Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir shkrimtarin Bardhyl Zaimi.
Ja cilat janë librat që Zaimi u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
———————
Mbetet shumë e vështirë të përcaktohesh për librat, të cilët do t’ua rekomandoje të tjerëve për t’i lexuar. Gjithsesi kjo përzgjedhje varet edhe nga konteksti dhe nga frekuencat shpirtërore të momentit. Por, mbase disa libra na trandin “gjer në thelb të jetës” dhe për këtë shkak substanca e tyre letrare banon me të gjitha trazimet në qenësinë tonë dhe në një farë mënyrë ato shndërrohen në piktura të përshpirtshme në galerinë ekzistencës sonë. Sigurisht, nuk janë një, dy ose tre libra, por janë më shumë. Sidoqoftë, mes hamendësimeve do të veçoja tri rekomandime leximesh.
Nga: Bardhyl Zaimi
Iliada
Mbetet padiskutim një monument i letërsisë së përbotshme, një univers letrar i fillimeve njerëzore që vazhdon të reflektojë gjatë gjithë kohës. Një vepër që përmbrendëson edhe gjithë universin mitologjik, ndërkohë që ngritet si një metaforë paanshmërie mbi luftën e Trojës, mbi atë “mëni” njerëzore të gjithëpranishme dhe të kudondodhur që pranë diku mes dashurisë dhe asgjësimit, mes madhështisë dhe shkatërrimit, mes atyre dyzimeve të shumta të qenies njerëzore, dritë-hijeve që kanë vazhduar ta robërojnë përhershmërisht qenien njerëzore.
E rekomandoj “Iliadën” edhe për një fakt tjetër gjuhësor, për shkak të përkthimit monumental të Gjon Shllakut, helenistit të madh shqiptar, i cili ka arritur që të na sjellë në gjuhën tonë këtë kryevepër botërore me një shqipe të kulluar, të qëmtuar me përvujtni në ditët më të errëta të diktaturës komuniste. Një përkthim e mrekullueshëm, me një repertor të gjerë fjalësh shqipe, që na bën të kuptojmë thellësinë e padiskutueshme të gjuhës sonë, aftësinë për të sjellë çdo kryevepër botërore në shqipen tonë. E kam lexuar shumë më herët dhe kam mbajtur shënime për gjithë ato fjalë të moçme, të bukura, të artikuluara në shqip “përmbi” tekstin e Homerit, si një lloj palimpsesti lashtësie me tonalitet të plotë homerik dhe shqiptar njëkohësisht.
Kush dëshiron ta njoh thellësinë e gjuhës shqipe, doemos duhet ta lexojë me vëmendje edhe si gjuhë përkthimin e Iliadës nga Gjon Shllaku, përkthyesit par excellence.
Mbi heronjtë dhe varret
Kur e kam lexuar këtë roman të Ernesto Sabatos, më është dukur njashtu siç e ka përshkruar kritika “një roman tronditës i përshkuar nga një metaforë magjepsëse”. Do të thosha njëjtë tronditës sikurse roman i tij i parë “Tuneli”, mbase një vazhdimësi me më tepër plane rrëfimi, me më shumë ndërvarësi personazhesh dhe me një sfond socio-kulturor të ngritur në art romani.
Një roman i komplikuar me një “sfond dantesk” të shoqërisë argjentinase, me situate dashurie që shkojnë përtej të zakonshmes, që zhvendosen në ndërgjegjen e personazheve si arketipe nga të cilat vështirë çlirohen, sepse prapa tyre ka një sfond historik të realiteteve acaruese argjentinase.
Ky roman mbase është një sintezë e disa paradigmave romanore, ndërkohë që përfshin tipologjitë e rrëfimit të romanit të fillimshekullit, por duke eksploruar me modelin e realizimit magjik tipik për letërsinë latino-amerikane.
Një roman me një fuqi të jashtëzakonshme shprehëse, me situate psikologjike, historike, sureale që të mbajnë të gozhduar gjatë leximit. Mbase asnjë shkrimtar tjetër nuk ka shkuar aq larg në dualitetin shpirt-materie. Ka një fragment rrëqethës në këtë roman ku përshkruhet formësimi i shpirtit përmes mishit. Jo vetëm kjo, ka edhe shumë shfaqje tjera, depërtime, që e bëjnë këtë roman të jashtëzakonshëm.
Antipolitika
Në kohën e gjithëpranisë së ideologjive të shumta, në kohën e një ngërçi të vazhdueshëm të individit, të rrezikimit të lirisë me lloj-lloj formash mobilizimesh populliste, do ta rekomandoja për lexim librin “ Antipolitika” të George Konrad-it, që mbetet një “botëshikim i viktimës”, sikundër mund të jemi ne gjatë gjithë kohës me hiperprani të totalitarizmave dhe të promovimit të vrazhdë të rreshtit si dëgjueshmëri.
“Antipolitika” e Konrad-it nuk është apolitikë, përkundrazi është një angazhim politik i ndryshëm, që në epiqendër e vendosë individin, personalitetin e tij dhe në fakt është një lloj “polisi paralel” që i kundërvihet mistifikimit ideologjik. “Antipolitika” e Konrad-it nuk është apati, por as edhe anarki ose ndonjë lloj shfaqjeje tjetër ekstreme. Përkundrazi “antipolitika” e tij është botëshikim tjetër, shumë më i gjerë dhe më thelbësor mbi shoqërinë.
Tashmë është thënë se përgjithësisht disidentët e Evropës qendrore e ringjallën nocionin e qytetarisë aktive dhe e lehtësuan gradualisht zhvillimin e asaj që njihet si “shoqëri civile”, e cila mohon konformizmin mbytës të sistemit dhe afirmon tolerancën, individualitetin dhe pluralizmin. “Antipolitika” performon pikërisht këto realitete të domosdoshme, këtë liri qytetare, duke e zhvendosur nga retorikat dhe praktikat frymëzënëse shtetërore në pluralitetin shoqëror. “Antipolitika” kundërshton “kulturën” e nënshtrimit dhe afirmon kulturën e pjesëmarrjes dhe sistemin e vlerave.
ObserverKult
Lexo edhe: