Rrëfimi i të ndjerit, Hetem Qerimaj: Në Tiranë më solli Mehmet Shehu

In memoriam: Ikja e Paganinit shqiptar, Hetem Qerimaj

Nga: Xhevdet Shehu

I konsideruar pa asnjë mëdyshje si Paganini shqiptar, “Mjeshtri i Madh” i violinës, Hetem Qerimaj është ndarë nga jeta ditën e (par)djeshme.

Lajmin e trishtë e ka ndarë djali i tij, klarinetisti Fatos Qerimaj në rrjetet sociale.

“Të nderuar miq, me dhimbje ju njoftoj ndarjen nga kjo jetë të babit tim të dashur Hetem Qerimaj. Zoti e pranoftë në parajsë”, ka njoftuar djali i tij.

Hetem Qerimaj, i konsideruar si babai i dinastisë së muzikës, është ndarë nga jeta në moshën 95-vjeçare. Unë po them atë shifër të jetës së tij sipas vetë artistit. Dje, në njoftimin e ndarjes së tij nga jeta ishte shkruar shifra 88. Mendova: E ç’rëndësi ka! Hetem Qerimaj ka moshën e violinës! Kur të vdes violina, do të vdesë dhe artisti i madh!

Ai do të mbetet një artist mijëra vjeçar!

***

Unë pata fatin ta njoh nga afër dhe të ruaj disa kujtime nga ky artist i madh. E kishte shtëpinë e banimit jo më shumë se 30 metra larg zyrave të redaksisë së gazetës DITA. Thuajse çdo mbrëmje i shoqëruar me njërin nga djemtë, bënte një shëtitje për ndonjë gjysmë ore rreth e rrotull shtëpisë. Një mbrëmje e ndalova dhe e përshëndeta me përzemërsi duke e quajtur Paganin.

Atij i shkëlqyen sytë dhe më pyeti se kush isha. U ulëm në një tryezë te kafeneja “Te Niku” dhe aty vazhduam bisedën. Kur mori vesh se kisha mbiemrin Shehu, më pyeti: “Mos ke të bësh me Mehmet Shehun?”. Nga një krahinë jemi, ai nga Çorrushi, unë nga Hekali. Mallakastriotë jemi…” i rashë shkurt. Po edhe unë e mbaj veten për mallakastriot, më tha. Aman mos ma shani Mehmetin në gazetë, më tha me shumë seriozitet.

– Po pse, ç’punë ke ti me Mehmetin?, i thashë aty për aty.

– Sepse burrë më të madh se ai nuk i vjen Shqipërisë… Dhe, pasi u mendua pakëz, vazhdoi: – Unë isha me familjen në Gorishovë, në atë fshatin e mrekullueshëm dhe me njerëz të shkëlqyer afër Cakranit. I bija veglave muzikore, violinës sidomos, pas punës. Mblidheshin njerëzit e më dëgjonin si në shfaqje. Kënaqeshin. Ishte korrik nga mesi i viteve ‘50. Do festohej Poçemi, besëlidhja e Mallakastrës.

Do vinte vetë Mehmet Shehu në mbledhje. Më thirrën ata të partisë të rrethit e më thanë që t’i bija violinës para Mehmetit. I rashë dhe me marifet shikoja se si reagonte ai i madhi i Mallakastrës që ishte bërë i madh edhe në Tiranë. Ai ishte i kënaqur. Kishte pyetur më pas ata të mëdhenjtë e rrethit për mua. Mehmeti u kishte thënë se nuk duhej të rrija më në fshat. Na duhet në Tiranë, u kishte lënë porosi. Dhe ashtu u bë. Kujt ia mbante të mos zbatonte urdhrat e Mehmetit…

Luftar Paja, Artist i Popullit, u pikëllua shumë dje kur mori vesh lajmin e ikjes së Hetemit. Po ata kanë ndenjur në shtëpinë time në Gorishovë, më tha. I ndrittë shpirti, atij artisti t jashtzakonshëm! Ishin të tërë muzikantë të mrekullueshëm. Xhaxhai i tij ishte kovaç i fshatit. Kurse këta bashkë me Hetemin u binin veglave muzikore. Aheng, natë për natë! Fest! Hetemi i binte llautës, domethënë violinës dhe ne magjepseshim kur e dëgjonim… Pastaj, dihet se ç’ndodhi. Erdhi Mehmeti dhe i mori në Tiranë…

Nga ato që kam dëgjuar e lexuar për këtë artist të madh, po tregoj këtu:

“Në familjen time, ka treguar Hetemi, babai im ka qenë violinist dhe daja, klarinetist. Babai kur dëgjonte muzikë qante, kaq shumë e donte muzikën. Gjithë zona e Këlcyrës dhe Përmetit e donin shumë babanë tim se luante muzikë të një natyre që e përfaqësonte atë popull. Kur mbusha 7 vjeç më ra në dorë një mandolinë e vogël dhe me atë e nisa, duke shoqëruar babanë tim.

Pas luftës, luaja dhe këndoja këngët e dëshmorëve, në aktivitetet që zhvilloheshin në zonën e Mallakastrës. Më pas jeta ime me shumë fat, kaloi në një tjetër formë, e rregulluar dhe e sistemuar në kryeqytet. Në moshën 12-vjeçare, pak vite pas luftës”.

Mjeshtri i violinës thoshte se që në moshën 8-vjeçare ka marrë duartrokitjet e para, të cilat nuk u ndalën deri në fund të jetës.

Në Tiranë më sollën të mëdhenjtë, thoshte Hetemi. Ishte Mehmet Shehu ai që më shënoi emrin dhe më futën në Filarmoninë Shqiptare. Mbaj mend që më thanë se duam ta interpretosh muzikën me nota, mirëpo unë i bija ashtu siç e kisha mësuar, siç e ndieja. U thashë, po ngrihem se i kam lënë fëmijët pa bukë. U çuditën, dhe u shpjegova që bashkë me babanë tim jetonim me muzikën.


Aty këmbëngulën që të më mbanin dhe të mësonin. Ishin dy profesorët, Pjetër Gaci dhe Lam Petrela, që i kishin ndarë ditët për të më dhënë mësime në violinë. Kjo më ndihmoi shumë sepse ata ishin me kulturë shumë të madhe dhe unë përfundimisht u zhvendosa në Tiranë, madje duke më dhënë dhe të drejtën për të hyrë në Licé”, kujtonte Hetemi.

Sa i përket prirjes për ta transmetuar pasionin e muzikës te fëmijët, me kërkesën për ta na e treguar çelësin e suksesit, që e ka ngritur familjen në rangun e dinastisë, Ethemi tregonte se është krijuar dhe ka mbetur si dëshira e tij më e madhe, që kur lindi Fatosi.

“Që kur mbushi 7 vjeç i dhashë në dorë violinën, pasi doja që ta fusja në Licé, sepse me thënë të drejtën njihja njerëz që punonin atje. Mirëpo, pasi u mor ca kohë me violinë e pashë që kishte diçka që nuk shkonte dhe i dhashë klarinetën. Për 2-3 muaj ai gjeti veten me të, duke e mësuar aq mirë dhe e këshillova që të vazhdonte. Ai mbaroi Liceun dhe shkollën e lartë në Spanjë. Jam munduar më shumë për fëmijët të ndjekin këtë rrugë.

Vazhdonte Hetemi: “Kur i shoh spektatorët të kënaqur mbushem me forcë. Ndihem i lumtur kur dëgjoj duartrokitjet dhe fjalët e mira apo krahasimet me njerëz të mëdhenj të violinës, si Paganini etj. Por, tashmë kur dal përtej kufijve, dhe jo vetëm unë, por të gjithë pjesëtarët e familjes ne nuk kemi frikë. Nuk kemi frikë sepse ne i njohim dhe dimë t’i luajmë pjesët e tyre. Unë i kam shkruar dhe dëgjuar shumë pjesë muzikore, pothuajse të të gjitha vendeve”.

E kam ndjekur në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit mjeshtrin Hetem Qerimaj në violinë me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve dhe i kam shumë të freskëta emocionet që ngjallte tek spektatorët ai mjeshtër i rrallë. Salla ngrinte për të shijuar edhe notat më të imëta, fëshfërimën e ujërave dhe këngët e bilbilave. Një mrekulli! Dhe në fund mjeshtri i bënte dy duart bashkë në gjoks dhe falënderonte spektatorët, transmeton ‘gazeta dita.al’.

Edhe atë mbrëmje kur kam dalë në këtë foto me këtë mjeshtër të madh, pas fjalëve që i thosha që nuk ishin aspak më shumë se ato që i kanë thënë dhe shumë të tjerë për të, Hetem Qerimi bashkonte duart e më falënderonte, sikur të ishte në fundin e ndonjë koncerti në skenë para qindra spektatorëve. Do marr violinën dhe do t’i bie edhe një herë vetëm për ty, më tha.

Përshëndeteshim vazhdimisht dhe ai bënte shenjën sikur i binte violinës e më thoshte: Do të vij, do të vij se të kam dhënë llafin!

Por nuk e mbajti dot këtë premtim që më bëri. Iku. Hetem Qeremi nga dje nuk jeton më. Por unë i kam në vesh tingujt e melodive të përjetshme të tij. Nuk shuhen këngët e bilbilave, të krojeve, fëshfrimat e pyjeve dhe gjithë ato melodi të natyrës që do të jehojnë pambarimisht…


Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA “MJESHTRI I MADH” I VIOLINËS, HETEM QERIMAJ

ObserverKult