Cecilia Resio: Është një fëmijë që qan…

Nga Cecilia Resio

Është një fëmijë që qan. Ajo e qara që bëjnë të sapolindurit, e ritmuar dhe pa ndalesa të dukshme, për të grishur të ëmën në detyrën e mëmësisë.

Sjell ndër mend kur u ktheva prej shtëpisë së lindjes, mora një taksi, me Sofinë mbështjellë me një batanije thurur me grep dhe e vështroja siç soditet qielli, natën, kur je në një pyll.

Ndjeva marramendje teksa shikoja një nga një yjet e saj: sytë, duart, veshët, ballin dhe mandej e nuhata.

Krejt shqisat i kisha në vigjëlim si një shtazë që përshkon një çeltinë në errësirë.

Kishte erëmim të ri, i tillë që vendoste një lidhje të vetvetishme dhe të thellë përkatësie të ndërsjellë. Gjinjtë shtynin qumështin që përgatisnin. Riprodhimi është ngjarje revolucionare për një trup. Ndryshon gjithçka, shtrembëron, shndërron.

Më kujtohet edhe kur mbërrita në “Via Porpora” dhe u ngjita në katin e parë nëpër shkallë sikur të isha duke rendur për të kapur hënën.

Jetonim në një shtëpi të madhe e të vjetër, një nga ato vilat e Milanos së një herë e një kohe, një shtëpi e bukur me tarracë të madhe që shikonte nga kopshti në të cilin rritej një manjolë gjigante.

Hyra në shtëpi dhe e çova Sofinë në djep. Ajo po flinte. Pastaj u ula buzë shtratit dhe e vështrova gjatë. Ndihesha e lumtur dhe e pazonja, përjetova një ndjesi diku mes dalldisë dhe frikës.

Një qenie e vogël njerëzore, një picirruke, që varej krejtësisht nga unë. Pikërisht, në atë grimëkohë, unë linda sërish.

Dhe vendosa që të jem në lartësinë e saj. Në lartësi në gjithçka. Dhe kështu ndodhi.

Pa fodullëk. Bëhesh nënë, jo vetëm sepse e ke sjellë fëmijën në botë, por duhet ta bësh botën një vend mikpritës dhe të sigurt për fëmijën tënd, çdo ditë, deri në pavarësinë, rritjen e tij.

Ja, këtë mendoj për nënat që gjenden në luftëra, besoj se nuk ka njerëz më të fortë dhe më të dëshpëruar se ato.

Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult


adriana myrtaj: gruaja

Lexo edhe:

CECILIA RESIO: JETA ËSHTË KAQ E SHKURTËR PËR TA SHPËRDORUR ME KEQARDHJE, INAT, ZILI…

Nga Cecilia Resio

Mendoj se të qenit në botë në një mënyrë të bukur përfshin tri mungesa: mungesën e zilisë, mungesën e inatit dhe mungesën në përgjithësi.

Unë, për shembull, kam hapësirë ​​midis miqsh shumë të pasur që kanë shije të diskutueshme për të cilat nuk diskutoj dhe miq shumë të varfër me të cilët diskutoj gjithçka, veçanërisht për poezinë dhe çmimet e para.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult