Nga: Agim Vinca
Në Kongresin e Manastirit u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe, e cila deri atëherë shkruhej me alfabete të ndryshme, sado kryesisht me bazë latine. Duke u përcaktuar për alfabetin latin, me të cilin edhe në të kaluarën ishte shkruar gjuha shqipe, madje që nga fillimi i dokumentimit të saj me shkrim (dokumenti i parë i gjuhës shqipe, Formula e pagëzimit dhe libri i parë shqip, Meshari, janë shkruar me shkronja latine), intelektualët shqiptarë të kohës konfirmuan edhe një herë faktin e pamohueshëm se populli shqiptar dhe kultura e tij i takojnë qarkut të latinitetit.
Në kohë të fundit na ka rënë të dëgjojmë një pyetje të padëgjuar më parë: a ishte e përfaqësuar Kosova në Kongresin e Manastirit?
Asnjë nga studiuesit që janë marrë deri më sot me këtë ngjarje të rëndësishme në jetën e kombit, përfshirë edhe gjuhëtarin e mirënjohur kosovar Selman Riza, i cili “çeshtjes së abecesë së Monastirit” ia pati kushtuar një nga tri “monografinat” e tij,[1] nuk e ka shtruar këtë pyetje. Janë rrahur shumë probleme që kanë të bëjnë me aspekte të alfabetit (debat me karakter shkencor), herë-herë edhe me delegatët e Kongresit dhe kryesuesit e tij, por askush nuk ka thënë as edhe një fjalë të vetme për gjoja “shkëputjen” e Kosovës nga pjesa tjetër e trungut shqiptar në këtë mbledhje të gjerë të intelektualëve dhe atdhetarëve shqiptarë.
Autori i librit Identiteti kosovar,[2] Mehmet Kraja, është i pari që e shtron si pyetje dhe e ngre si problem.“Në Kongres nuk kishte asnjë delegat nga Kosova”, thotë Kraja në librin e tij, duke shtuar se “Kongresi i Manastirit (…) kishte shënuar ndarjen e parë të madhe ndërmjet Kosovës dhe asaj pjese të hapësirës shqiptare, që më vonë do të quhet Shqipëri, edhe përpara se të shpallej pavarësia dhe të bëhej shteti i cunguar shqiptar”.[3] Por Kraja sikur harron një fakt të thjeshtë: që ky Kongres u mbajt në qytetin i cili nuk do të përfshihej “në atë pjesë të hapësirës shqiptare, që më vonë do të quhet Shqipëri”, në Manastir.
Ndarjet që do të ndodhin më vonë nuk njiheshin në atë kohë (1908), kurse vendimet e Kongresit, të miratuara nga delegatët e tij, vlenin për krejt kombin shqiptar, në të katër vilajetet, përfshirë edhe Vilajetin e Kosovës e, madje, edhe për ngulimet shqiptare në botë[4] dhe mërgatën.
Përveç kësaj, nuk është e vërtetë se në Kongresin e Manastirit “nuk kishte asnjë delegat nga Kosova”. Në këtë mbledhje merrnin pjesë katër delegatë të Klubit të Shkupit, që atëherë ishte qendër e Vilajetit të Kosovës: Hafiz Ibrahim Efendiu, Emin Beu, Haxhi Jashar Efendiu dhe Rrok Berisha, prej të cilëve dy të parët me të drejtë vote, ndërsa në një letër drejtuar Kongresit nga Klubi i Shkupit, me nënkryetar Bajram Currin, kërkohej që “Kongresi të hartonte një program për të drejtat e kombit shqiptar, i cili do t’i paraqitej parlamentit turk”.[5] Kjo kërkesë u përfshi në programin prej 18 pikash të Kongresit të Manastirit, program që do ta paraqiste në parlamentin turk, në emër të shqiptarëve, deputeti Shahin Kolonja. Nga ana tjetër, Shoqëria “Agimi” e Shkodrës përfaqësohej nga dy delegatë: Ndre Mjeda dhe Mati Logoreci. Ky i fundit kishte shërbyer si mësues në Prizren nga viti 1899 deri në vitin 1903, ku, siç del nga dokumentet, “gëzonte mbështetje të gjerë”, prandaj mund të thuhet se në njëfarë dore përfaqësonte edhe Kosovën ose, më saktë, atë që quhet sot Kosovë.[6] Natyrisht që mund të shtrohet pyetja: a ka mundur të jetë ky përfaqësim më i plotë? Nga perspektiva e sotme mund të themi fare lehtë: po, ka mundur. Do të ishte mirë sikur në Kongresin e Manastirit të kishte përfaqësues, pos nga Shkupi, që ishte, po e përsërisim, qendër e Vilajetit të Kosovës, edhe nga ndonjë qytet tjetër si, fjala vjen, Prizreni, Gjakova, Peja apo edhe Prishtina, e cila atëbotë nuk e kishte as përafërsisht rolin që ka sot, por në kushtet në të cilat u organizua dhe u mbajt Kongresi i Manastirit, kjo gjë nuk ishte punë aspak e lehtë. Komunikimi mes klubeve e shoqërive shqiptare dhe përfaqësuesve të tyre nga njëra qendër në tjetrën në atë kohë ishte jo vetëm i vështirë, por edhe i rrezikshëm. Shqipëria, me të katër vilajetet e saj, ishte ende nën Perandorinë Osmane dhe “turqit e rinj”, që kishin marrë pushtetin duke përmbysur sulltan Abdyl Hamitin, kur ishte fjala për shqiptarët, siç do të tregojnë ngjarjet në vazhdim, nuk ishin më pak të rrezikshëm se “të vjetrit”.
Ngjarjet historike dhe protagonistët e tyre duhen parë në kontekstin e kohës kur kanë ndodhur e jo në kontekstin e periudhave të mëvonshme, e aq më pak të kohës kur jetojmë ne vetë. Është fakt i pamohueshëm se dy qytetet që mbizotëronin në Kongresin e Manastirit ishin: Korça dhe Shkodra, që kishin numrin më të madh të delegatëve në Kongres dhe përfaqësoheshin denjësisht edhe në Komisionin 11-anëtarësh të ngarkuar me misionin e zgjidhjes së “nyjes gordiane”: çështjes së alfabetit unik. E para, Korça, për shkak të afërsisë gjeografike me qytetin ku u mbajt kongresi, Manastirin, por edhe ngaqë përfaqësuesit e klubit nismëtar të tij, Klubit “Bashkimi” të këtij qyteti, ishin kryesisht nga Korça dhe rrethina (Kolonjë etj.), kurse Shkodra, për shkak se ishte qendër e rëndësishme kulturore, por edhe ngaqë përfaqësonte Veriun e Shqipërisë, duke ruajtur kështu balancën kombëtare në raportet Jug-Veri, çka nuk ishte atëherë pa rëndësi, ashtu siç nuk është, pak a shumë, as sot.
Kongresi i Manastirit me tërë veprimtarinë e tij, përfshirë edhe vendimet që mori, në radhë të parë vendimin për alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe, kishte karakter përbashkues e jo ndarës, prandaj na duket i paqëndrueshëm dhe, madje, edhe tendencioz, pohimi se paskësh shënuar “ndarjen e parë të madhe ndërmjet Kosovës dhe asaj pjese të hapësirës shqiptare, që më vonë do të quhet Shqipëri, edhe përpara se të shpallej pavarësia dhe të bëhej shteti i cunguar shqiptar”. T’ia mveshësh Kongresit të Manastirit këtë karakter, do të thotë ta gjykosh me mendësinë lokaliste dhe me paragjykimet provinciale, që janë ringjalluar dhe kanë marrë hov, fatkeqësisht, në botën e sotme shqiptare.
Vetë autori i librit Identiteti kosovar, M. Kraja, në hyrje të tij, thekson se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u hapën edhe disa çështje të patrajtuara më parë, ndër të cilat edhe “çështja e raporteve historike Kosovë-Shqipëri”, për të cilën në median dhe në publicistikën shqiptare është zhvilluar dhe vazhdon të zhvillohet një debat i gjerë, shumë herë i sforcuar dhe kryesisht i deplasuar. Raportet Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas, historike dhe aktuale, tashmë janë bërë temë e preferuar e publicistikës shqiptare në Prishtinë e në Tiranë, por çështja e pjesëmarrjes, përkatësisht mospjesëmarrjes së Kosovës në Kongresin e Manastirit, shtrohet për herë të parë.
Le të ritheksojmë edhe një herë se në vitin 1908, kur u mbajt Kongresi i Manastirit, trojet shqiptare ishin një, natyrisht nën sundimin osman dhe nuk kishin dalë në skenë ndarjet që do të shkaktohen më vonë, pas vitit 1912, pa dëshirën e shqiptarëve, por jo edhe pa fajin e tyre.
Si përfundim, mund të themi se teza mbi “ndarjen e parë të madhe ndërmjet Kosovës dhe asaj pjese të hapësirës shqiptare, që më vonë do të quhet Shqipëri”, që paskësh ndodhur për herë të parë në Kongresin e Manastirit, e cila artikulohet në librin Identiteti kosovar të Mehmet Krajës, hyn në radhën e atyre çështjeve të cilat vetë autori i librit në fjalë, në kontekst tjetër, i quan “dilema të paqena”.
(Nga libri “Saga e shkronjave shqipe. Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna”, Shkup 2022).
ObserverKult
[1] Prof. Selman Riza, Tri monografina albanologjike. Abeceja-Drejtëshkrimi-Çeshtja gjuhësore, Tiranë 1944.
[2] Mehmet Kraja, Identiteti kosovar, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë 2011, f. 23.
[3] Po aty, f. 24.
[4] Në Kongresin e Manastirit ishin ftuar edhe arbëreshët e Italisë, të cilët, në pamundësi që të merrnin pjesë, autorizojnë, siç pohon Karl Gurakuqi, ish-studentin e Kolegjit të Shën Adrianit, Luigj Gurakuqin, që t’i përfaqësonte edhe ata në Kongres. (Shih: Tomor Osmani, Udha e shkronjave shqipe,Tiranë 2008, f. 513).
[5] Letër e Klubit shqiptar të Shkupit shkruar më 6. 11. 1908. (Tomor Osmani, Udha e shkronjave shqipe, f. 508).
[6] Përveç katër delegatëve të përmendur të Klubit të Shkupit (Ibrahim Efendiu, Emin Beu/ Kadriu, Haxhi Jashar Efendiu dhe Rrok Berisha), në Kongres merrte pjesë si delegat me të drejtë vote edhe Selahudin beu, një shqiptar nga Prizreni (oficer kajmekam dhe anëtar i Xhemijetit) (M. Quku, Mjeda 3, f. 479). Të dhënat e mësipërme tregojnë qartë se nuk qëndron aspak pohimi se“Në Kongres nuk kishte asnjë delegat nga Kosova”.
Lexo edhe: