Dijana Toska nderohet me çmimin “Ars Gratia Artis” të Festivalit “K’tu Fest”

Edicioni i 9-të i Festivali ndërkombëtar artistik „K’tu Fest”, organizuar nga Olsa dhe Xheladin Poshka, hapi siparin për artistët dhe publikun nga data 18 deri më 21 shtator në Strugë, me ç’rast u prezantuan vepra teatrore të autorëve vendas dhe të huaj, ku dominuan artistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Nata finale e festivalit solli emocione të veçanta, pasi që ajo ishte e rezervuar për ndarjen çmimit të vetëm që ky festival akordon – Çmimi Ars Gratia Artis, që jepet për personalite ose insitucione që kanë kontribuar në zhvillimin e shoqërisë.

Çmimi Ars Gratia Artis këtë vit shkoi në duart e gazetares, producentes, aktivistes dhe filantropes – Dijana Toska nga Shkupi.

“Ndjehem e lumtur që çmimi më jepet nga një grua me vlera e nga një festival tashmë i formësuar artistikisht si “K’tu Fest”, tha Dijana Toska teksa merrte çmimin nga regjisorja Olsa Poshka.

Marrja e këtij çmimi u shoqërua edhe me një rrëfim personal të Dijana Toskës,  e cila foli për përvojën e saj si gazetare dhe rrugën nëpër të cilën kishte kaluar formimi i saj si intelektuale dhe si profesioniste.

Ajo tregoi se kishte intervistuar shumë burra shteti, kishte zbardhur për vite të tëra ngjarje  të rëndësishme nga bota shqiptare për “Zërin e Amerikës”, pastaj rrëfeu për peripecitë e saj plot ulje ngritje deri në himnin për Nënën Tereze dhe me ngjarjen kulmore, siç ishte koncerti në Vatikan ku Dijana Toska arriti të mbledhë elitën shqiptarë dhe yjet shqiptare që janë nëpër botë, nën audiencën rekord të 140 milionë teleshikuesve.

Teksa Dijana Toska rrëfente për rrugën e saj jetësore e profesionale, kjo i ngjasonte një libri të mirë për t’u lexuar por jo i lehtë për t’u jetuar. Teksa fliste për jetën, për fatin e saj kryeneç por edhe për këmbënguljen e saj më të fortë se fati, tregonte se kemi arsye të mëdha për të qënë krenar që jemi shqiptarë.

Në fund byzylykën e artë të gdhendur vetëm për të, ia vendosi në dorë regjisori Xhelo Poshka, e së bashku me letrën e falenderimit nën e emrin e Margarita Xhepës si presidente nderi e K’tu Fest 2022 e nën emrin e drejtorëve të festivalit Olsa Poshka dhe Xhelo Poshka, u duk se në skenën e teatrit Poshka u nda një çmim jo vetëm nën firmën e festivalit, por një çmim i vonuar nën emrin e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

U duk se shqiptarët e mbarë botës atë natë mblodhën gjithë mirënjohjen e tyre për të thënë: Faleminderit e shtrenjta jonë Dijanë…një faleminderim i vonuar por si çdo falenderim për një njeri të jashtëzakonshëm ishte një falenderim i përjetshëm!

“Festivali është ndërkombëtar, artistik. Kjo domethënë që përfshin të gjithë gamën e disiplinave artistike. Ka 9 vite që zhvillohet në Strugë dhe klasifikohet si festivali më i suksesshëm në këtë kontekst. President nderi prej në zanafillë është zgjedhur Robert Ndrenika. Themelues dhe njëkohësisht drejtorë të festivalit janë regjisorët Olsa dhe Xhelo Poshka”, theksoi për mediat Olsa Poshka.

Gjithashtu, ajo shtoi se Festivali ka një çmim, Ars Gratia Artis, dhe jepet për atë personalitet që ka kontribuar më shumë në zhvillimin e shoqërisë.

“Festivali ka një çmim, Ars Gratia Artis, dhe jepet për atë personalitet që ka kontribuar më shumë në zhvillimin e shoqërisë. Këtë vit çmimin e merr Dijana Toska si një nga gazetaret, organizatoret dhe kontribueset më të mëdha të shekullit tonë në fushën e kulturës dhe informacionit. Festivali është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë, dhe subjekte private, por mbi të gjitha është kthyer në një nga eventet më të rëndësishme në rajon”, thekson drejtoresha e festivalit, Olsa Poshka.

I organizuar si gjithnjë nga teatri Poshka, edicioni i 9 i Festivalit Ndërkombëtar Artistik “K’tu Fest” solli në qytetin e Strugës disa nga emrat më të rëndësishëm të skenës dhe fimit si Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Bujar Kapexhiu etj. Nata finale e këtij festivali është përmbyllur me shfaqjen nga Teatri Poshka “Rrugëtimi i Himnit”, nga Olsa&Xhelo Poshka, ndërsa ka vazhduar me një koncert nga Ansambli “Zanat”.

 “K’tu Fest” është festivali i vetëm veror i kësaj natyre që zhvillohet në Strugë për vitin e 9 radhazi duke e shndërruar këtë qytet në vendin e artistëve më të mëdhenj që vijnë të shijojnë një nga perlat siç është Struga, e cila të asocon në shprehjen “Çdo rrugë të çon në Strugë”. Kësaj radhe këto rrugë u bashkuan për të lartësuar një figurë të çmuar të gazetarisë dhe shoqërisë shqiptare – Dijana Toska.

E.A.


Lexo edhe:

LETËRSHKRIMI, SI PËRLIGJJE E NATYRSHME E MISIONIT TË SHENJTË TË NËNËS TEREZE