Sueton Zhugri: Nuselalë, nusepashkë…

Poezi nga Sueton Zhugri

Ç’pasuri është dashuria!
Kur dikush thotë «të dua» dhe një e sinqertë «edhe unë të dua» dëgjohet si jehonë në univers, oh!
Aty formohet
një mal termitesh gjaku që grumbullojnë pasuri,
një vazhdim Luksori apo Persepolisi,
një obelisk paharrimi.
Diç e skalitur nga pranverat e shkuara, si një fotografi bardhezi brezash të humbur,
një lëkundje kozmike krahësh, një vals, një nuselalë e trembur, një nusepashkë pikaloshe,
sidoqoftë diçka që fillon me fjalën
nuse dhe mbaron me fustanin e saj
të zhveshur pranë shtratit.

Formohet një pasuri për çdo vështrim të mbjellë në trupa
dhe në boshllëkun që ata formojnë
kur më nuk janë.
Dashuria
— kjo peshë e florinjtë
e që mbajmë në xhepat e kostumeve
të ditëve tona,
si një sahat që një stërgjysh i largët na ka lënë si amanet të fshehtë
e që s’harron asnjëherë
bashkë me zemrën së trokëllituri…

Ai nuk di ku sheh ajo,
ajo nuk di ç’sheh ai.
Pëlhura e rrjetës së syve të saj
pushton universin.
Dhe ai është njeriu më i pasur në botë.

ObserverKult


Lexo edhe:

SUETON ZHUGRI: TI MË PUTH SI FËMIJË

Ti më puth me pafajësinë e një fëmije,
me buzët e puthitura, me sytë e mbyllur,
me kthjelltësinë e një vetëdije të pastër,
me ndjesinë e qënësishme që unë do mbetem gjithmonë me ty,
atje,
gjer në mbarim…

Pas asaj puthjeje duart më ngrihen lart të çarmatosura,
ajo puthje është jotja edhe sikur të shtegtonte në krahë kometash thellë në yje,
ajo është shtrat i butë luleborësh mbi belin e lëndinave,
është harresa e ujët liqenore që prehet mbi veten…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU