Sadedin Mezuraj: Eja të puthemi në pragun e muzgut

eja

Një flutur
u rrëzua
mbi flokët e tua ngjyrë portokalli
Një heshtje e madhe ngrihet nga fushat,
si bota në ditën e parë të krijimit.

Kjo mbretëri memece bari e gjethesh
Na fton të futemi në gjirin e pyllit.

Eja drenusha ime sybukur
Poshtë pishave të larta epshëm të puthemi,
Të harrojmë Kohën
Veten
Harrimin.

Eja të shtrihemi mbi këto lule të brishta
Goja jote-
hapur si zambak ujor prej zjarri
Të shuaj etjen time prej burri.

Ndërsa dielli fundset në krahët e muzgut,
Qiellin kundrojmë
të shtrirë në shpinë,
Ti druheshm
se diku do të shfaqet shtriga e përrallës me mollën e zilisë
Unë druhem
se diku do të shfaqet gjarpëri tundimit…

Ç’mistere fshehin ditët që do vijnë?
E dëgjon parathënien profetike të zogjve?
Mbi kurorat e pemëve
pa prá po këndojnë një meshë për dashurinë…

ObserverKult

Kliko edhe:

SADEDIN MEZURAJ: KUJTESË DIDAKTIKE PËR DASHURINË