Dharma, vetë zbulimi i rrotës, vetë rrota e botës (në dy momente)

ballsor hoxha

Nga Ballsor Hoxha

1.

Sapo ka dalë prej kafes së ditës. Edhe ashtu është kryer orari i punës. Kafja ku rri tërë ditën, gjendet përballë ndërtesës së vjetër të komunës, aty ku punon, dhe prapa e ka një xhami të vogël dhe shumë aktive.

Pikërisht në të katërtin hap ndalet. Ndalet sepse, pikërisht aty, ai mbërrin fundin e botës. Pikërisht aty dhe në atë moment, derisa qyteti  është nën torturën e një zhurme të çmendur të çoroditur të trafikut. Ndalet. Pikërisht ndalet në të katërtin hap. Derisa, pikërisht pranë tij, shumë pranë tij ndalet një autobus me udhëtarët që zbresin, ai ka mbërri fundin e botës.

Tërë jetën e tij ka qenë i sigurt. Ka pasur jetë. Kishte krijuar një familje të shkëlqyeshme me gruan dhe një vajzë. I kishte pasur të gjitha sepse ka qenë natyrshëm i aftë për të gjitha që jeta ka për të ofruar.

Para dy viteve martesë e me vajzën dy vjeçe kishte humbur të tërën. Pa asnjë shenjë. Pa asnjë të keqe. I mirëqenë. E kishte humbur afektin me realitetin, jetonte përbrenda. I kishte lënë të gjitha. Nuk mund të shkonte në punë, familje, prindër para vdekjes, shokë e çdo gjë. Dhe, pak ditë më pas e kishin dërguar me ambulancë në spital. Kishte pasur një shkëputje me çdo gjë dhe nga çdo gjë. Kishte jetuar një kohë që nuk mund as të fliste dhe as të mendonte dhe as të ndjente. Pastaj, pastaj kishte rënë në “fund të pusit” siç i thonë.

Dhe zjarri e kishte kthyer prapë. Kishte filluar të jetoj. Prej fillimit. Prej të të takuarit gjallë, kthjelltë vajzën dhe gruan e tij. Megjithëse vajza dy vjeçe e shikonte e habitur, ishte majmur si dem nga terapia, ishte përhumbur dhe ishte tejet i ngadalshëm si në të folur, si në të menduar dhe si në lojë me vajzën. Gruaja e tij as nuk kishte dhe as nuk donte të kishte raport me atë, i frikësohej. Më nuk kishin asnjë raport ndërmjet vete vetëm se jetonin në të njëjtën banesë.

Pastaj, tanimë gruaja e trajtonte sikur një qenie mes qenit që duhet mbushur ushqim, dhe njeriut për të cilin duhet pasur mëshirë, por jo edhe burrit. Nuk e njihte. I frikësohej. Në të vërtetë, me gruan i duhej të sillej i përulur, i duhej të kërkonte leje për çdo gjë, qoftë edhe për gjëra banale si për të përdorur veturën, as nuk ishte e tij dhe as nuk kishte para për ta vozitur. Nuk kishte asgjë.

Kishte filluar të kërkoj punë e tërë përvoja e punës nuk i ndihmonte, as nuk e vërenin askund. Në të vërtetë dy herë që e kishin thirr në intervistë kishte dështuar totalisht për shkak të mpirjes. Vetëm i kishte shikuar intervistuesit për punë dhe nuk kishte mundur të thoshte asnjë fjalë.

Pastaj pas dy viteve mpirjeje dhe asgjëje kishte gjetur fillin prapë. Ishte zjarri.

Pas dy viteve të punës dhe përpjekjeve kishte arritur. Kishte arritur ta mësonte gruan si të jetonte me atë. Kishte arritur ta mësonte vajzën e tij si të ndjehej dhe si të jetonte me atë, siç e kishte njohur më parë. Pastaj kishte arritur të njihej në vendin e punës të cilin e urrente pikërisht sepse e dinte sa shumë më shumë kishte mundësi. Pastaj kishte arritur të njihej në vend për trajtimet e tij, pas të gjitha katrahurave. Dhe kishte arritur të bëhej i pashmangshëm në përcjelljen e lëvizjeve sociologjike, psikologjike, kulturore dhe shoqërore të tërë vendit, gjë që e kishte bërë gjatë punës së tij më herët. Pastaj kishte arritur edhe të bëhej një prej njohësve më avangard të kulturës dhe lëvizjeve globale. Kishte arritur çdo gjë që mund të arrihej për atë që ishte përpjekur në kohën kur kishte rënë, thellë në kaosin e paqëndrueshmërisë. 

Dhe tani, në hapin e katërt është ndalur. Pikërisht në këtë hap të katërt, pasi ka dalë prej kafes, i mbetur i palëvizshëm para derës së kafes ku rri në pauzë, e kupton se i ka arritur të gjitha. I dridhen këmbët nga zhurma e çmendur e qytetit, por shumë më shumë i dridhen nga ajo që kupton, se pikërisht kjo është fundi i botës. Derisa e di se i ka arritur të gjitha këto, derisa gruaja e tij është duke ardhur për ta marrë, kur edhe ka kuptuar çdo gjë, ka arritur në përfundim se pikërisht kjo është fundi i botës.

Çdo gjë që ka bërë këto vite, të gjitha, dhe e din se mundet çdo gjë. Dhe pikërisht kur mundet të gjitha, pas tërë kësaj katrahure, çdo gjë është e parëndësishme. Çdo gjë është e marueshme. Çdo gjë është e humbshme, dhe çdo gjë është e gjetshme, dhe asnjë prej tyre, as vajza e tij tanimë katër vjeçe nuk janë të rëndësishme.

Pasi që kamarieri i kafes, që e ka parë të ndalur ka dalë jashtë kafes, dhe e ka pyetur nëse është mirë apo mos ka ndonjë problem, në momentin kur i ka arrit të gjitha që i ka humbur një herë, e kupton se as nuk janë të tij, nuk janë të askujt. Se pikërisht tani i ka humbur të gjitha.

2.

Është duke ngrënë copën e tretë të bakllavës. Në lagjen e ‘Bregut të Diellit’ në njërin prej marketeve është hapur një ëmbëltore me ëmbëlsira të një specialisti nga Damasku. Ka ardhur prej krahut tjetër të qytetit, megjithëse edhe e ka shtëpinë në këtë lagje. Ka bërë një orë e gjysmë rrugë në këmbë vetëm për të ngrënë një ëmbëlsirë nga Damasku në mes të Bregut të Diellit. Dhe nuk është i dhënë pas ëmbëlsirave.

Nuk e di, as nuk mund ta dijë, çka e ka sjellë aty, deri aty, në atë kërkim. Nuk e di, nuk ka shpjegim, por edhe nuk i bën përshtypje.

Së pari e kishte marrë copën e parë të bakllavës nga Damasku, e kishte paguar duke u ndjerë si hajn dhe kishte dalë jashtë marketit. E kishte blerë për ta ngrënë në shtëpi. Por, ndoshta edhe më pak se dhjetë hapa tutje e kishte hapur atë dhe kishte filluar ta zhbij. Pas pak e kishte ngrënë të tërën. Duke ndjerë sherbetin t’i kaloj nëpër stomak, duke iu shtuar kënaqësia kishte kontrolluar paratë në xhep. Kishte pasur mjaftueshëm edhe për një.

E kishte zgjedhur të njëjtin lloj të bakllavës. Prapë kur kishte paguar ishte ndjerë sikur hajn. Pastaj kishte dalë në të njëjtin vend, diku mbi çatinë e llamarintë të tregut të lagjes nën tokë, kishte zhbirë edhe tjetrën copë. Ishte në trans nga kënaqësia. Duke fshirë buzët, krejtësisht i tronditur nga sherbeti dhe nga kënaqësia i ishte kujtuar se kishte mjaftueshëm vetëm dhe për një copë bakllave nga Damasku.

Kishte kaluar nëpër të njëjtin ritual të blerjes dhe prapë ishte ndjerë si hajn. Pastaj kishte filluar të zhbijë edhe të tretën copë.

Pikërisht këtë moment ka ngrënë edhe copën e tretë të bakllavës. Mendon se do të kishte mundur të hajë edhe tri copa të tjera, por nuk ka më para.

Papritmas duke lëvizur këmbën tingëllon llamarina e çatisë së tregut nëntokësor, aty ku është ulur. Dhe pikërisht kjo tingëllimë e ndërmend. Shikon lart dhe sheh rrezet e smuta disi të diellit, janë krejtësisht të zbehta dhe të thyeshme disi. Pyetet çka ka bërë. Pyetet dhe nuk e kupton se çka ka bërë. E di se ka ardhur prej anës tjetër të qytetit, ka ngrënë tri copa bakllavë nga Damasku si hajn dhe tani ka mbetur pa ato pak para që ka pasur. Si? Pyetet. Dhe derisa pyetet i fut duart në xhepa për të kontrolluar nëse ka para të tjera.

Derisa i kalon shija e sherbetit të bakllavës së Damaskut thellë në fyt, i bëhet e vetëdijshme edhe një herë e tëra që ka.

Dhe derisa e kupton se nuk ka para që të blej edhe një copë të saj, godet me shputë llamarinën e kulmit të tregut të lagjes. E godet dhe zhurma e tij krijon njëlloj binarë të mendjes së tij. Kujton se tërë kohën ka qenë i mbyllur brenda vetëm një dëshire, një dëshire për të ngrënë bakllavë Damasku. Pastaj se si vetëm këtu sheh se kulmi i tregut është një rrokopujë llamarine, dhe se ky gjendet mbi të.

Shtrihet, krejtësisht i lodhur nga kënaqësia. Shtrihet në një kënd dhe mbulohet me një copë të tepruar llamarine.

Nuk i duhet asgjë, mendon, megjithëse e di se do të kishte ngrënë edhe nja tri copë bakllave të Damaskut. Mendon se si në këto momente është luftë në Damask.

Mendon të gjitha bakllavat që do të mund të kishte ngrënë atje. Pastaj i kujtohet, para se çdo gjë të fillonte së prapthi, ai kishte qenë i lehtë në peshë, krejtësisht i lehtë. Dhe e zë gjumi, flenë, flenë dhe llamarina e cila përplaset lehtë në tokë sikur e këndon.

Në ëndërr sheh se ka pasur një jetë tjetër, apo ndoshta e ka. Dhe pikërisht në ëndërr hamendet nëse tri copat e ngrëna të bakllavës së Damaskut ishin ëndërr dhe aty ku gjendet në kauçin e ditës është realiteti.

Por, pikërisht atëherë i vjen në fyt shija e bakllavës së Damaskut. Jam i drejtë me veten. Flenë./ObserverKult


ballsor hoxha

Lexo edhe:

BALLSOR HOXHA: TRI EPISODE BRENDA KORNIZËS

Çudi shpërhapjeje të së brendshmes, pa ty

Po e shikoja, derisa e rrotulloja në dorë tapën e kristaltë të shishes së uthullës, reflektimi dhe thyerja e dritës në këndet e saj, një e kuqe dhe rozë e fshehtë nëpër to ngacmonte atë pak gëzim të mbetur në këndet e trurit tim.

Siç ndodh, m’u kujtua gjëja më interesante në 24 orët e fundit nën tejndriçimet e reflektimit të dritës. Ishte një ëndërr, ëndërr e qartë e kuptueshme dhe me këtë më se e vërtetë: axha i ndjerë më kishte përqafuar derisa po përshëndesja disa njerëz, po hyja dikund dhe tani ata ishin shpërbërë me ëndrrën bashkë.

Më përqafonte dhe ndieja butësinë e stomakut të tij mbështetur për mua, ndieja vërshimën, ngrohtësinë e gjakut krijuar nga emocionet e atij përqafimi. Ka kohë që ka vdekur, isha i mërzitur.

Diçka që donte vëmendjen time dhe më habiste ishte ngjyra e gjelbër ushtarake e rrobave të tij. Kishte të veshur një rrollkë leshi të trashë dhe ishte tamam, në çdo gjë dhe si gjithëherë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult