Martha Medeiros: Vdes ngadalë kush bëhet skllav i zakonit…

Martha Medeiros
Martha Medeiros (Foto: lpm-blog.com.br)

Poezia “Vdes ngadalë” nga Martha Medeiros

Vdes ngadalë kush nuk udhëton,
kush nuk lexon, kush nuk dëgjon muzikë,
kush nuk gjen kënaqësi në vetvete.

Vdes ngadalë
kush rrënon dashurinë e vetë,
kush nuk pranon dhe nuk jep ndihmë.

Vdes ngadalë
kush bëhet skllav i zakonit,
duke ecur çdo ditë në të njëjtat shtigje,
kush nuk del nga rutina,
kush nuk rrezikon të vesh një ngjyrë të re,
kush nuk bisedon me dikë që s’e njeh.

Vdes ngadalë
kush shmang një pasion
apo vorbullën e emocioneve;
ato që u rikthejnë shkëlqimin syve,
që ringrenë zemrat e gremisura.

Vdes ngadalë kush nuk ndryshon jetën
kur është i pakënaqur me punën e vet,
kush nuk rrezikon sigurinë me pasigurinë
për të shkuar pas një ëndrre që ia ndalojnë;
lëri këshillat e mençura,
qoftë edhe një herë në jetë…

Jeto sot!
Rreziko sot!
Bëje sot!
Mos vdis ngadalë!
MOS HARRO TË JESH I LUMTUR!

E përktheu: Bajram Karabolli

ObserverKult

———————

Lexo edhe:

BAJRAM KARABOLLI: FOLA ME VETEN… PËR T’IA BËRË QEJFIN…

PËRMBI ANDE- mbresa nga një udhëtim

Në aeroportin e Santiagos më priste një hebreo-amerikan, të cilin s’e njihja fare. I rekomanduar nga miku im R. B., sekretari i ambasadës tonë në Argjentinë, kishte premtuar të më ndihmonte për çështjen time atje. Nga Buenos Airesi kisha folur me të, dy herë, në telefon. Më priste në një kafene, në katin e dytë të një godine të aeroportit. E njoha nga portreti që më kishte përshkruar në bisedën telefonike. Po ashtu dhe ai mua. U ngrit nga tavolina dhe, duke buzëqeshur miqësisht, u drejtua nga unë. Ishte një trup mesatar. Mund të ishte mbi pesëdhjetë vjeç, por veshja sportive dhe mungesa e thinjave bënte të dukej më i ri. Nga ngjyra pak ezmere e lëkurës së lëmuar dhe nga qimet e rralla në fytyrë, ngjante më shumë me një latinoamerikan, se sa me një hebre. Gjë që ia thash.
– Jo, jam një përzierje, ku kam edhe gja k shqiptar, po latinoamerikan asnjë pikë, – m’u përgjigj ai.
Fliste një spanjishte të pastër dhe puro letrare, të Spanjës së mesit të shekullit që sapo iku, gjë që të kujtonte kryeveprat letrare të atij vendi plot diell, prej të cilit nisi zbulimi i Botës së Re. Pohimi i tij për gjakun shqiptar më habiti dhe e pyeta më tej.
– Nga babai jam anglosakson, nga nëna hebre. Gjyshja, nga babai, ishte shqiptare. Pra, një e teta e gja kut tim është i njëjtë me atë tuajin, – shpjegoi ai me një farë krenarie.
Ishte nga ata njerëz që nuk pushojnë së foluri. Kjo gjë mua s’më bezdiste aspak. Përkundrazi, më pëlqente. Jo vetëm për faktin se miku im i ri ishte i këndshëm në bisedë, por edhe nga paaftësia ime për të mbajtur bisedën gjallë, pasi jam i ngathët në bisedë.

Tekstin e plotë e gjeni KËTU