një marrëveshje e cila quhet Konventa e Bernës dhe automatikisht e njohin atë vepër edhe në shtetet e tyre. Pra, nëqoftëse një artist krijon një vepër artistike në Brazil, njihet automatikisht dhe forcohet ligjërisht edhe në Shqipëri pa pasur nevojë ta regjistrojë atë.”

Po si e vërteton artisti nga Brazili se ajo është skicë e tij origjinale?

D.K: “Në fakt te Ligji i të Drejtës së Autorit dhe Konventës së Bernës nuk ke nevojë ta mbrosh apo regjistrosh diku veprën tënde artistike, mjafton vetëm të provosh ekzistencën qoftë edhe një ditë përpara se kundërshtari. Në momentin që e provon teknikisht dhe ekspertët e certifikojnë datën e cila është më e vjetër se kundërshtari, gjyqtari e ka të lehtë të vendosë drejtësi. Në rastin tonë, artisti ka marrë pjesë në konkurse kombëtare në vitin 2020 dhe ka postime në rrjete sociale përpara 2 vitesh.”

Fustani i Ronelës: Kopje? Flet eksperti i të drejtave të autorit

Nëse shohim me kujdes, disa elementë ndryshojnë mes ilustrimit dhe fustanit. A mos kemi diçka të ngjashme?

D.K: “Patjetër që kemi diçka jo të ngjashme, por identike!”

Kopje e pastër?

D.K: “Kopje nuk e di sa mund të jetë, sepse të gjithë artistët frymëzohen diku dhe mund të qëllojë që artistët janë frymëzuar të dy nga i njëjti burim, prandaj ngjashmëria është e lartë. Askush nuk e di të vërtetën. Fati i madh është që braziliani është frymëzuar i pari.”

Nëse është kopje, si vërtetohet dhe kush e vërteton?

D.K: “Nëse është kopje, shumë shtete kur përcaktojnë nëse dikush ka kryer apo jo shkelje të së drejtës së autorit, gjykatat përdorin një test të njohur si ngjashmëri thelbësore. Pra, nëqoftëse thelbi i veprës, tema, koncepti, ideja është e njëjtë.”

Kompani fast-fashion kanë printe, krijime dhe dizajne të ngjashme me kompani të mëdha luksoze të modës. Në këtë rast, a kemi të bëjmë me kopje?

D.K: “Mmm…unë luftoj produktet e falsifikuara çdo ditë, në të gjithë botën. Sa i takon Shqipërisë, Illyrian Bloodline dhe FSHF janë rekord për produktet e falsifikuara apo kopje të rreme ose të paautorizuara të produktit të vërtetë. Por janë vërtet produkte të falsifikuara, pra ekzistojnë si produkt, ka edhe origjinal edhe replika.

Ky rast duhet të distancohet nga termi ‘falsifikim’, pasi nuk është se ka ekzistuar si produkt në treg më përpara dhe kundërshtari e ka marrë, e ka falsifikuar duke e riprodhuar. Thjesht dizajni ka një ngjashmëri identike, të cilën nuk e zgjidhim dot ne si palë e tretë. Ka gjykata për këtë punë. Madje askush nuk e di nëse artistët kanë një marrëveshje dypalëshe.”

Fustani i Ronelës: Kopje? Flet eksperti i të drejtave të autorit

Pas bujës në rrjete sociale, stilisti Niko Komani dhe këngëtarja Ronela Hajati e kanë edituar postimin duke shtuar “fashion illustration”. Çfarë mund të nënkuptojë kjo?

D.K: “Nuk e dija, por kjo tregon dhe fakton ‘shkeljen’ ligjore (gjithmonë nëqoftëse ka) midis palëve.”

Kush është humbësi?

D.K: “Humbësi është artisti brazilian patjetër, pasi me atë talent, po të kishte dijen ligjore dhe mbështetjen juridike, mund ta shiste miliona euro te Versace, Gucci e brande të tjera si dizenjo.”

Po fituesi?

D.K: “Fituesi është sërish artisti brazilian, pasi fama e tij erdhi deri në Eurovision dhe në Europë, kontinentin e modës. Ndoshta kompani të mëdha të modës do të duan ta ndjekin talentin e tij.”/anabel


Lexo edhe:

PAS DËSHTIMIT NË EUROVISION, VJEN REAGIMI NGA RONELA HAJATI