Poezi nga Arif Molliqi
LIBRI I HAPUR
Në këtë fillim vjeshte
dielli
protezave të mia prej ashti
ua zgjati shkëlqimin
derisa unë qeshem
me këto proteza
mund ta ha moshën
datat historike nëpër vite
që era shkrumb u vjen
në librin e hapur
jo rastësisht
i gjeta biografinë
këngët
baladat
varrezat e fshatit
dasmën time të bukur
vetëm krushqit mungonin
nëpër ara që kanë mbetur djerrin
i gjeta
krimbat dhe urithin tek rrinin bashkë.
(Llukë e Epërm, gusht 23)
NJË KAFSHË E LIGË
tokën e djegur
e ngjyrosa krejt bardhë
mbeturinat që digjeshin
krejt zi
nën brinjë
mushkëritë ishin mbush
me tym
para syve
terrinë
sikur vdekja rrëfehej
te shtëpia qindvjeçare
asnjë fjalë
por një kafshë e ligë
e kishte zënë pragun e derës
e grimconte gurin
ishte shtrirë pa e trazuar askush
as nata
as dita më dritë…
(31. 07. 23 Llukë...)
HËNA DHE YJET
në dhomën plot më vapë
e shoh detin rërën e nxehtë
peshqit duke u zhveshur lakuriq
për inati të grave
veç deti ka vesh një vello të kaltër
e bisedon më njeriun
për t’i pajtuar hënën dhe yjet
pike pesë nëpër qiell
në tokë
mundohem t’i pajtoj njerëzit
me një poezi
me një mollë dhe
një ftua.
(01.09.23)
ObserverKult
Lexo edhe:
ARIF MOLLIQI: PO NA THONË JETONI NË LIRI E LIRI NUK ËSHTË KJO
Gjithë jetën një ujk avdall
na bie n´torishtë tinëz
na i ha delet
na e kafshon çobanin
derisa na ha
ne mendojmë se jemi n´ëndërr
si në legjendat ballkanike
kafsha grabitqare nuk zbutet
në torishtë me qengjin
Poezinë e plotë e gjeni KËTU