Si i zgjidhin arkeologët misteret e mijëra viteve më parë?

Autopsi, skanime të kompjuterizuara, analiza të gjurmëve të gishtërinjve, teste kimike dhe biologjike mbi materiale të të gjitha llojeve, të kryera nga ekspertë me veshje të bardha, që janë të gatshëm t’i vlerësojnë ato në detaje.

Nuk po përshkruajmë skenën e një episodi të serialit “C.S.I”, por punën e përditshme të arkeologëve, e cila është sot shumë e ngjashme me atë të agjentëve policisë shkencore.

Pra ata janë të aftë të rindërtojnë historinë e njerëzve, kafshëve, bimëve dhe objekteve, shpeshherë duke iu përgjigjur pyetjeve mijëravjeçare.

Në realitet, bashkimi mes arkeologjisë dhe shkencës lindi pas Luftës së Dytë Botërore, kur figura e “gjuetarit të thesarit” u zëvendësua përfundimisht nga ajo e një profesionisti me aftësi ndërdisiplinore gjithnjë e më të mëdha.

“Pika e kthesës ndodhi në vitet 1960, kur në SHBA lindi e ashtuquajtura arkeologjia e re ose “arkeologjia procesuale”.

Ajo lëvizje mbështeti nevojën për një dialog me të gjitha shkencat, përfshirë matematikën dhe statistikën, në mënyrë që të ekstrapolohen të dhëna të dobishme për të analizuar më mirë gjetjet”- thotë Silvia Paleki, profesoreshë e metodologjive të kërkimit arkeologjik në Universitetin e Xhenovas, Itali.

Me fjalë të tjera, arkeologjia e re aplikon metodën eksperimentale tashmë të njohur dhe të përdorur në disiplinat shkencore. Për të rindërtuar sa më mirë të kaluarën, studiuesit duhet të jenë në gjendje të shtjellojnë teori të përgjithshme, që janë logjike dhe të verifikueshme, duke u mbështetur jo vetëm tek historia, por edhe në fusha të tjera.

Për shembull gjeologjia, botanika apo zoologjia, mund të na tregojnë se si ka evoluar marrëdhënia e të parëve tanë me zonën përreth.

“Arkeozoologjia, ose më saktë disiplina që studion mbetjet e kafshëve të gjetura në sitet arkeologjike, është një nga specializimet që i përket plotësisht kësaj qasjeje të re.

Për shembull, duke analizuar moshën e therjes, gjininë dhe karakteristikat e tjera së kafshëve të gjetura në vendet arkeologjike, ne mund të kuptojmë më mirë zakonet e të ngrënit. Po ashtu ato kulturore dhe ekonomike të komuniteteve të tëra, duke qenë gjithashtu në gjendje që të matim mënyrën se si ka ndryshuar pasuria e njerëzve”.

Ajo që i dha një shtysë të mëtejshme parimeve të arkeologjisë proceduriale ishte futja e një teknike hetimore revolucionare:e ashtuquajtura “metoda e karbonit 14” (apo radiokarbonit), falë së cilës është e mundur të përcaktohet me saktësi të madhe koha e objekteve të gjetura dhe të përbëra nga materiale organike, si jashtëqitjet e njerëzve dhe kafshëve, bimëve etj.

Në këtë proces përdoret një nga izotopet radioaktivë të karbonit (karboni 14), i pranishëm tek gjallesat, dhe që karakterizohet nga një shkallë konstante dhe e njohur e shpërbërjes.

Sapo vdes një qenie e gjallë, pushon edhe thithja e këtij elementi, që më pas fillon procesin e dekompozimit

“Meqë kemi mundësi të vlerësojmë sasinë e Karbonit 14 të pranishëm në një trup kur ai është gjallë, për të përcaktuar kohën e kaluar që nga vdekja e tij, është njëlloj si të kemi ‘numëruar’ sa sa atome janë ende të pranishme tek mbetjet e gjetura, duke gjurmuar kësisoj moshën e tij të saktë”- shpjegon Paleki.

Sot teknika e radiokarbonit na lejon të datojmë artefakte deri në 60 mijë vjet të vjetra, megjithatë zbulimi i tij nuk ka pasur në fillim lidhje me arkeologjinë.

Gjithçka nisi nga studimet mbi fotosintezën, të kryera në vitin 1940 nga dy studiues të Universitetit Amerikan të Berklit, Martin Kamen dhe Sam Ruben, të cilët ishin të parët që vunë re radioaktivitetin karakteristik të këtij elementi.

Disa vite më vonë, kimisti Uillard Libi i Universitetit të Çikagos, zhvilloi metodën e sotme dhe arriti të datojë saktësisht fragmentin e një anijeje të lashtë egjiptiane, mosha e së cilës tashmë dihej me siguri nga historianët.

Në vitin 1960, Libi fitoi Çmimi Nobel për Kimi, dhe teknika e tij solli një revolucion të madh në kërkimet arkeologjike.

Një tjetër aleat i arkeologëve të sotëm është mjekësia, falë së cilës është shpesh e mundur të rindërtohen me saktësi shumë të madhe “të dhënat klinike” të burrave dhe grave që kanë jetuar mijëra vjet më parë.

Në këtë rast, në skenë hyjnë paleopatologët, mjekë me aftësi arkeologjike (apo anasjelltas), të specializuar në studimin e sëmundjeve të së shkuarës.

Falë tyre ne mund të identifikojmë karakteristikat kryesore fizike të një të ndjeri dhe praninë e patologjive kur ai ishte gjallë. Ndër studimet më të famshme të tyre ka qenë natyrisht faraoni Tutankhamun (mijëvjeçari II Para Krishtit), mumja e të cilit, e gjetur në vitin 1925, i është nënshtruar me kalimin e kohës analizave të ndryshme mjekësore:rreze X, tomografi e kompjuterizuar dhe analiza e ADN-së.

Ato zbuluan se Tutankhamun ishte fryt i bashkimit midis faraonit Akhenaton dhe motrës së tij, identiteti i së cilës nuk dihet ende me saktësi.

Ndërkaq disa skanime CT zbuluan shkaqet e sëmundjeve të faraonit të ri, si çalimi, për shkak të sindromës Freiberg–Köhler. Po ashtu gjetën tek mumja një patogjen që shkakton një formë të rëndë të malaries, e cila ishte ndoshta arsyeja e vdekjes së tij.

“Në thelb, ne arkeologët përdorim të njëjtat metoda si mjekët dhe detektivët, duke u përpjekur të shpjegojmë shkaqet e ngjarjeve, në të cilat nuk kemi qenë vetë dëshmitarë.

Ndaj nuk është rastësi që arkeologët bashkëpunojnë ndonjëherë me policinë shkencore dhe me institute prestigjioze të mjekësisë ligjore si Labanof, Laboratori i Antropologjisë Ligjore dhe Odontologjisë të Universitetit të Milanos”- thekson Paleki.

Ndërkaq arkeologjia është shndërruar vitet e fundit edhe në një shkencë të teknologjisë së lartë, duke u mbështetur tek Inteligjenca Artificiale.

Një shembull është projekti ArchAIDE, i zhvilluar në vitin 2019 nga Universiteti i Pizës, që lejon njohjen dhe datimin automatik të fragmenteve të qeramikës përmes një aplikacioni të veçantë të bazuar tek një teknologji engjashme me atë të njohjes së fytyrës. Pra hetimet mbi të kaluarën e njerëzimit nuk ndalen.Ka ende shumë për të zbuluar. / Focus – Bota.al

ObserverKult


Lexo edhe:

ARKEOLOGËT BËJNË ZBULIMET E MËDHA NË SHQIPËRI

Misionet arkeologjike janë rikthyer në Shqipëri me zbulime të reja pas ndërprerjeve prej pandemisë së koronavirusit. Në Parkun Arkeologjik të Finiqit arkeologët shqiptarë dhe italianë kanë zbuluar objekte të periudhave të ndryshme. Përfshirë dhe një skulpturë të përmasave të mëdha. Në gërmimet e këtij viti në Finiq po marrin pjesë edhe studentë shqiptarë dhe italianë të arkeologjisë.

Gërmimet në taracën jugore të Finiqit

Arkeologët shqiptarë dhe italianë kanë rikthyer gërmimet në taracën jugore të Finiqit, një vendbanim i lashtë mes Sarandës dhe Delvinës, ku gërshetohen disa periudha historike.

Gërmimet e misionit shqiptaro-italian, që në këtë vendbanim kanë nisur që në vitin 2000. Këtë vit drejtohen nga Belisa Muka nga Instituti shqiptar i Arkeologjisë dhe Giusepe Lepore nga Universiteti i Bolonjës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult