Vite më parë, antropologia Margaret Mead u pyet nga një studente se çfarë konsideronte si shenjën e parë të qytetërimit në një kulturë.
Studentja priste që Mead të fliste për grepa peshku ose enë balte apo edhe gurë bluarëse.
Por jo.
Mead tha se shenja e parë e qytetërimit në një kulturë të lashtë, ishte një kofshë që ishte thyer dhe më pas ishte shëruar. Mead shpjegoi se në mbretërinë e kafshëve, nëse thyeni këmbën, ju vdisni. Ju nuk mund të ikni nga rreziku, të shkoni në lumë për ujë ose të gjuani për ushqim. Ti je mish për bishat aty. Asnjë kafshë nuk i mbijeton një këmbe të thyer aq gjatë sa kocka të shërohet.
Një femur i thyer që është shëruar është dëshmi se dikush ka marrë kohë për të qëndruar me atë që ka rënë, e ka lidhur plagën, e ka çuar personin në një vend të sigurt dhe është kujdesur për personin gjatë shërimit.
Të ndihmosh dikë tjetër në vështirësi është momenti ku fillon qytetërimi, tha Mead.
Kur u shërbejmë të tjerëve, ne jemi në pikën tonë më të mirë. Pra jemi të qytetëruar.
Margaret Mead (16 dhjetor 1901 – 15 nëntor 1978) ishte një antropologe kulturore amerikane, një pioniere e lëvizjes feministe në Amerikë, një popullarizuese e rëndësishme e antropologjisë dhe një nga intelektualet më të shquara publike të kohës së saj.
Si antropologe, Mead është e njohur për studimet e saj mbi popujt analfabetë të Oqeanisë. Veçanërisht në lidhje me aspekte të ndryshme të psikologjisë dhe kulturës – kushtëzimit kulturor të sjelljes seksuale, karakterit natyror dhe ndryshimit të kulturës.
Mead gjeti një model të ndryshëm të sjelljes së burrave dhe grave në secilën prej kulturave që ajo studioi. Të gjitha ishin të ndryshme nga pritshmëritë e rolit gjinor në Shtetet e Bashkuara në atë kohë.
Teoria e Mead se adoleshenca nuk ishte e destinuar biologjikisht të ishte një kohë stuhie dhe stresi, thuhej se kishte inkubuar relativizmin moral dhe kundërkulturën e lirë të viteve 1960.
Mead ishte një figurë shumë e rëndësishme në filozofinë sociale të shekullit të 20-të.
Në vazhdim ua sjellim disa shprehje të zgjedhura nga Margaret Mead:
-Për të arritur disa qëllime, duhet të mësojmë të heqim dorë prej tyre.
-Përballemi vazhdimisht me mundësi të jashtëzakonshme, të maskuara si probleme të pazgjidhshme.
-Gratë kërkojnë burra mediokër dhe burrat japin maksimumin për t’u bërë të tillë.
-Fëmijët duhet të mësohen se si të mendojnë, jo çfarë të mendojnë.
-Isha mjaftueshëm e mençur që të mos rritesha kurrë, ndërsa mashtrova njerëzit duke besuar se isha.
-Në vend që të prezantohen me stereotipe sipas moshës, gjinisë, ngjyrës, klasës ose fesë, fëmijët duhet të kenë mundësinë të mësojnë se brenda çdo diapazoni, disa njerëz janë të neveritshëm dhe disa të këndshëm.
-Kujtoni gjithmonë se jeni absolutisht unik. Ashtu si gjithë të tjerët.
-Të kesh dikë që të pyet se ku je, kur nuk kthehesh në shtëpi natën, është një nevojë shumë e vjetër njerëzore.
-Ti e di se e do dikë kur nuk mund të thuash me fjalë se si të bën të ndihesh.
-Nëse e ardhmja do të mbetet e hapur dhe e lirë, ne kemi nevojë për njerëz që mund të tolerojnë të panjohurën, të cilët nuk do të kenë nevojë për mbështetjen e sistemeve plotësisht të përpunuara apo planeve tradicionale nga e kaluara.
-Unë e mas suksesin në kuptimin e kontributeve që një individ jep për njerëzit e tjerë
Përgatiti T.K/ ObserverKult
Lexo edhe: