Ibrahim Rugova i përket brezit të 68-tës, dhe më tej Qarkut Kulturor të Prishtinës. Në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit njëzet Prishtina u bë qytet universitar duke u prirë nga një lëvizje e fuqishme studentore e kulturore, që mblidhte për të parën herë të rinjtë e tokave shqiptare: në Kosovë e rreth Kosovës.
Kjo lëvizje kulturore e intelektuale, krejt natyrshëm e bëri qendrën në Universitetin e Prishtinës, për ta shpërndarë ndikimin e vet çlirues edhe në shtresa të tjera të shoqërisë. Fuqia e kësaj lëvizjeje u përqendrua në kulturë e krijimtari, me artikulim më të fuqishëm në letërsi, me shenjën e fuqishme nacionale e autentike dhe me shenjën e modernitetit përnjëherësh, shkruan Sabri Hamiti.
Sipas tij, njëri nga më përfaqësuesit e kësaj lëvizje është Ibrahim Rugova, me përcaktim kritik letrar e studiues i letërsisë dhe i kulturës shqiptare.
Rreth librit “Refuzimi estetik”
Sipas akademik Sabri Hamiti “Refuzimi estetik”, është libri i fundit kritik i Ibrahim Rugovës, ndërsa në trajtën e ndërtimit formal duket të jetë vazhdim i librit të mëhershëm Strategjia e kuptimit.
“Kjo jo vetëm sepse e përbëjnë kryesisht tekste kritike që lidhen me autorë bashkëkohorë dhe vepra e ide letrare aktuale, por edhe pse kapitujt e tij nuk emërtohen në bazë të çështjeve të shqyrtuara, por në bazë të klasifikimit të formave të kritikës së autorit. Në këtë vështrim, kemi një vetëklasifikim të shkrimit të autorit”.
Ndërsa vetë autori, Ibrahim Rugova, në parathënien e këtij libri tregon se në këtë libër janë përfshirë disa ese, kritika, vështrime e studime të botuara brenda viteve 1980 – 1986.
“Klasifikimin e tyre e bëmë sipas zhanreve të kritikës dhe të studimit në tri pjesë: Teori e kritikës, Ese e kritikë dhe Vështrime e studime, ngjashëm me një klasifikim që patëm bërë në librin Strategjia e kuptimit (1980), do të thotë se në njëfarë dore edhe ky libër do konsideruar si vazhdim i tij në planin tematik dhe në atë të prosedeut kritik”.
Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga libri “Refuzimi estetik”:
Estetika dhe Politika
Zhvillimi i tezës sonë mbi refuzimin estetik na shpie te raporti i njohur arti, apo estetika dhe politika. Pak histori për kthjellim. Duke u nisur nga tradita letrare evropiane, pra nga antika greke, e në formë më doktrinare nga vepra Politeja (Qyteti, Shteti) e Platonit, do shohim më mirë historinë e raporteve, apo të konflikteve midis artit dhe politikës, apo pushtetit.
Etimologjia e fjalës Politikë vjen nga kuptimi i shtetit, si formë e pushtetit. Kështu, titullin e veprës së Platonit, herë e përkthejnë Shtet e herë Republikë me atë latine, në përkthimet moderne, pra me atë latine si res publica, si diçka e përgjithshme, si gjë publike, si gjë e hapur. Pos tjerash, edhe çështjen e artit Platoni e merrte si res publica, si gjë publike, si çështje apo interes të përgjithshëm, thënë me terminologji më moderne.
Dhe duke ia shtruar artin interesit të gjësë së përgjithshme, në praktikën dhe në teorinë estetike u ngritën raportet më të precizuara arti-politika, arti-ideologjia, apo estetika-politika në planin teorik e filozofik.
Pos në këtë vepër, ku Platoni e vënte artin në shkallë më të ulët të botës së ideve duke e lidhur me konceptin e mimesisit, ai këtë e bënte edhe në dialogun për Ijonin, ku poetin omonim endacak nuk e çmonte si njeri të mendjes, po më shumë të ndjenjës, të ekstazës dhe boheminë e tij e lidhte me veprën e tij, me recitimet e tij, pra me artin oral të tij. De facto Platoni e gjykonte artin e tij në bazë të sjelljeve të autorit, të Ijonit.
Mendojmë se këtu zë fill përzierja e raportit autori-vepra, që në shoqërinë bashkëkohore mori forma të pazgjidhshme, deri në kohën tonë. Kështu lind gjykimi i veprave për shkak të autorëve apo i autorëve për shkak të veprave, pra çështja e gjykimit të krijuesit. Pastaj Horaci kërkon nga arti të ketë edhe të këndshmen e edhe të dobishmen, dulcei et utilei.
Çdo shoqëri kërkon idenë e vet, madje edhe artin e vet, po çdo shoqëri nuk mund të bëjë artin e vet, sepse arti krijohet në të gjitha shoqëritë apo sistemet, apo në të gjitha politikat. Mund të themi se çdo shoqëri ka politikën e vet, e artin e vet jo, sepse arti është i të gjitha shoqërive, sepse ngrihet përmes refuzimit dhe aprovimit estetik që përmban në vete.
Në vazhdën e këtij argumenti historik, mesjeta me ideocentralizmin e saj relegjioz, kryesisht përmes krishterimit e kufizoi zhvillimin e ideve dhe të mendimit të lirë, e madje toleroi vetëm atë tip të letërsisë që i përçonte idetë apo ideologjinë e saj, pra vetëm letërsinë religjioze dhe letërsinë kalorsiake.
Dominonte utopia teiste pa përjashtim. Renesansa me decentralizimin e saj dhe me ringjalljen e kulturës antike e të gjuhëve dhe popujve të tjerë, pos latinitetit kristian, ngriti vetëdijen e kohëve moderne dhe çlirimin gradual të ideve dhe të artit në përgjithësi. Në frymën e Renesansës do shikuar edhe renesansën në kuptimin teologjik – reformën e Luterit.
Thënë ndryshe Renesansa i ngriti në nivel kulturor gjuhët popullore në vetë vatrën e latinitetit, ku vepronte imperializmi i gjuhës latine dhe në viset e tjera të Evropës. Në këtë kohë të Renesansës dhe të reformave teologjike i kemi edhe veprat e para shqiptare nga Barleti dhe Buzuku dhe nga shkrimtarë të tjerë.
Konflikti, apo mospajtimet midis artit dhe politikës vijuan edhe në shtetet borgjeze deri në kohën tonë dhe për këto të përmendim dënimin e veprës së Bolderit për shkak të përmbajtjes së saj dhe zhdukjen misterioze të Emil Zolas, si duket për arsye të mbrojtjes së Drajfusit e raste të tjera.
Në shoqërinë socialiste që u konstitua pas Revolucionit të Tetorit (1917), me dëshirë që artin ta fusë nën kontrollin e vet sidomos në vitet ‘30 në BRSS u zhdukën dhe u dënuan shumë vepra e shumë shkrimtarë. Në formë tjetër të platformës nacionale-naziste në Gjermaninë e Hitlerit u persekutuan shumë shkrimtarë, dijetarë e filozofë dhe u detyruan të largohen nga vendi.
Le ta përkujtojmë Tomas Manin me këtë rast. Do përmenduar se edhe pas Luftës së Dytë në shumë vende socialiste u persekutuan autorë dhe u anatemuan vepra të ndryshme.
Në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare kemi raste të këtij konflikti. Kështu në shek. XVII Budi zhduket në mënyrë misterioze nga Vatikani, meqë kërkonte konstituimin e inteligjencës kishtare shqiptare, pastaj Nezimi zhduket nga autoritetet turke, si duket për popullaritetin e tij dhe për veprën që e bënte në gjuhë të vet.
Është sunjifikativ edhe rasti i S. Frashërit, i cili nga fundi i shekullit të kaluar po sillte kulturën evropiane në Turqi, por kur e shkroi veprën, “Shqipëria ç’ka qënë…”, u mbyll në burg shtëpiak. Këto të dhëna nga kultura jonë, flasin për konfliktin e intelektualëve shqiptarë me pushtetin pushtues. Në kohën e Monarkisë shqiptare të Zogut, intelektualët shqiptarë u ndeshën me pushtetin e brendshëm, pra të kombit të vet.
Kështu një kohë u injoruan Çajupi, Asdreni, Grameno e të tjerë dhe në vitet ‘30 kemi edhe viktimën e parë fizike të këtij pushteti, ekzekutimin me vdekje të intelektualit të ri Ismet Totos, për shkak të pjesëmarrjes në kryengritjen e Delvinës më 1937. Për këtë raport në kohën pas luftës e këndej nuk po flasim në kulturën shqiptare në përgjithësi, por pati raste të mospajtimeve ideologjike dhe estetike, e në Jugosllavi edhe vetëm për shkak të ngritjes së letërsisë shqiptare, e cila para luftës nuk mund të krijohej në gjuhën amëtare.
*Shkëputur nga libri “Refuzimi estetik” i botuar nga Sh. B. “Faik Konica” më 2005
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të komunës së Istogut. Më 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan babain. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa shkollimin e mesëm në Pejë, më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës, më 1971.
Gjatë një viti akademik (1976-77) qëndroi në Paris, në École Pratique des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Më 1984 mori doktoratën në letërsi në Universitetin e Prishtinës.
Më 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Ibrahim Rugova Është autor i dhjetë librave. Ishte që në nismë redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj, për afro dy dekada, punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike.
Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Më 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë politike në Kosovë, që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.
Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992 u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa në mars të vitit 1998 u rizgjodh Kryetar i Republikës, kur partia e tij, LDK-ja, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000. Në mbështetje të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit 2001, u zgjodh Kryetar i Kosovës.
Më 1995, iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë; më 1996, u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë; më 1998, iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian; në vitin 1999, mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani; në vitin 1999 u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia (Brecscia); në vitin 2000, mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë, doktoratën e nderit Honoris causa të Universitetit të Tiranës më 2004, etj..
Gjatë karrierës së tij politike u takua me shumë burrështetas perëndimorë e botërorë.
Vdiq në Prishtinë më 2006.
Veprat:
Prekje lirike, Prishtinë, 1971;
Bibliografia e kritikës letrare shqipe, Prishtina, 1974;
Kah teoria, Prishtinë, 1978;
Kritika letrare / koautor Sabri Hamiti/, Prishtinë, 1979;
Strategjia e kuptimit, Prishtinë, 1980;
Vepra e Pjetër Bogdanit 1675-1685, Prishtinë, 1982;
Kahe dhe premisa të kritikës shqiptare 1504-1983, Prishtinë, 1985;
Refuzimi estetik, Prishtinë, 1987;
Pavarësia dhe demokracia, Prishtinë, 1991;
The Glowof Passion, një antologji e letërsisë bashkëkohore në ish-Jugosllavi, në gjuhën angleze, Prishtinë, 1991.
Marie-Françoise Allain, Xavier Galmiche: I. Rugova, La question du Kosovo, Paris, 1992;
Marie-Françoise Allain, Xavir Galmiche: I. Rugova, Çështja e Kosovës, Pejë, 1993.
Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtina, 2005.
E përgatiti: A. S. – ObserverKult
Lexo edhe:
ÇKA THOSHTE IBRAHIM RUGOVA PËR KARAKTERIN, NATYRËN E LETËRSISË…