“O qyqar, o Kirenar”, poezi nga Fan Noli

Fan Noli

Poezi nga Fan S. Noli

Ç’deshe ti, mor, në Kalvar,
O qyqar, o Kirenar!
Del me poçen për sehir,
Ndrit me Kryqin si martir.

Rent nëpër kallaballëk,
Se ç’po ngjan s’merr vesh as gëk,
Je i pir’ e s’mban dot anë
Për çlironjës a tiranë.

Nëpër pluhur dhe shamatë
Turen burrat, çiren gratë,
Turm’ e ndezur, e tërbuar,
Krishtin për të kryqësuar.
 
“Mir’ e gjeti, the, sarafi,
Se ashtu ia desh qylafi,
Se po çvishte vegjëlinë
Me uzurën dhe vergjinë.”

Por kur pe që u- gënjeve,
Kryqësimin s’e pëlqeve.
Kirenar, seç’ the një fjalë:
“Mos e vrisni këtë djalë!”

“Daleni, the , mor ama-ni
Oratorin mos e ngani
Si politikan flet n’erë,
Po s’e bën më tjatër herë!”

Fare bukur e fillove
Po më kot i këshillove,
Se katilët s’të sajdisnin,
Si pjanik të qesëndisnin.

Dhe kur pe këto havaze
Një dolli me verë zbraze
Për të mbytur mallëngjimin,
Për të shuar hidhërimin.

Po dollia të tronditi
Dhe mi Krishtin të vërviti,
Të tre Kryqet i përfshive
Dhe për-dhe të gjith’ i shtrive.

Ç’ngjau pasandaj s’kuptove
Kryqin gjer sa e zaptove
Dhe si Krisht u-kabardise
Dhe në djers’ u-batërdise.

Ç’vete shtrembër në Kalvar,
O qyqar, o Kirenar!
Seç’ përmbysesh, kamçikohesh,
Rrihesh, ngrihesh, çdehesh, zgjohesh.

Krishtin me habi pyet:
“Nga më krisi ky tërmet?
Pse pa faj po më mundojnë,
Kryqn’ e huaj ç’m’a ngarkojnë?”

Krishti po të ngushëllon,
Dhe durim të këshillon:
“Mos kij dert, se u-bekove,
Me dolli lavdi fitore!

Mos kij dert, mor Kirenar,
T’a bën këngën një Shqiptar!”
“Po ku është Shqipëria?”
“Tek ndes vetë Perëndia!”

Bëj gajret, mor Kirenar,
Drejt përpjetë në Kalvar!
Për paradën që bën ti
Çdo besnik të ka zili.

*Titulli i origjinalit: “Kirenari”

Përgatiti: ObserverKult


fan s. noli

Lexo edhe:

FAN NOLI: JEPNI PËR NËNËN

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult