E jashtëzakonshme: Dyshohet se po zbulohet varri i Kleopatrës

kleopatra

Është zbuluar një tunel i fshehur nën tempullin e lashtë egjiptian të Taposiris Magna ose “Varri i Madh i Osiris”. Mendohet se zbulimi mund të çojë në varrin e humbur prej kohësh të faraones së fundit egjiptase, Kleopatrës.

Tuneli i gdhendur në shkëmb, të cilin ata e quajnë një “çudi gjeometrike”, shtrihet për më shumë se 1.4 kilometra. Është rreth dy metra i lartë. Thuhet se i ngjan tunelit të mrekullueshëm Eupalinos në ishullin grek të Samos.

Arkeologia Kathleen Martinez nga Universiteti i San Domingos është e bindur se Kleopatra dhe i dashuri i saj Mark Antoni janë varrosur në tempull dhe se tuneli mund të jetë rruga drejt këtij zbulimi.

Martinez tha se kishte një për qind mundësi që mbretëresha të varrosej atje dhe nëse do të ishte, do të qe “zbulimi më i rëndësishëm i shekullit të 21-të”.

Taposiris Magna është një qytet në Egjipt i themeluar nga faraoni Ptolemeu II Filadelfus midis 280 dhe 270 para Krishtit. Pozicioni në një krah të shtratit tashmë të tharë të liqenit Mareotis sugjeron se mund të ketë luajtur një rol në tregtinë midis Egjiptit dhe Libisë.

Emri do të thotë “varri i madh i Osiris” dhe ndoshta vjen nga tempulli i madh. Gjatë një gërmimi në vitin 2020, një ekip arkeologësh gjetën një mumje me një gjuhë të artë, e cila ishte vendosur për shkak të besimit se të vdekurit do të flisnin me Osirisin në jetën e përtejme.

Tempulli në qytet besohej të ishte vendi i fundit i pushimit të Kleopatrës. Arkeologu beson se Kleopatra, pasi Mark Antoni vrau veten pas disfatës nga Oktaviani dhe para vetëvrasjes së tij, bëri plane të detajuara që ata të dy të varroseshin atje.

Martinez tha më parë për National Geographic se:

Kleopatra negocioi me Oktavianin për ta lejuar atë të varroste Mark Antonin në Egjipt. Ajo donte të varrosej me të sepse donte të ringjallte legjendën e Isis dhe Osiris. Kuptimi i vërtetë i kultit të Osirisit është se ai jep pavdekësinë. Pas vdekjes së tyre, perënditë do të lejojnë Kleopatrën të jetojë me Antonin në një formë tjetër ekzistence, në mënyrë që ata të kenë jetën e përjetshme së bashku.”

Martinez tani mund të jetë në rrugën e duhur sepse ajo ka zbuluar një tunel të vendosur në një thellësi prej rreth 13 metrash nën tempull.

Ekipet që punonin në kantier gjetën një pjesë të tunelit që ishte zhytur nën ujin e Mesdheut. Gjetën edhe një sërë enë qeramike e të ngjashme, si dhe një bllok drejtkëndor guri gëlqeror, por edhe një “rrugë qorre”. Ekipi hulumtues beson se themelet e Tempullit të Taposiris Magna, i vendosur pranë kryeqytetit të lashtë egjiptian të Aleksandrisë, janë gjithashtu nën ujë. Kjo për shkak të të paktën 23 tërmeteve që goditën bregdetin egjiptian midis 320 pas Krishtit dhe 1303 pas Krishtit.

Martinez zbuloi gjithashtu disa objekte të rëndësishme brenda tempullit, duke përfshirë monedha me imazhe dhe emra të Mbretëreshës Kleopatra, Aleksandrit të Madh dhe disa statuja të prera koka, si dhe statuja të perëndeshës Isis.

Kleopatra, e njohur shpesh si e famshmja e parë në botë, ishte e fundit e një vargu të gjatë sundimtarësh Ptolemeikë të Egjiptit . Ajo sundoi nga viti 51 para Krishtit deri në vitin 30 para Krishtit.

Kleopatra u bë Kleopatra VII, Mbretëresha e Egjiptit, pas vdekjes së babait të saj, Ptolemeut XII, dhe vëllai i saj u bë Mbreti Ptolemeu XIII. Për të fituar mbështetje midis popullit të lashtë egjiptian, Kleopatra u shpall gjithashtu vajza e Ra, perëndisë egjiptiane të diellit.

Në vitin 48 para Krishtit, duke përdorur aftësitë e saj joshëse dhe diplomatike, ajo arriti të tërhiqte Gaius Jul Cezarin në anën e saj në konfliktin dinastik dhe të siguronte kështu pushtetin e saj mbi Egjiptin. Ajo kishte një djalë me Cezarin të quajtur, Cezarion. Pas vdekjes së Cezarit, ajo joshi gjeneralin dhe përkrahësin e Cezarit, Mark Antonin. Edhe me të bëri një fëmijë dhe në anën e të cilit do të luftonte në luftën kundër Oktavianit. Pas betejës së Actium në 31 para Krishtit. Oktaviani pushtoi Egjiptin dhe e bëri atë një provincë romake.

Kleopatra dyshohet se kreu vetëvrasje. Bashkë me të edhe shteti i pavarur egjiptian u zhduk në disa shekuj. Shumë afera dhe teori konspirative lidhen me të. Por ajo konsiderohet sundimtarja më e famshme dhe më e bukur në historinë e Egjiptit. Ka frymëzuar shumë këngë, shfaqje, piktura, libra, filma, shfaqje dhe seriale televizive.

Kleopatra u strehua në një mauzoleum që ajo e porositi vetë. Thuhet se Antoni vdiq në krahët e Kleopatrës pasi e goditi veten me thikë, para se edhe ajo të bënte vetëvrasje – gjoja duke e lejuar veten të kafshohej nga një gjarpër helmues.

Oktaviani u kthye në Itali ku u bë perandori i parë romak. Kleopatra dhe Antoni u varrosën në Egjipt. 

ObserverKult

Lexo edhe:

KLOUNI ‘LOLI’ RRËFEN JETËN DHE PERIPECITË: NGA PENALIZIMI PËR ‘NJË PALË MUSTAQE’ TE HUMBJA E NIPIT