O, moj Fushë e Korabit, o e mjera unë-o…

e mjera

Moj Fushë e Korabit, o e mjera unë-o…

Kush do ta dëshironte këtë thirrje-klithmë në jetën e tij ? Është e tepërt të them askush, por ajo është bërë pjesë e vetvetes . Si një rrodhe që të vihet në trup dhe ti nuk e sheh nuk e heq dot. O e mjera unë-o.

Nga Namik Selmani

Buzët dridhen. Diçka e madhe rrokulliset brenda teje më shumë se orteket që bien në Korab e në Pikëllimë. Edhe gurët e fshehur në dëborë dridhen. Edhe filizi i barit që fle nën plisa në dëborë për të ridalë në pranverë.

Lëvizin nga vendi për të shkuar diku tjetër që të mos pengojnë rrugën e mërgimtarëve që do të kalojnë këndej në pranverë.

Si quhet vajza-grua që këndon? Si quhet e dashuruara në këto bjeshkë.

Aq sa e ka patur më të dëshiruarën këtë vend. E njeh pëllëmbë për pëllëmbë Fushën e Korabit. Nuk na e thotë kënga. E c’rëndësi ka? Nuk është e vetme. Është anonimati që fshihet pas sa e sa brengave, halleve, trishtimeve.

O Fusha e Korabit, o e mjera unë-o

Mund që të ishte të gjithë emrat e vjetër e të rinj të Dibrës, por unë do ta quaja Lulije. Një lloj lule që e gjen vetëm në Fushë të Korabit,. Janë në të njëjtën kohë dy drama ajo e dashurisë dhe e Mërgimit.

Të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Një lule që në kohën e këngës a mbase edhe më parë donte diellin e nuk e kishte. Donte flladin e ëmëbël të Korabit, por Kuçedra e Mërgimit ia kishte thithur të tërin

E ajo ishte diku mes qiellit dhe tokës si një flutur që ndalte diku në një lule të çelur, që ndalte në një pishë të blertë Korabi.

E më tej nisin nëtë njëjtën kohë dy dialogje. Në fund të atyre fjalëve të pakta që thotë Lulija është ai refren klithës “O e mjera unë-oo” dhe më tej një oi e zgjatur, tejet e zgjatur. Dialogu i parë është ai me Fushën e Korabit.

Ç’të jetë ky dialog? Mos vallë nuk e di Lulija se nuk është fajtore kjo Fushë? Ky mal?

E thënë dibrançe ajo, kënga thotë “tej” ( ti) na erdhe hakut. Ai apo ajo e ndryshin fontikisht për përemrin nga ti në tej. Mjafton ky ndryshim fonetik që t’i japë asaj pasaportën më të saktë dibrane të këngës.

Po, Fusha e Korabit ia ka ndarë shtratin Lulijes. E ka ndarë pa krisma. PO, se një ditë kur ajo u bashkua me trimin e saj pa dyshi kishte mjaft krisma. Shumë do jenë hedhur edhe atje pranë Fushës së Korabit.

Dhe asaj , dasmorëve me tupanë në duar me këngë në buzë, me vallen të pambaruara, me plisa në kokë, me urimet në zemër e kanë parë ma dashuri këtë majë, këtë fushë, duke harruar më vonë këtë cast. Duke lëshuar piskamën klithëse. Askush nuk kishte ardhur në kullë në atë odë ku ata flinin, për ta marrë trimin. Nuk i kishte thënë nënës së tij se një ditë trimi do ta linte vetëm në pleqërinë e saj të thellë.

E do ta kujtojë sa më shumë atë. Do që të mësojë diçka për të.

Për besë të urtisë dibrane, mali i Korabit nuk është askurrë më i lartë se kënga që këndohej për të “ Moj fushë e Korabit” Ndoshta një herë në jetën e tyre pedagogjike mësueset e gjeografisë duhet të jenë dhe pak “dibranë’ në muzikën e këngët që këndohen për të.

Ose e kundërta mësuesët e muzikës që studiojnë folklorin muzikor duhet të jenë dhe pak “gjeografë dibranë: që t’i tregojnë se si është muzika e asaj krahine. Se askush nuk mund të thotë të kundërtën se kënga ngjizet në atë truall ku lind. Ashtu si bima dhe pema që nuk bëhet në cdo krahinë, në cdo klimë.

Më ndërmendet sot studiuesi me famë francez i muzikës ballkanike e në veçanti i këngës dhe valles çame. Këtu e vite të shkuara ai mori një grup këngëtarësh camë dhe me viza franceze shkoi në Greqi. Më saktë në Çamëri.

Atje , mes gërmadhave, buzë Jonit , nën degët e ullinjve i kërkonte këngëtarëve që të këndonin këngët e dhimbjes së tyre, të prindërve të tyre. Dhe e kuptoi ai se ajo këngë bolorotëse nuk mund të lindëte më mirë se në atë vend.

O e mjera unë—oooo

Dhe më tej Lulija kërkon letër, kërkon zë, kërkon fytyrën, kërkon.. Po ato nuk janë . I ka fshehur diku Fusha e Korabit. Nuk e di se ku i ka dërguar. Ajo është bërë vuve, memece, belbane. I ka marrë mjegulla që bie shpesh në këto shpate. I ka marrë jehona e zërave. Nëse do ndodhte cudia që ta sillte, do e vinte në arkë.

Atje ku kishte vënë rrobat me ojna të nusnisë , kishte vënë xhamadanin, kishte vënë shamitë e qëndisura për merak, kishte vënë jastëkt me lule. Kishte bënë dhe ca ftonj me erë të mirë që t’ia jepte trimit nëse ai do të vinte në pranverë. Nëse do ta kishte, ajo do ta përkëdhelte me kaq mall, me kaq dashuri. Sikur të kishte pranë përkëdheljet e duarve të tij , sikur të prekte lotët e saj, pse jo dhe lotët e fshehur të trimit të saj që kush e di se ku kalonte netët e gjata, se ku hidhte hapat në agimet.

O e mjera unë-oooooo

Dhe refreni të rrënqeth përsëri. Të godet si me hosten për të ecur drejt në parmendë, me comangë Dhe më tej vjen pjesa e nënës. Një pjesë që lidhet me pranverën se kudo ku asht nana ka pranverë ka përtëritje të jetës,.

Po në thelb është përtërtija e natyrës. Është koha kur duhet të vijnë ata mërgimtarë. Të prekin qoftë edhe pak tokën, vendlindjen, të dashurën, nanan, gruan, motrat, ugaret, të shohin majat e maleve shtigjet, lesat, mullinjtë e grurit e të misrit. E nënës i mungon djali.

Ah, Fushë e Korabit që ia ke mbushur magjen me grurë e ia ke shtuar pak qumësht të deleve që mrizonin në livadhe në sofrën e varfër! Tash nuk po e sjell djalin dhe nuk dihet se kur do të vijë. E i bën së gjalli një amanet, një lutje, një krkesë. Një fjalë të nënës nuk e tret as dheu, as guri. I thotë që të marrë hua. Huaaaa?????!!

Po ajo dhe vajza e dashuruar mbase nuk e dinë dhe aq mirë se fajdeja në jetë e një mërgimtari është më shumë se laku i kaut që ecën pas parmendës. Mbase edhe e dinë, por djali atje larg duhet ta dijë se kurbeti bën që të shkelet edhe dashuria e nënës edhe dashuria ndaj vajzës. Ndaj sërish klith kënga: “O e mjera unë-oooo!”

prapë na çeli thana

o mjera unë o

te shtegu po pret nana

o mjera unë.- o

Kjo këngë-monument kaq e mirë në melodi e në varg do edhe ustallarët më të mirë. Kënga është e shtruar . Ka në të nostalgji , dashuri. Ka lutje, ka mallkim, ka vajtim. Janë fyejt dhe kavallët që e shoqërojnë për t’i dhënë sfondin e duhur këngës dhe për të mos e humbur origjinalitetin e këngës të trevës, të mesazhit që ajo jep në të gjithë kohërat.

Kënga ka prijatarët e vet zyrtarë si Liri Rasha, Vera Laçi, Saje Poleshi. Ajo ka sot realizimin edhe nga këngëtarë mjaft të njohur të kombit si Shkurte Fejza që e ka kënduar këtë këngë më 1985 kur erdhi për herë të parë në Dibër. Ka akoma dëshmitarë që kujtojnë se kur e ka kënduar këtë këngë është lotuar në skenë.

Janë këngëtaret Fatmira Brecani, Remzije Osmani dhe Aurela Gace që i japin ngjyrime të mrekullueshme.. Në këtë varg do të shtonim Motrat Mustafa, Vjollca Buqaj, Qanije Skënder Muça, Adnan Aliu, Artur Imeraj, Bukurije Lamallari, Lulejta Krasniqi, Merjeme Kurti, Nexhip Daku dhe Osman Hasa, Salla Shahini, Mejreme Lamollari Rizvan Sinani, Argitin Dërvishi, Rexhë Jelliçi. Janë disa orkestra dibrane që e japin atë si pjesë instrumentale.

Do ishte bukur që të kishim edhe një ose disa videoklipe të kësaj kënge. Disa këngë shqërohen me disa pamje të Fushës së Korabit, por nuk do të ishte keq që të kishte edhe xhirime të këngëtarëve të këtë vend. Për një perlë të tillë është më se e domosdoshme një gjë e tillë.

*marrë me shkurtime nga një tekst më i gjatë i Namik Selmanit

ObserverKult

Kliko edhe:

LIRI RASHA: O MOJ FUSHA E KORABIT, OH MJERA UNË…(TEKSTI DHE KËNGA)