Është zbuluar një xhami e rrallë dhe një nga më të vjetra në botë

xhami

Një pasuri luksoze dhe një xhami e rrallë, ndër më të hershmet e njohura në botë (më shumë se 1200 vjet) u zbuluan së fundmi në qytetin Rahat në Negev.

Hulumtimi arkeologjik në shkallë të gjerë, i kryer nga Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit, ofron detaje grafike të tranzicionit gradual nga krishterimi në islam, që ndodhi nga shekulli i VII-të deri në IX-të pas Lindjes së Krishtit.

Noah David Michael në emër të IAA zbuloi ndërtesat me karakteristika të krishtera dhe islame që ishin të vendosura afër njëra-tjetrës.

“Zbuluam një shtëpi të kohës bizantine që me sa duket strehonte fermerë të krishterë dhe që përfshinte një kullë të fortifikuar, dhoma me mure të forta që rrethonin oborrin”, raportuan studiuesit.

“Në majën e afërt të kodrës gjetëm prona të ndërtuara në një mënyrë krejtësisht të ndryshme. Ato u ndërtuan njëqind vjet më vonë, në periudhën nga fundi i shekullit të VII-të deri në atë të IX-të, ose periudha e hershme islame”, pohoi ai.

“Ndërtesat e banimit, të ndërtuara me sa duket nga myslimanët, ishin të vendosura pranë oborreve të mëdha dhe të hapura. Shumë dhoma me argjilë shfrytëzoheshin për gatimin e ushqimit. Muret e këtyre ndërtesave ishin relativisht të holla dhe të ndërtuara me tulla balte”, thanë studiuesit.

Xhamia e hershme e fshatit, e para në llojin e saj, jep dëshmi të identitetit të banorëve.

Në gërmimet e fundit, të rinovuara, arkeologët janë befasuar kur zbuluan një xhami tjetër, e cila besohet se ishte ndërtuar afërsisht midis shekujve të VII-të dhe të VIII-të pas Krishtit. Xhamia përfshin një dhomë katrore dhe një mur me pamje nga Meka. Gjysmëhëna ndodhet përgjatë qendrës së murit me pamje nga jugu.

Këto veçori unike arkitekturore tregojnë se ndërtesa është përdorur si xhami. Ajo qëndron e vetme në atë vend dhe ndoshta është përdorur nga disa dhjetëra besimtarë myslimanë për lutje.

Xhamia ndodhet rreth 400 metra në jug të një ndërtese luksoze të ndërtuar rreth një oborri qendror. Ajo përfshin salla me trotuare guri, disa të shtruara me mermer dhe mure të zbukuruara me afreske të lyera me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë. Mbetjet e qeramikës dhe qelqit të imët, disa prej të cilave janë zbukuruar me vizatime bimësh dhe kafshësh, të zbuluara në ndërtesë, dëshmojnë për pasurinë e banorëve të saj.

“Dëshmitë nga të gjitha zonat e gërmuara deri më tani: banesat, shtëpitë e lutjeve, dhomat dhe veglat, hedhin dritë mbi fillimet e procesit historik që u zhvillua në veri të Negevit”, pohojnë studiuesit e IAA. /Telegrafi

——————————————

Lexo edhe:

PAS NJË SHEKULLI KËRKIMESH GJENDET NË EGJIPT TEMPULLI I ZEUSIT

ObserverKult