Nga Arti Lushi
Burri nga Elea propozon një garë midis Akil këmbëlehtit dhe breshkës; duke i dhënë kësaj të fundit një përparësi prej dhjetë metrash në start.
Zenoni argumenton gjithashtu se Akili nuk do t’ia kalojë kurrë breshkës për shkak se, atletit, që të mbërrijë breshkën do t’i duhet më parë të përshkojë gjysmën e rrugës, gjysmën e gjysmës, gjysmën e gjysmës së gjysmës, e kështu me radhë.)
Logjikisht, ky regressus in infinitum, e ndrydh personalitetin sportiv të Akilit deri në moslëvizje.
Dhe gara fillon. Breshka ecën, Akili jo. Ai qëndron në vend. Është ulur këmbëkryq dhe vëzhgon lëvizjen e breshkës. Erret. Breshka vazhdon garën, Akili e ndjek me sy. Del dielli. Breshka ndalon, për një çast kthen kryet dhe moslëvizja e tjetrit i duket mendjemadhësi e pahonepsshme, dhe vazhdon ecjen. Erret sërish, del hëna, del dielli, dhe nuk ka asgjë të re sa i përket dy garuesve.
Nuk dihet sa ditë, muaj a vite zgjat ky muhabet. Por nuk mund të zgjasë pafund prejse Natyra bën të vetën. Breshka ngordh.
Atëherë Akili ngrihet qetë-qetë dhe merr udhën për në shtëpi. Ai tashmë e ka fituar bastin me Zenonin dhe me perënditë. Paradoksi bie. Dialektika, nga e jashtme bëhet -është bërë tashmë- thelbësisht e brendshme.
Gara ka përftuar një përmasë të re, ashtu sikurse gjithçka tjetër.
Akili është shpërblyer me diçka pafundësisht më të madhe dhe më të shenjtë se lavdia që do mund t’i falte rrjedha e shekujve: Ai është përndritur.
Rrugës së kthimit ai var hijen e vet në degën e një peme dhe kridhet në lum. Duart dhe gishtat i përgjaken duke këputur manaferra. Gjumi e zë ndërmjet dy pemëve, nën qiell, dhe në ëndërr sheh gjithçka që do të ndodhë pasi të zgjohet:
Troja nuk shkretohet; Hektori i thinjur kremton dasmën e të nipit; Iliada dhe Odisea nuk shkruhen dhe asnjë nga lexuesit e tyre nuk vijnë në jetë; Krishti kryqëzohet gjithsesi por jo nga romakët; aborigjenët e përtej-Atlantikut zbulojnë Europën; ”revolucioni francez” nuk ndodh në Francë dhe jo aq vonë; Rusia pushton botën vetëm për 72 vjet (edhe pse gjatë kësaj kohe të gjitha kombet ishin në begati dhe në paqe pothuajse parajsore); njëfarë Darsilventien Gerome fiton çmimin Agnus (barasvlerës i çmimit Nobel) më 1984-ën… po atë vit një katastrofë natyrore shfaros mbi 40% të popullsisë botërore; një pedagog antropologjie dënohet padrejtësisht me vdekje; dikush me fytyrën tënde gatuan një omletë; dy të rinj puthen për herë të parë një të premte me diell, dhe dielli vazhdon të lindë nga Lindja, dhe…
Akili zgjohet, dhe gjëja e parë që bën: vihet në kërkim të një breshke të gjallë.
ObserverKult
Lexo edhe: