Marsel Lela: Një grua shkon rrugës

Marsel Lela

Një grua
Shkon rrugës
E zhveshur me sy,
E puthur me sy,
E kafshuar me sy.

Me sy e masin,
E peshojnë,
I marrin masat e belit,
Vitheve,
Gjoksit,
Qafës.

Me sy i flasin,
Syrin i shkelin,
Me sytë katër
E kundrojnë
Atë që për ta parë
S’mjaftojnë një mijë sy.

Një grua
Shkon rrugës
E veshur
Sipas modës së saj.

Ndërron moti
Prej ndjesive
Që i shëtisin
Nëpër buzë,
Sy e faqe.

Kalushë persianë
Shëtisin formave
Të saj,
Ndalojnë oazeve
Ku etjeshuar
Turfullojnë
Me sytë mbi kodra.

Një grua
Shkon rrugës
Flladitshëm.

Kompozuar me psherëtima,
Parfumosur me fjalë,
Qëndisur me epitete,
Ajo është poezia
Që shkruhet përditë
Në antologjinë e udhëve.

ObserverKult

Lexo edhe:


REKOMANDIME LEXIMI NGA MARSEL LELA

Ja cilat janë tri librat që Marsel Lela u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

“Hija e erës”, Carlos Ruiz Zafon

Si një nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë dhe në pëlqimin tim më i miri, Zafon i ka lënë letërsisë botërore një thesar të paçmueshëm me veprat e tij. Ndër to spikat padyshim “Hija e erës”, një vepër e rrëfyer mjeshtërisht përmes një perdeje misteri që e mban frymën e lexuesit pezull deri në faqen e fundit të librit.

Ngjarjet zhvillohen në Barcelonën e vitit 1945, një qytet që ende po lëpin plagët e luftës. Personazhi kryesor, Daniel Sempere, djali i një tregtari librash të vjetër, i cili nuk arrin të kujtojë më fytyrën e nënës së tij, gjen ngushëllim tek një libër misterioz të titulluar “Hija e erës”, shkruar nga njëfarë Jualian Karaksi.

I interesuar për të gjetur më shumë libra të këtij autori, Danieli vihet në kërkim të veprave të tjera të tij. Por gjatë kërkimit ai bën një zbulim tronditës. Dikush e kishte bërë këtë përpara tij, por duke shkatërruar në mënyrë sistematike çdo kopje të çdo libri të shkruar nga Julian Karaksi.

Tekstin e plotë mund t’a lexoni KËTU