Hamdi Reqica: Mall

malli
më deh me fuqinë e aromës së gjelbërimit të pranverës
më vret me shkëlqimin e luleve shumëngjyrëshe të fushave të pojatës

malli
pas zukatjes së bletëve nektarplot mjaltin e bën zeher
vallen e zogjve në degët e lisave e kthen në mort

malli
rritet me barin e njomë të livadheve nën mriza
shpon me trokitjet e qukapikthëve të palodhur

malli
vjen me dallëdisjen e kujtimeve që më çojnë peshë
flakën e vetmisë natë e ditë e ndez

malli
m’i gërryen brigjet e gjoksit si vërshima e vjeshtës
ma shkund shpirtin si gruri kokrrat tek arat e vaut

malli
si dielli tokës i jep jetë e si hëna natën e lyen me argjend
trupin e njomë si mëndafshi me të zezë e mbulon

malli
kosë më shkurton
lavë më djeg

malli
ilaç ka sall kujtimet
që shpirtit eshtrat t’ia mbajë në këmbë

oi
kujtimet janë botë e botës sime.


Faik Bej Konica

Lexo edhe:

FAIK KONICA: MALLI I ATDHEUT