Në festën e Vitit të Ri tek ambasadori amerikan ngjau diçka që meriton vëmendjen e gjithë atyre që interesohen për çështje historiko-kulturore. Për herë të parë në Shqipëri një grua muslimane vallëzoi në publik.
Ishte po e njëjta grua, e cila as dy vjet më parë, në njërën nga festat e organizuara prej diplomatëve – asokohe tepër të pakët – rrinte në lozhën e mënjanuar, e rrethuar nga katër kujdestare dhe vërente nga larg atë, ç’ka për të ishte e ndaluar.
Sepse vallëzimi i gruas në publik këtu ende dënohet me ligj…
Zonja Bloshmi, bashkëshortja bukuroshe e një deputeti, dhe motra e saj kërcyen të pambuluara me ferexhe dhe të veshura me fustane të shkurtër Foxtrott dhe Shimmy me pasion dhe me hov deri përtej mesnatës. Më tre të mëngjesit, ndërsa vallëzonin të palodhura, dukej se dy të zgjidhurat nga vargonjtë ende s´po bëheshin të ndërgjegjshme, se shkundja e tyre e gjymtyrëve sinjalizonte ndoshta ardhjen e një epoke të re për Shqipërinë…
Efekti i këtij emancipimi qe i shumëllojshëm. Ndërsa një pjesë s´u çuditën dhe aq, duke qenë se zonja Bloshmi ka disa kohë që shfaqet e pambuluar në shtëpitë e botës, ambasadorit amerikan dukej se arritjet e përparimit, e lirisë dhe qytetërimit i shijuan veçanërisht. Ka tepër të ngjarë, që të ketë informuar me një telegram edhe Shtëpinë e Bardhë.
Shqiptarët pleq nga ana tjetër u ndjenë thellësisht të fyer. S’paskësh mbetur më gjë e shenjtë mbi dhe, menduan, duke u dridhur nga përfytyrimi i një Shqipërie të ardhshme me kapela dhe dansim, football dhe poker, me trarà burse dhe mish derri dhe me një ngutje dhe dalldisje të jetës, që deri dje rridhte e qetë dhe plot filozofi…
Tiranë, 3 Janar 1926
Kardorff (ambasadori gjerman)
(CAS – Arkivi italian. Përktheu Ani Wilmsi.
Përgatiti: Agim Morina
ObserverKult
Lexo edhe:
AGIM MORINA: AJ TUE DASHË ME MË BESU MUE, POR TUE MOS MUJTË ME…