“Nostalgjia është aroma”, Dervishi dhe Kabani flasin shqip

Këto ditë doli nga shtypi përmbledhja me poezi të Mahmud Dervishit dhe Nizar Kabanit “Nostalgjia është aroma”, përzgjedhur dhe përkthyer nga Agron Islami.



Dervishi konsiderohet një nga poetët më të rëndësishëm palestinez, arabë dhe ndërkombëtarë, emri i të cilit shoqërohet me poezinë e revolucionit dhe atdheut, dashurisë, lirisë dhe romantizmit. Ai po ashtu ndikoi në avancimin e poezisë arabe dhe futjen e simbolizmit në të.


Ndërsa Kabani u nderua dhe u simpatizua gjerësisht për vargun e tij romantik dhe sensual. Vepra e tij u përhap jo vetëm në dhjetëra vëllimet e tij të poezisë, por edhe në
tekste të paraqitura nga interpretues të shquar. Përmes të shkruarit gjatë gjithë jetës, Kabani e bëri gruan, lirinë dhe dashurinë temë kryesore dhe frymëzuese.

” Poezia arabe ka mbartur ndër shekuj një mistikë të shprehur përmes përmallimit, rrugëtimit drejt së shkuarës dhe kthimit në shtëpinë e shpirtit. Edhe kur të dhënat historike e biografike për poetë e ngjarje të caktuara na flasin për autorë që ushqehen nga frymëzime tokësore e që s’mbartin interesa hyjnore, sërish vargjet që rrjedhin në gjakun e poezisë së tyre e mbartin qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme këtë frymë mistike. I njëjtë është rasti i poezive të përfshira në këtë vëllim, të cilat, edhe pse të “prodhuara” nga autorë tejet shekullarë, duket se përtej dorës dhe mendjes së poetëve, janë rritur e kanë hedhur shtat nga trualli i vjetër e i pandryshueshëm arab e oriental. Ndaj dhe përmallimi, rrugëtimi, dashuria e nostalgjia e shprehur në vargjet e këtij vëllimi nuk bëjnë tjetër veçse e kthejnë shpirtin në shtëpi. Posaçërisht përkthimi i hijshëm në shqip i Agron Islamit i japin këtij kthimi në shtëpi një përmasë universale, që është në gjendje t’i flasë e t’i kumtojë njëlloj bukur edhe lexuesit shqiptar.”, shkruan studiuesi Edvin Cami, në pasthënien e librit.

Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Ajan”, dhe tashmë mund ta gjeni në librari./ObserverKult