Pse duhet rilexuar sot Aristotelin?

Nga Edit Holl

Që nga mesi i shekullit XVIII-të, bota perëndimore ka pasur mundësi të diskutojë publikisht mbi çështjet etike, pa iu referuar Krishterimit.

Mendimi modern mbi moralin, që niset nga supozimi se perënditë nuk ekzistojnë, ose të paktën nuk ndërhyjnë, është në fillimet e veta.

Por grekët e lashtë dhe romakët, ndërtuan shkolla të fuqishme filozofike të mendimit etik për më shumë se një mijëvjeçar, nga agnostikët e parë të shpallur, si Protagora (shek. V P.E.S), tek mendimtarët e fundit paganë.

Akademia e Platonit në Athinë, nuk u mbyll përfundimisht deri në vitin 529 E.S, nga perandori bizantin Justinian.

Kjo traditë e gjatë e filozofisë morale, është një trashëgimi e çmuar e qytetërimit të lashtë të Mesdheut.

Ajo ka nxitur disa mendimtarë shekullarë bashkëkohorë, të ballafaquar me boshllëkun moral të krijuar pas rënies së Krishterimit që nga fundi i viteve 1960, të ringjallin shkollat e lashta të mendimit.

Më pak e njohur është receta e lumturisë (eudaimonia), e mbështetur nga Aristoteli.

Në Liceun e tij në Athinë, ai zhvilloi një model për maksimizimin e lumturisë, që mund të zbatohej nga individë dhe shoqëri të tëra, dhe është ende i rëndësishëm sot.

Ajo u bë e njohur si “filozofia peripatetike”, pasi Aristoteli zhvilloi debate filozofike, teksa shëtiste në shoqërinë e me bashkëbiseduesit të tij.

Parimi themelor i filozofisë peripatetike, është ky: qëllimi i jetës, është të maksimizojë lumturinë duke jetuar me virtyte, duke përmbushur potencialin tuaj si njeri, dhe duke u angazhuar me të tjerët – familjen, miqtë dhe bashkëqytetarët – në aktivitete me përfitime reciproke.

Njerëzit janë kafshë, dhe prandaj kënaqësia në përmbushjen e përgjegjshme të nevojave fizike (ngrënia, seksi), është një udhëzues për të jetuar mirë. Por, meqenëse njerëzit janë kafshë të avancuara, natyrisht që priren të jetojnë së bashku në komunitete të vendosura (poliset), ne jemi “kafshë politike” (zoa politika).

Njerëzit duhet të marrin përgjegjësinë për lumturinë e tyre pasi ‘Zoti’ është një entitet i largët, që mund të kontrollojë lëvizjen e gjithësisë, por s’ka asnjë interes për mirëqenien e njerëzve, dhe as ndonjë funksion providencial në shpërblimin e virtytit apo ndëshkimin e imoralitetit.

Megjithatë, imagjinimi i një jete më të mirë dhe më të lumtur, është i mundur pasi njerëzit kanë aftësi të lindura që u lejojnë atyre të promovojnë lulëzimin individual dhe kolektiv. Këto përfshijnë prirjet për të bërë pyetje rreth botës, për të menduar mbi veprimin dhe për të aktivizuar kujtimet e vetëdijshme.

Po çfarë donte të thoshte Aristoteli me “lumturi” ose eudaimonia? Ai nuk besonte se ajo mund të arrihej nga akumulimi i gjërave të mira në jetë – duke përfshirë të mirat materiale, statusin apo të qënit një person publik – por ishte një gjendje e brendshme dhe private e mendjes. Megjithatë, as ai nuk besonte se ajo ishte një gjendje e vazhdueshme.

Për Aristotelin, eudaimonia kërkonte përmbushjen e potencialeve njerëzore, që nuk mund të arriheshin duke kënaqur nevojat fizike.

Dhe as nuk besonte se lumturia përcaktohet nga proporcioni total i kohës sonë të kaluar duke përjetuar kënaqësi, siç bëri edhe studenti i Sokratit Aristipi nga Kirena.

Aristoteli këmbëngulte, se lumturia është e përbërë nga diçka më e madhe dhe e ndryshme, nga një grumbullim i përvojave të këndshme.

Që të jemi të lumtur, ne duhet të mbështesim aktivitete konstruktive, të cilat ne besojmë se janë të orientuara nga qëllimi. Dhe kjo kërkon një analizë të ndërgjegjshme të qëllimeve dhe sjelljes sonë, dhe praktikimin e “etikës së virtytit”, dhe të “jetuarit mirë”.

Historikisht, shumë filozofë, si Egoistët, kanë pyetur nëse virtyti është në thelb i dëshirueshëm. Por, që nga mesi i shekullit XX-të, të tjerët rehabilituan etikën e virtytit dhe u përqendruan intensivisht mbi idetë e Aristotelit.

Filozofi i njohur grek, thotë se nëse lumturia nuk është e dërguar nga Zoti, atëherë ajo “vjen si rezultat i një mirësie, së bashku me një proces mësimi dhe përpjekje”. Çdo qenie njerëzore, mund të praktikojë një mënyrë jetese që do ta bëjë atë më të lumtur.

Sipas tij, lumturia është shumë më e vështirë të mbërrihet se sa kënaqësia. Por nuk është e pamundur.

Ju nuk keni nevojë për pasuri materiale, forcë fizike apo një pamje shumë simpatike, për të filluar ushtrimin e mendjes tuaj sipas parimeve të Aristotelit, pasi mënyra e jetesës që ai mbron ka të bëjë me një përsosmëri morale dhe psikologjike, më shumë sesa një gjë që shtrihet tek pasuria materiale apo përsosmëria trupore.

Ai e pranon se ka edhe pengesa më të vështira:pasja e fëmijëve apo miqve që të zhgënjejnë plotësisht.

Një tjetër është problemi më i vështirë me të cilin përballet çdonjeri prej nesh: humbja e fëmijëve, dhe miqve nëpërmjet vdekjes.

Megjithatë, është sërish e mundur që të jetohet mirë edhe pas fatkeqësive të tilla. Në këtë kuptim, Aristoteli është një optimist moral.

Ai ka meritën, se pa shumë kohë përpara Sigmund Frojdit, se instinktet tona biologjike janë më të natyrshme se sa të sjellurit në mënyrë të moralshme.

Kjo e bën etikën e tij, të pajtueshme me psikoanalizën moderne.

Një ide inovative aristoteliane, është se emocionet që supozohet të dënueshme, madje edhe zemërimi dhe hakmarrja, janë të domosdoshme për një psikikë të shëndoshë.

Në këtë drejtim, filozofia e Aristotelit kontrastron me pikëpamjen stoike sipas së cilës zemërimi është irracional dhe një formë e çmendurisë së përkohshme, që duhet të eliminohet. 

Vetëm se sipas tij emocionet e tilla duhet të jenë të pranishme në sasinë e duhur, “mesatare” ose “të kuptueshme”.

Zemërimi është gjithashtu thelbësor për një personalitet që ecën në jetë. Një individ apatik që nuk zemërohet kurrë, që nuk ngre zërin për veten ose vartësit e tij kur duhet, dhe nuk mund të arrijë lumturinë.

Megjithatë, zemërimi i tepërt apo i njerëzve, është diçka e gabuar dhe shihet prej tij si një ves.

Ndërkohë Aristoteli është një utopik. Ai imagjinon mundësinë që të gjithë njerëzit do të jenë një ditë të aftë të kuptojnë potencialin e tyre, dhe ta shfrytëzojnë plotësisht atë.

Ai parashikoi një botë futuristike, në të cilën përparimet teknologjike, do ta bënin të panevojshme punën e njeriut.

Edhe teoria politike e Aristotelit ishte fleksibël.

Ju mund të jeni një kapitalist apo socialist, një biznesmen apo një punonjës humanitar, të votoni për thuajse çdo parti politike, dhe të jeni sërish jeni një aristotelian i qëndrueshëm.

Aristoteli e dinte se njerëzit konfliktohen mes tyre, kur të mirat materiale janë të pakta: ”Varfëria është prindi i revolucionit dhe krimit”.

Falë këmbënguljes së tij për të bazuar teorinë politike mbi nevojat themelore të njerëzimit, Aristoteli krijoi idetë më të avancuara ekonomike që u shfaqën ndonjëherë në kohën e tij, dhe kjo ishte arsyeja se pse e admironte Karl Ma rksi.

Një mohues i ndryshimit të klimës, nuk mund të gjente asnjë inkurajim tek Aristoteli. Ai do të ngrinte që atë kohe alarmin për dëmet që njeriu po i shkaktonte mjedisit.

Për shkak të aftësisë së unike mendore, Aristoteli, thotë që një njeri i keq mund të bëjë 10.000 herë më shumë dëm, sesa një kafshë./ Aeon.co/Bota.al

ObserverKult


Homeri

Lexo edhe:

FOTO: SI DUKESHIN FYTYRAT E ARISTOTELIT, HOMERIT DHE ALEKSANDRIT TË MADH?

Alessando Tomasi, na mundëson që të kthehemi pas në kohë për të parë sesi dukeshin personazhe të rëndësishme që kanë ngritur themelet e njerëzimit.

Tomasi ka rindërtuar duke pikturuar, fytyrat e filozofëve dhe politikanëve antikë grekë dhe romakë. Ai ka përdorur si bazament statujat në muze apo përshkrimet që ka gjetur në tekstet e lashta.

Jeni kurioz për të parë sesi kanë qënë “të preferuarit” tuaj shekuj më parë? Hidhini një sy…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult