Katër gjëra që nuk mund t’i rregullojmë më pasi kanë ndodhur…

(Rrëfenjë)

Një vajzë, në një sallë të madhe në aeroport, po priste orën e fluturimit. Duke e ditur se do të priste shumë, për të vrarë kohën, bleu një libër dhe një pako biskota.

U ulë në një stol në sallën e pritjes për t’u çlodhur dhe për të lexuar në qetësi. Në krah të saj, ku ishte edhe pakoja me biskota, qe ulur një burrë, i cili po lexonte një revistë.

Kur ajo mori biskotën e parë, edhe ai zgjati dorën dhe mori një biskotë nga e njëjta pako. Asaj i erdhi inat, por u përmbajt e nuk i tha gjë. Veç mendoi: «Ky i pafytyrë e meriton një shpullë që të mos i shkojë kurrë në mendje të fus duart në gjërat e të tjerëve, por unë s´e bëj dot».

Dhe kështu vazhdoi: sa herë që ajo zgjaste dorën për të marrë një biskotë, edhe burri i huaj zgjaste dorën e merrte një biskotë, duke e nervozuar vajzën gjithmonë e më tepër. Kur mbeti vetëm një biskotë, ajo mendoi: «Po tani, vallë ç´do të bëjë ky qylaxhi i pacipë?!»

Dhe burri i panjohur, pasi e ndau biskotën e fundit në dy pjesë, gjysmën ia dha vajzës. «Ah, ky është kulmi!», mendoi vajza, gati e tërbuar nga zemërimi. Mbylli librin dhe pa i thënë asgjë, mori gjërat e saj dhe u largua. Kishte ardhur ora e nisjes.

Kur u ulë te vendi i saj në avion, hapi çantën për të kërkuar diçka. Ngeli e habitur kur pa se pakoja e saj me biskota ndodhej e paprekur në çantë. I erdhi shumë turp, kur pa se sa e gabuar kishte qenë.

Pra, e vërteta ishte se kishte qenë pikërisht ajo që i kishte futur duart në gjërat e dikujt tjetër, ndërsa ai burri i panjohur, aq i qetë dhe aq bujar, pa kurrfarë indinjate dhe nervozizmi, paska pranuar të ndante me të pakon e tij me biskota. Tani ajo nuk kishte mundësi për t´i kërkuar falje e për ta falënderuar.

A na ndodh kështu në jetë që të hamë biskotat e të tjerëve, pa qenë të vetëdijshëm për një gjë të tillë?

Nuk mund të arrijmë në një përfundim të saktë. Ndoshta gjërat nuk shkojnë apo nuk janë gjithmonë siç i mendojmë ne. Asnjëherë nuk duhet të mendojmë, e aq më keq të paragjykojmë, se dimë gjithçka për personat që na rrethojnë.

Në jetë janë katër gjëra që nuk mund t´i rregullojmë më pasi kanë ndodhur:
– Një gur, pasi e kemi hedhur drejt një objektivi.
– Një fjalë, pasi e kemi lëshuar drejt dikujt.
– Një mundësi, pasi e kemi humbur së realizuari.
– Kohën, pasi ajo ka ikur.

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult


Lexo edhe:

ALEIHANDRE: PO, TË KAM DASHUR SI ASNJËHERË…

Poezi nga Visente Aleihandre

Po, të kam dashur si asnjëherë.
Pse të t’i puth buzët, kur dihet që vdekja është pranë,
kur dihet që të dashurosh do të thotë veç të harrosh jetën,
të mbyllësh sytë para të tashmes së errët
e t’i hapësh para kufijve rrezëllitës të një kurmi?

S’dua ta lexoj në libra një të vërtetë që ngjitet pak e nga pak si uji,
s’e pranoj pasqyrën që malet gjithkah më zgjasin-
shkëmb i zhveshur ku pasqyrohet balli im
i tërthoruar prej disa zogjsh që s’ua di kuptimin.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult