Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Daim Miftari.
Si u bëre kujtim
Më kot të të pyes, nga hyre, si erdhe,
kur derën e kyça, dritat i fika, dhe
gati isha të fle. Se nuk duron dot ti
pa ardhë. As unë s’duroj dot pa të parë.
Dhembja
Niset drejt apartamentit tim,
sa herë që i bie ndër mend.
Shpërfillshëm
ecën përballë kalimtarëve të rastit,
përmes fqinjëve, shkallëve
ngjitet.
Kur ndodh
që të jem
i zënë me ndonjë punë
ose jam duke kërkuar
një titull libri në raft
që më humb
përpara sysh,
ajo qetë e plot durim
pas dere më pret,
derisa t’ia hap.
Ulet në tavolinë
dhe ha nga pjata ime,
mbushur gojën plot
si e vdekur nga uria.
Në krevat shtrihet
dhe më miklon me ëndje
si kujtim fëmijërie.
Kur ndodh
mos të qëllojë në shtëpi,
ajo ulet dhe përsëri më pret
në stolat përballë,
pranë hyrjes së apartamentit,
në dimër a në verë,
në borë,
në shi a në diell.
Më del përpara
si fëmijët e përmalluar
që në mëngjes
i kam lënë duke fjetur
e që kur kthehem
ma rrëmbejnë qesen nga dora
për t’i marrë gjërat e veta.
Lehtësisht më dallon në dritë
a në terr,
kur jam vetëm a mes njerëzish.
E diel
Në ballkon taketukja e stërmbushur
e duhanit
erëmon mendime të djegura
të një nate që shkoi.
Fëmijët kanë hapërdarë lodrat
nëpër dhomë.
I shoh si lozin
dhe mallëngjehem
për motrën time të vogël.
Jashtë bën mot i mirë. Përtej
qelqit të dritares,
nëpër degët e bleruara të blirëve
bredhin të përmalluar
zogjtë.
Gruaja më kujton për gjërat
që mungojnë,
ushqimet që duhen blerë.
Duhet ta lyejmë apartamentin
thotë,
janë zverdhur muret,
tavani,
i ka mbjështjellë myku dhomat.
Fëmijët më kujtojnë
çfarë u kam premtuar mbrëmë.
Unë mendoj sa para kam në xhep.
Dikush i bie ziles.
Ushqimi ftohet mbi tryezë.
Dimër në damarët e mi
Nëna vazhdimisht diç kërkon
thua vërtet diç
ka humbur.
Me sytë teposhtë
aty pranë në divan.
Vdekja i shkon vërdallë
ia vështron brazdat
e ballit.
Flokët e bardha ia ledhaton
fije për fije.
Mua,
dimër i bjeshkës më zbret
nëpër damarë.
Ja fundi i rrugës,
sikur do të thotë.
Vaj për gjyshin
I shkoi dheut edhe gjyshi,
dhe lot u bë
në sytë e mi.
I mori me vete
të gjitha rrëfimet,
ndërsa unë i vogël
pas i veja
si qengji manar.
Dhe hera e fundit kur e pashë…
Vdekja
si borí treni në stacion,
ulërinte.
Qava.
U bë lot në sytë e mi.
Tani veç në ëndërr
e takoj.
Nganjëherë në rrugë
ndonjërin,
më vjen ta kap për krahu,
hej, gjysh t’i them.
Ndjesë
Ndjesë, koka ime,
jam sjell keq shpesh
me ty. Sa e sa herë
në qafë të kam rënë,
gati për hiçgjë. Të
kam shqetësuar pa
arsye, kot së koti
të jam vërsulur. Të
kam munduar sa e
sa herë, dhe ti sërish
ke pasur mirëkuptim.
Në pikë të natës
gjumin ta kam prishur,
për gjëra që nuk ia
kanë vlejt’. Në pikë
të dëfrimit, qejfin ta
kam prishur, dhe ti
nga unë s’u lodhe
prapë. Sa net pa
gjumë, kokëçarje
të panevojshme, të
kam shkaktuar,
ndërsa të tjerët në
gjumë të thellë,
gërhitnin. Marrëveshje
që bashkë i kemi arritur,
dhe isha unë prapë unë ai,
që fjalën nuk e mbajta.
Për fajin tim, fajin
ty ta kam lënë, si një
prind që llogari prej
fëmijës kërkon, për
dështimet e veta. Dhe
të jam betuar se thjesht,
s’do të lodh më kot,
po mend nuk vura prapë.
Poezi
Nuk e dija saktësisht ç’ishe,
dhe ç’doje nga unë
vërtet,
kur dorën ma zgjate një ditë,
si atij që humb rrugën
në një vend të huaj,
të largët.
Pastaj frikën ta kam pasur,
kur dhembjen
në sy e ke shikuar
pa u trembur fare,
si fëmija rebel
që kundërshton fjalën
e një babai autoritar.
Nuk e di saktësisht si ndodhi,
kur për herë të parë
hapat drejt meje
i pate drejtuar. E mua
duart më dridheshin.
Isha ende miturak.
Veç të rrahurat e zemrës,
fortë t’i ndjeva. Më more
për dore.
Durimtare si pritja. Kokëfortë
si dhembja.
Dhe çdoherë që s’të shkrova
ashtu siç doje,
ti e pakënaqur,
më hidh në plehra, më thoje.
ObserverKult
Lexo edhe: