Sadedin Mezuraj: Kujtesë didaktike për dashurinë

për dashurinë

* *

Tashmë ne njëri – tjetrit i kemi thënë: të dua
por a i dimë të gjitha çfarë duhet të dimë?

Dashuria nuk është vetëm puthja drithërimë
në ditën e takimit të parë
Udhëtimi do të jetë i gjatë,
i vështirë,
nga toka e zjarrtë e vrulleve epshore,
në polin e ftohtë të grindjes dhe mërisë.
Në mundemi të qëndrojmë bashkë
përballë tundimeve,
Ti një Helenë magjepsëse të jesh
dhe Penelopë besnike të mbetesh në çdo stinë,
e pa joshur nga meshkujt sharmantë
me vështrime tigrash të unshëm në savanë,
ndërsa unë
Odise i lidhur pas trupit tënd të bukur,
kur këngë sirenash të dëgjoj nëpër erë.

Dashuria nuk është bashkimi dy gjysmave në një të vetme,
Grekët e lashtë
kaq ditën, aq thanë.
Dashuria është ngjitja e Dyshit në skenë*,
Nuk mundemi të jemi identitete identikë,
As dy trupa të shkrirë në një shpirt.
Ti do mbetesh Ti
Unë do mbetem Unë,
Zemrat në interferencë
e prapë,
mes nesh do ketë një diferencë;
Një urë mbi dy brigjet e unëve është dashuria,
poshtë saj rrjedh gërryes lumi i kohës,
humneron humbja
pickon pasiguria.

Dashuria
na mban lidhur
si dy pemë,
me rrënjët e mpleksura në tokën e besimit.
Sa e lehtë është e thëna “të dua”!
Po a mundemi,
a mundemi ta mbajmë dashurinë gjallë,
kur të ndjejë erën e qepëve në kuzhinë,
kur mëngjeseve të zgjohet me sytë e pagjumë?

Do plagoset dashuria
nga keqkuptimet,
zënkat
xhelozitë,
do t’i merret fryma
nga barra e detyrimeve,
Nga faturat
gara rraskapitëse
Përgjegjësitë.

Dashuria është një lule e brishtë jasemini
mbirë mbi kraterin e një vullkani,
Atje ku është llava
Atje është dhe hiri.
Brymë boreale në këtë botë brutale,
E ushqyer me ëndrra
me fjalë dhe frymë.
Engjëlldemon është dashuria,
na ngjit në kreshta të larta ngazëllimi,
në hone të hidhta pikëllimi na vithis.

Në mundçim të shmangim ditën fatale
kur dashuria,
duke u shërbyer
të shpërbëhet,
dhe nga dhimbjet
dhe plagët,
e shtrirë në shtratin e vdekjes
të japë shpirt.

Në mundçim të ecim në këtë tokë mundimi,
bashkë,
dhe njeri tjetrin ta duam edhe përtej dashurisë,
edhe kur dalta e kohës
në fytyrat tona të ketë gdhendur rrudha,
dhe me dashurinë
hipur si në një anije të plakur nëpër dallgë jete,
Në një liman të qetë të kthehemi,
të thinjur e në paqe
pa brenga të themi:
Ky ishte udhëtimi në këtë botë të trishtë,
Mirë se vjen o vdekje!

*Ngjitja e Dyshit në skenë- koncept i filozofit francez Alain Badiou , në librin e tij “Lavd dashurisë”

ObserverKult

Lexo edhe:

CESARE PAVESE: DO TË VIJË VDEKJA DHE DO T’I KETË SYTË E TU