E puthi në ballë… I ngjau i ftohtë akull…

Nga Petrit Palushi

Fjolla e puthi në ballë. I ngjau i ftohtë akull. E puthi edhe në dy faqet. Si t’akullta edhe ato dhe me ethe krejt të ftohta. Shkoi e thiri mjekun… Ai erdhi shpejt dhe e preku Ulpianin në ballë.
-Ka pak zjarrmi, -foli ai.
Pa orën. Kish kaluar një pasmesnate.
-Do i japim një qetësues, -foli sërishmi.
U mundua të hetonte diçka, sado të vakët në sytë e Fjollës, të cilët qenë vogëluar sa thuajse mezi dalloheshin dhe, sikur nuk jepnin shenja se mund të nxirrej diçka prej tyre. Kjo zonjë, ta ketë nga lodhja dhe ta ngatërrojë zjarrminë e ballit e të krejt fytyrës me ftohmën? foli vetmeveti dhe doli prej dhome.

Ajo mezi priti atë rast dhe hapi sytë fort, thuajse në katërsh. U mundua që shikimi të rrokte krejt ballin, fytyrën dhe sytë e Ulpianit. Nuk priti më, por shpërtheu si të lirohej prej një mundimi të gjatë, që po ia pakërronte frymën dhe po ia terrtonte sytë njëkohshëm. E ullijta e syve të tij, tashmë në të zezë?
U deshën vetëm pak ditë, që ajo e ullijtë e hijshme të derdhej e të shpërfytyrohej kësisoj, sa mezi njihej ose t’ish e ullijtë e tjetërkujt, por jo e tij?
Sikur u mpi kah duert, ndërsa flokët i morën si të ftohtë.

(I erdhi ndërmend se, një natë, në fillimin e dashurisë së tyre, tek ia kundronte sytë e saj si t’ia thithte palcën e tyre, ai i kish thënë se fytyra e saj bënte dritë edhe në terr. Ajo u ngazëllye tek s’shkonte më….Është varg i një këngë, i kish thënë ai. Më pas ai i tha dy vargjet e para të këngës:

Fytyra jote dritë në terr
Nata ditës dritë i merr…


Vëmendshëm, ajo pa sytë e tij; të ullinjtë me dritëza të shkëlqimta. Sikur s’e vërejti më parë ose i anashkaloi si pandjeshëm..)

Ndërsa tani, ajo e ullijtë e askohshme sikur qe shpërfytyruar dhe rrëzuar rrafsh për toke, sa, edhe mendja më zhbiruese s’mund ta dallonte një t’ullijtë te ngjyra e asillojshme e syve të tij , ose mund t’i shfaqej vetëm si përanash.
-Të ndryshojnë sytë në jetën e njeriut?
Deshi t’u shmangej mendimeve të vrazhda, që po e shqetësonin rëndshëm. Asnjë fjalë, sado e ngrohtë, qoftë edhe ledhatuese s’mund ta ngushëllonte tek e shihte atë, që dikur e kish dashtë me marrëzinë e shpirtit, tani tek dergjej në shtrat, mu para syve të saj. I shkërmoqur, i mbingopur me dhimbje, por me një lehtësi të çuditshme e kish marrë të panjohurën e frikshme, që herë vinte dhe tjetërherë largohej.

Kaq shpejtë prishen sytë e njeriut? sikur lëngoi një grimëherë.
Iu avit Ulpianit, thuajse sa po ia merrte frymën.

Shtrirë në shtrat, palëvizshëm ose lëviz sadopak si shenjë se vetëm po merr frymë në këtë botë, sikur i rrëshqiti goja.
E ndjeu se po lëndohej dyfish n’ato që po thoshte dhe i ngjau se fjalët e tjera që do të shqiptonte do rrinin të ndryme vetëm në mendjen e saj: Ne mbetëm trupa të ngrirë për njëri-tjetrin.

E kapën ethet tek belbëzonte prap-e-prap: Dashuria jonë lagte si shi i imët.
Ndjeu se iu liruan krejt pejzat e trupit.
Qe herë e lehtë, herë e rrëmbyeshme dhe unë, megjithatë kisha frikë prej një ndjenje të tillë, belbëzoi sërish. Si e tillë qe tepër e madhe të përtypej.
I lëshoi sytë rishtas te fytyra e Ulpianit pakëz e verdhë, si e një të verdhë të lehtë, por disi të shpëlarë si e gjetheve të ftoit në mbarim vjeshte.
Qe një zili e bukur, ndjellamirë, foli prap.
Pa rretherrotull. Veç ata të dy n’atë dhomë. E nxori prej mendje se mjeku u largua me kohë prej aty.

Një herë më preku gjinjtë, më puthi ethshëm, foli sikur pati dëshirë të rrëfente.
Kujt po i rrëfente? Natës së gjatë apo mëngjesit që s’po vinte kurrë? Atij, që dergjej në shtrat dhe qepallat I kishte plumb të rënda? Apo vetes së saj, për diçka të harrueshme krejt, që I shfaqej në mendje vetëm si fjollëz tymi dhe tani, ajo po tregohej kaq e shnjerëzishme tek mendonte ashtusoj?
Sikur nuk qe histori e tyre, por e kish dëgjuar si rastisht, as e mbante mend se prej kujt e kishte dëgjuar, por njëkohësisht as e mbante mend se në ç’vend e kish dëgjuar.
Bulëzat e dëshirës së saj qenë shtuar ndërkohë, kur prekja në gji dhe puthja e asonatshme në buzë të zgjaste deri në mesnatë, por befas, ai u tërhoq pakuptueshëm prej saj dhe i tha: Ja, këtu është Fjolla , te gjinjtë dhe te buzët. Ajo u shtang, aqsa pati dridhje të syve. Ai harroi sytë e saj, i shmangu dhe sikur i shpërfilli me një lehtësi të çuditshme. Dikur, tek e ledhatonte i pati thënë se sytë e saj bënin dritë edhe përmidis territ, ndërsa n’atë çast , në mendjen e tij sytë e saj sikur u rrëzuan përdhé ose ai s’pati dëshirë t’i shihte më.

Sikur u ndie plogësht, por fjalët që do të thoshte, mbase do e lehtonin sadopak ose do ia shpërfytyronin ato mendime që po i derdheshin rrëmujshëm:
Megjithatë , e patëm për zemër njëri-tjetrin….
Eci bukur do herë nëpër dhomë.
Më pas u ul në karrigen pranë shtratit të tij . E preku lehtas Ulpianin në fytyrë dhe, sikur u mbush me frymë kur vu re se atë e kish kapluar një gjumë i thellë. Ja, sa të zgjohej, i dha zemër vetit , do t’i thoshte të zbriznin nëpër shkallë dhe të qëndronin për do kohë në oborr. Nata qe e qetë dhe yllzit do u rrinin mbi krye.
Iu afrua edhe më. I lëshoi sytë do kohë kah fytyra e tij. E rinueshme foli, njëjtë si dikur. Pati pezm në mendje që s’mundi t’ia shihte sytë. Ai i kish mbyllë qepallat me kohë vetëmse frymonte si njeriu që bën një gjumë të rëndë.

….Ulpiani hapi qepallat. Lëshoi sytë te duart e Fjollës. Vështrimi iu pikëzua më tepër te thonjtë e duarve. Thonjtë e lyer me bojna ngjyra-ngjyra, por vezullimi qe i zbehtë ose kështu i ngjau atij.
Iu shpërfaq në tru se tek Fjolla, aty për aty po shpaloheshin ndjesi të ngatërrueshme, por që po shuheshin njëkohësisht. Dikur i lyente thonjtë me bojë në ngjyrë të ullijtë, pëshpëriti dhe mbylli qepallat përsëri.

*Shkëputur nga romani “Shtrati 13” i Petrit Palushit

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

PETRIT PALUSHI: LIBRAT E PARË QË MË LANË MBRESA

Leximi i librave zakonisht  nis kah klasa e tretë a e katërt e Fillores.

Natyrisht, në këtë kohë dallohen më pasionantët, të cilët s’i ndahen leximit të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës së tyre.

Leximi për ta kthehet në  domosdoshmëri, në plotësim të dëshirave të tyre për  njohje. Gradualisht, mësojnë se bota letrare është labirinth, e pamatshme dhe dhe që nuk shterret kurrë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult